Korrupsioni, arrestohet ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Burgjeve, Artur Zoto, është vënë në pranga pasditen e sotme, i akuzuar për korrupsion. Arrestimi i tij u bë me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila i kishte kërkuar Gjykatës caktimin e masës së arrestit “burg pa afat” për Zoton. Gjykata, në vlerësim të provave të paraqitura nga organi i akuzës ka vlerësuar të drejtë kërkesën e bërë dhe ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, të dyshuar për “korrupsion pasiv”. Prej disa muajsh Zoto ishte nën hetim, që kur u arrestua dhe vartësi i tij ish-zv/drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Iliaz Labi. Dy ish-zyrtarët e lartë dyshohen si të përfshirë në abuzime në tenderat e ushqimeve. Urdhri i arrestit u zbatua nga Policia e Shtetit pasditen e sotme.
Në lidhje me skandalin e tenderave për ushqimet e të burgosurve, më herët është arrestuar edhe zëvendësi i tij, Iliaz Labi, ndërsa fill pas arrestimit të tij, nisën hetimet për Zoton. Zoto u dorëhoq nga detyra në korrik të vitit 2016-të, ndërsa në letrën e shkarkimit i sqaronte ministrit të Drejtësisë në atë kohë, Ylli Manjanit se dorëhiqej për arsye personale dhe familjare. Por Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur dyshime të forta për implikimin e tij në aferat korruptive në tenderat e ushqimit në burgje, pas bisedave të përgjuara. “Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Artur Zoto, i dyshuar për “korrupsion pasiv”, në kuadër të hetimit të nisur pak kohë më parë, ku u arrestua edhe ish-zëvendësi i tij, Iliaz Labi. Urdhri i arrestit është zbatuar nga Policia e Shtetit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Dëshmia e vartësit që fundosi ish-drejtorin e Burgjeve

Dëshmia e ish zv/drejtorit të Burgjeve, Iljaz Labi ka çuar në pranga ish-drejtorin Artur Zoto. Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se gjatë marrjes në pyetje zv/drejtori Labi tha se për kryerjen e tenderit e kishte urdhëruar shefi i tij.
“…sqaroj se për këtë procedurë, unë jam vënë në dijeni në mënyrë rastësore, duke qenë se nuk është në kompetencat e mia. Më thirri drejtori i Përgjithshëm në zyrë një ditë dhe më tha se po hapej një procedurë tenderimi për ushqimet. Më tha që kemi këtë procedurën që do e bëjmë me negocim. Kam biseduar me operatorët dhe do të merresh t’i me këtë punë. Në këto kushte unë mora dijeni për këtë procedurë dhe fillova të interesohem për subjektet konkurruese. Konkretisht, duke qenë se unë nuk kisha marrëdhënie dhe njohje me operatorët, drejtori Artur Zoto më tha që të takoja shtetasin Ylber Kalaja, me të cilin unë kisha pak njohje, për të biseduar në lidhje me këtë çështje, duke më thënë se e dinte Ylberi sesi do të vepronte. Kam kontaktuar me shtetasin Ylber Kalaja dhe kam biseduar me të në lidhje me procedurën që do të kryhej”, ka dëshmuar Labi në Prokurori.

Artikulli paraprakMasakra e Çoles, familjarët e viktimave letër Nishanit: Po lirohen vrasësit!
Artikulli tjetërShtyhet sërish seanca, skenar për lirmin e Shullazit nga burgu