Metalurgët ultimatum Ramës: Na miratoni urgjent statusin dhe moshën e pensionit

Sindikata e Metalurgëve i jep ultimatum qeverisë që të miratojë statusin e metalurgut dhe moshën e pensionit. Një përfaqësi e kësaj sindikate i kanë bërë thirrje deputetëve, ministrave dhe kryeministrit që të marrin sa më shpejt në shqyrtim kërkesën e tyre. Kryetari i Federatës së Sindikatës së Punonjësve të Industrisë për Elbasanin, Ismet Dauti u shpreh se ndërsa për minatorët dhe naftëtarët u miratua ky status, për metalurgut nuk është bërë asgjë edhe pse kjo kërkesë është bërë në mënyrë të vazhdueshme duke ndjekur të gjitha instancat. Sindikalisti nënvizoi se metalurgët vazhdojnë të diskriminohen edhe pse kanë mbajtur peshën më të madhe për industrinë e vendit. Sipas tij mjaft prej tyre vuajnë nga sëmundje të pashërueshme, sëmundje kanceroze dhe profesionale dhe nuk e arrijnë moshën për pension. Kreu i kësaj sindikate për Elbasanin argumentoi se dy firmat e mëdha ku ata janë punësuar si “Kurum”, ashtu edhe “ACR” janë dy prej firmave që i paguajnë miliona shtetit për metalurgët, por shteti nuk bën asgjë për ata. Kryetari i Sindikatës së Metalurgëve të “Kurum”, Fadil Kamami u shpreh se ka 30 vjet që punon si metalurg. Ai u shpreh se sindikata dhe metalurgët i kanë ezauruar të gjitha hapat dhe askush nuk u ka zgjidhur punë. Ndaj tashmë i është drejtuar direkt Kryeministrit që ta zgjidhë këtë çështje. Sindikalistët kërcënuan se do të përshkallëzojnë protestat dhe do të mbajnë qëndrime konkrete nëse kërkesa e tyre nuk merret në konsideratë sa më parë.

Artikulli paraprakKosovë, MF-ja dhe KfW-ja dakordohen për realizimin e projekteve të përbashkëta
Artikulli tjetërLiri Berisha: Pse duhet t’i vaksinoni fëmijët