Masakra e Çoles, familjarët e viktimave letër Nishanit: Po lirohen vrasësit!

Familjarët e viktimave të masakrës së Çoles në Vlorë, ku mbetën të vrarë 3 persona i kanë dërguar një letër presidentit Bujar Nishani. Familjarët shprehen se procesi gjyqësor i zhvilluar në Gjykatën e Lartë ndaj autorëve të dyshuar të familjarëve të tyre është i korruptuar dhe po lirohen vrasësit. Letra i është dërguar Nishanit nga familjarët e viktimave Haki dhe Ardi Velaj, të cilët shprehen se fëmijët e tyre po i vrasin për të dytën herë.
“Ne mendojmë që i njëjti trup gjykues nuk duhet të gjykojë të njëjtën çështje dy herë. Por shqetësimi ynë kryesor është se prokurori i seancës në Gjykatën e Lartë, Artur Selmani rrëzoi akuzën e ngritur nga Prokuroria e Shkallës së Parë Vlorë dhe ajo e Apelit po në Vlorë. Ne nuk kemi asnjë dokument në dorë, por me sa dëgjuam në sallë vetë, avokati mbrojtës i të dënuarve në diskutimin e bërë disa herë iu referua fjalës së Selmanit.
Vetë gjyqtarët u habitën me mbrojtjen që Prokurori u bëri të dënuarve për krime makabre. Jemi të shqetësuar se akoma s’po kuptojmë si familje pse ndodhi gjithë kjo masakër, nuk del në asnjë shprehje pse u ekzekutuan 2 djem që askujt nuk i kishin bërë dëm. E dimë që jemi të vonuar në kohë, por gjithsesi ne presim nga drejtësia dhe sidomos të organi i akuzës, të cilin ju drejtoni”, thuhet ndër të tjera në letrën drejtuar presidentit Nishani.
Ngjarja ka ndodhur në prill të vitit 2015 në lagjen “1 Maji” të Vlorës, ndërsa mbetën të vrarë Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj. Gjykata ka dhënë burgim të përjetshëm për shtetasin Aleksandër Llanaj, teksa Ani Begaj dhe Bertil Aliaj, u dënuan në mungesë me nga 35 vjet burg.

Artikulli paraprakMaskat grabisin një agjenci e transfertë parash në Fushë Krujë
Artikulli tjetërKorrupsioni, arrestohet ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve