Manipuloi zgjedhjet, Presidenti i Kirgistanit dorëhiqet pas 10 ditë protestash

Presidenti i Kirgistanit Sooronbai Jeenbekov dha dorëheqjen të enjten pas 10 ditë trazirash që pasuan zgjedhjet e diskutueshme në këtë vend. Ai tha se me veprimin e tij donte të shmangte përplasjet mes forcave të sigurisë dhe protestuesve që kërkonin largimin e tij nga detyra.

Kirgistani u përfshi nga trazirat që nga zgjedhjet parlamentare të 4 tetorit, të cilat opozita i hodhi poshtë pasi aleatët e zotit Jeenbekov u shpallën fitues.

Pasi mbështetësit e opozitës dolën në rrugë dhe pushtuan ndërtesat qeveritare, autoritetet anuluan procesin zgjedhor. Zoti Jeenbekov njoftoi javën e kaluar se do të jepte dorëheqjen, por këtë javë ai e shtyu largimin e tij, duke thënë se do të qëndronte në detyrë derisa të mbaheshin zgjedhjet e reja.

Të mërkurën, zoti Jeenbekov pranoi të emëruarin nga parlamenti për kryeministër, nacionalistin Sadyr Japarov, mbështetësit e të cilit e liruan atë nga burgu javën e kaluar. Zoti Japarov dhe mbështetësit e tij kanë kërkuar që Jeenbekovi të largohet nga zyra.

Kirgistani, një ish-republikë e vogël sovjetike e Azisë Qendrore që kufizohet me Kinën, ka përjetuar trazira politike për vite me rradhë. Zoti Jeenbekovi është tashmë presidenti i tretë që rrëzohet nga një kryengritje popullore që nga viti 2005.

Artikulli paraprakStresi, urim ndryshe Doktorit!
Artikulli tjetërReagimi i fortë i Bardhit: Shqiptarët e dinë se Rama kandidatët e tij ia zgjedh krimi, Dakon me shokë i ka në kryesinë e PS