Masakra e Maliqit dhe procesi kundër SHBA

Në mbledhjen nr.59, datë 19.11.1946, Presidiumi i Kuvendit Popullor vendosi refuzimin e kërkesave për faljen e jetës së bërë nga të dënuarit e procesit të parë të “Maliqit” dhe familjarët e tyre, duke urdhëruar ekzekutimin me varje në litar të Abdyl Sharrës, Kujtim Beqiri dhe me pushkatim të Vasil Manos, Zorika Manos dhe Eugenio Scaturos.
Këneta e Maliqit nisi të thahej më 5 maj 1946. Punimet e saj duhej të mbaronin më 28 nëntor 1946, kurse në fakt, në fazën kryesore mbaruan në vitin 1951. Drejtues të punimeve ishin Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri. Proceset ndaj teknikëve për gjoja “sabotime” ishin kombinacione dhe legjendime të përpiluara nga teknikët jugosllavë të Maliqit dhe regjimi komunist për të përligjur largimin e misionit amerikan në Tiranë. Dosjet hetimore-gjyqësore të këtyre proceseve janë tërësisht të manipuluara nga regjimi, sepse janë marrë dhe zhvilluar në kushtet më të rënda të torturës psikike dhe fizike. Procesi i parë i Maliqit dhe proceset e tjera vijuese, synonin të implikonin qeverinë amerikane dhe diplomatin e saj Fultz. Sipas informacioneve të siguruara, Fultzi, vetëm nga zhvillimi i gjyqit e kuptoi kush i kishte drejtuar punimet në Maliq.
Nga maji 1945 e deri nëntor 1946, ngjarjet janë zhvilluar kështu:
-8 maj 1945 misioni diplomatik amerikan mbërrin në Tiranë
-10 nëntor 1945 qeveria amerikane njohu qeverinë komuniste me kusht deri në plotësimin e kushteve, e deri në këtë kohë nuk do kishte nivel të lartë diplomatik. Dy ditë më vonë, Hoxha deklaroi se ishin djegur arkivat e nuk i njihte traktatet me SHBA-në (si injorant i politikës nuk e dinte që traktatet hartohen në disa ekzemplarë)
-13 gusht 1946, Enver Hoxha i deklaroi shefit të misionit diplomatik amerikan se, qeveria e tij do njohë disa traktate me karakter dypalësh, vetëm pas njohjes së Shqipërisë nga SHBA.
-20 shtator 1946, sekretari i shtetit, udhëzoi mosnjohjen e qeverisë komuniste të Hoxhës.
-28 shtator 1946 nisin arrestimet në Maliq.
-8 deri më 18 nëntor 1946 zhvillohet procesi i parë kundër “sabotatorëve”.
-15 nëntor 1946 misioni amerikan largohet nga Shqipëria.
-19 nëntor 1946 ekzekutimi në Maliq i grupit të parë.
E ashtuquajtura “organizatë tekniko-sabotatore” përbëhej nga Abdyl Sharra, 35 vjeç, kryeinxhinier në ndërmarrjen për tharjen e kënetës së Maliqit, i akuzuar si “iniciatori kryesor i sabotimeve në stil të gjerë për ndërmarrjet e mëdha që bënte pushteti popullor”; Kujtim Beqiri, 30 vjeç, bir i një familjeje patriotike, medalje e artë në inxhinieri civile në Universitetin e Vjenës, drejtor në punimet e Maliqit; Vasil Mano, inxhinier në kënetë, i akuzuar bashkë me të shoqen Zyrikën, (e cila u pushkatua shtatzënë), për lidhje dhe kontakte të herëpashershme me agjentët e UNRRA-s; Pandeli Zografi dhe Mario Guarnieri, gjeometra në kënetën e Maliqit; Eugenio Scaturro, italian, llogaritar në Maliq; Mihal Stratobërdha, Anastas Risto dhe Jani Vasili.
Proceset gjyqësore të të pandehurve filluan më 8 nëntor 1946 dhe përfunduan pas 10 ditësh. Gjatë asaj periudhe, lajmi kryesor në vend ishte gjyqi ndaj të bujshmit “grupi i sabotatorëve të kënetës së Maliqit”. Procesi, që transmetohej publikisht me altoparlant, u zhvillua në kinema “Nacional”, me skenar të parapërgatitur në detajet më të vogla. Pas shpalljes së vendimit, ku u goditën disa nga figurat e shquara atdhetare e intelektuale të Shqipërisë, grupi i dënuar me vdekje u ekzekutua në Maliq, më 19 nëntor 1946. Menjëherë vijuan arrestimet në masë të rreth 80 ish-nxënësve të shkollës teknike të “Harry Fulzit” dhe u arrit në shkëputjen e marrëdhënieve me SHBA-në e Britaninë e Madhe, për t’u bërë pjesë aktive e kampit të Lindjes komuniste.

Artikulli paraprak“Icardi do të jetë sulmuesi i Realit”
Artikulli tjetërInflacion politik