Inflacion politik

Pa pritur ditën, në mesnatën e së enjtes së kaluar, Parlamenti miratoi me votat e shumicës projektbuxhetin për vitin 2018.
Aty qeveria ka projektuar të kryhen 3.7 miliardë euro shpenzime publike. Copa më e madhe e tortës buxhetore, rreth 1 miliard euro, do të shkojë për mbrojtjen sociale. Një tjetër copë e madhe, rreth 365 milionë euro, do të përdoret për shëndetësinë, ndërsa për arsimin, 307 milionë euro të tjera.
Nga kjo renditje duket qartë sipas shumës që gati gjysma e parave, mbështesin politika me teh social. Por ka shumë hapësirë për të vlerësuar nëse këto fonde e përmirësojnë statusin social-ekonomik të qytetarit apo thjesht e konservojnë atë, pa lënë të bjerë më poshtë.
Ministri i Financave tha se është një buxhet për qytetarin. Dhe nëse i referohemi strukturës së sipërpërmendur duket se ka një qasje të tillë. Por ai i shteron ky buxhet përgjigjet e pyetjeve se sa do të rritet punësimi dhe sa do të rriten të ardhurat individuale për çdo qytetar? Në fund të fundit, gjithçka duhet të konvergojë dhe të përfundojë këtu.
Rreth këtyre çështjeve në Parlament pati më shumë inflacion fjalësh dhe politikë, por pak ide racionale.

Mungesë referencash brenda vetë shumicës qeverisëse

Pasi fituan zgjedhjet, socialistët udhëhoqën një proces paradoksal me dëgjesa publike. Kabineti qeveritar punoi për të ndërtuar një sistem udhëzues, që do të mbështeste hartimin e politikave ekonomike dhe buxhetore të reja, sipas prioriteteve të dëgjuara nga goja e vetë qytetarit. Në asnjë rast, megjithatë, mazhoranca nuk tha nëse ky buxhet lidhet me ato që kërkuan qytetarët. Se po të vërejmë paketën fiskale ajo kulmon me shkurtim dhe heqje të taksave për hotelet elitare dhe e parashikon që bizneset e vogla të futen në skemën e TVSH-së dhe rritjen e taksës së banesës. Nuk e besojmë që qytetarët kanë kërkuar pikërisht këtë gjë.

Në buxhet munguan garancitë

Në projektbuxhet, 340 milionë euro do të kanalizohen për çështje ekonomike. Ndoshta duke menduar se do të përdorë paketën 1 miliard euro që financohet përkohësisht nga partneriteti me privatin, qeveria mendon se do t’i adresohet të gjitha çështjeve që lidhen me përparimin ekonomik. Ky model është atakuar në pikat më nevralgjike të tij nga aktorët me zëra më të fuqishëm si Banka Botërore dhe FMN, të cilët hedhin dyshime të forta për leverdishmërinë e projektit dhe masën e përftimit të publikut, për shkallën e transparencës, kërcënimet që i jep borxhit dhe për pamundësinë e kontrollit të plotë. Por nuk pati asnjë reflektim se qeveria mund t’u adresohet këtyre problemeve.

Në Parlament munguan alternativat

Projektbuxheti u hartua mbi praktikën e “faktit të kryer” dhe votës së garantuar. Në publik pati shumë pak hapësirë dhe informacion për të diskutuar rreth çështjeve delikate siç janë taksat, apo prioritetin e investimeve.
Nga qarqe ekonomike jashtë politikës pati propozime interesante se mos ndoshta “paketa 1 miliard euro e koncesione do të ishte më mirë të përdorej për infrastrukturën në bujqësi dhe rrugët në fshat, pasi japin efekt më të madh dhe të drejtpërdrejtë tek popullata dhe ekonomia, apo ideja për t’i orientuar incentivat jo nga përjashtimet fiskale, por nga shpenzimet. Por këto propozime nuk arritën të depërtojnë brenda mazhorancës dhe nuk mundën të bëheshin pjesë e zërit parlamentar.
Megjithatë debati do të vijojë për çdo nen të projektbuxhetit në komisionet parlamentare. Koha e mbetur është e shkurtër dhe sjellja politike nuk lë vend shumë për shpresa, por ia vlen që debati të riorientohet drejt thelbit të çështjes: A do të mirëpërdoret dhe do të japë përfitim në dobi të tij çdo lek i paguar nga taksat e qytetarit? Debati që dëgjuam deri tani ka prodhuar vetëm inflacion politik.

“Monitor”

Artikulli paraprakMasakra e Maliqit dhe procesi kundër SHBA
Artikulli tjetërZhduket shtresa e mesme, thellohet niveli i varfërisë