Largohet nga Shqipëria piloti italian i trafikut të drogës

Pak ditë pasi autoritetet shqiptare të drejtësisë i kthyen pasaportën, ka lënë vendin tonë piloti italian Guido Guidi, avioni i të cilit u rrëzua në Ishëm 4 muaj më parë dhe u hetua për trafik droge. Guidi la vendin tonë përmes rrugëve ajrore, për t’u trajtuar për probleme shëndetësore në Itali. Kurse avioni pritet t’i kthehet kompanisë.
69-vjeçarit me vendim gjykate i është kthyer pasaporta. Kjo e fundit iu sekuestrua që nga muaji shtator i vitit të kaluar, kohë kur ndodhi dhe ngjarja. Piloti do të hetohet në gjendje të lirë.
Organi i akuzës ka kërkuar lënien si garanci shumën prej 10 mijë eurosh. Por piloti duhet të jetë në dispozicion të Prokurorisë dhe duhet të paraqitet për t’u pyetur sa herë që t’i kërkohet. Me këtë vendim duket se misteri se për çfarë kishte ardhur Guido Guidi në Shqipëri nuk do të zbardhet.
Italiani fillimisht deklaroi se kishte ardhur për të ngarkuar kanabis. Ndërsa në një dëshmi të dytë sqaroi se kishte mbërritur për të provuar pistën ku ai u ul dhe mjeti fluturues pësoi defekt. Pavarësisht këtyre deklarimeve, Prokuroria gjatë kësaj kohe nuk gjeti asnjë provë tjetër që të faktojë se në këtë rast kishim të bënim me një rast trafiku droge.
Gjatë këtyre katër muajve hetuesit nuk gjetën asnjë person tjetër, i cili të kishte implikim pavarësisht se pati disa të dyshuar. Por Prokuroria për Krimet e Rënda do t’i vazhdojë hetimet dhe në rast se do të ketë të dhëna që implikojnë pilotin italian, ai të vijë serish në vendin tonë për të dhënë sqarime.

Artikulli paraprakShkolla 9-vjeçare në Krujë drejt shembjes, rrezikohen 200 nxënës
Artikulli tjetërZyrtari i patentave dhe ish-polici kapen me 1 kg kokainë në Tiranë