Zyrtari i patentave dhe ish-polici kapen me 1 kg kokainë në Tiranë

Ish-efektiv i Policisë së Laçit, Gjergji Gjinaj dhe një zyrtar i Drejtorisë së Patentave janë kapur me 1 kg kokainë në rrugën “Vllazën Huta” në kryeqytet. 49-vjeçari u kap të mërkurën në mbrëmje, gjatë operacionit të koduar “January”. Bashkë me Ismail Allushin, 49 vjeç dhe Armond Kurti 41 vjeç, specialist pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor, ata dyshohet se ishin përfshirë në shpërndarjen e kokainës në Tiranë.
Fillimisht efektivët e policisë ndaluan Gjergji Gjinajn, siç duket në këto pamje të shpërndara nga policia. Në automjetin e tij “Fiat” u gjet rreth 1 kg kokainë. Në një distancë prej 10 metra më tej ishte Armond Kurti, në një makinë “Audi A4”, i cili kontrollonte lëvizjet e dyshimta të personave në këtë zonë.
Sapo u ndalua ish-polici Gjinaj, Armond Kurti u largua bashkë me mjetin e tij, duke mos iu ndaluar postbllokut të policisë. Ai u shpall në kërkim nga policia. Gjatë kontrolleve të banesave, Gjinajt dhe Ismail Allushit, efektivët gjetën edhe 12 gramë të tjera heroinë dhe 6750 euro dhe disa doza heroinë.
Burime nga policia thanë se, kokaina që shpërndahej në Tiranë vinte nga Hollanda. Një ish polic furnizonte shpëndarësit e drogës jo vetëm me kokainë, por edhe me heroinë. Gjergji Gjinaj ka qenë efektiv policie, i cili e ka lënë këtë profesion për të bërë trafikantin e drogës.
Personi tjetër është Armond Kurti, punonjës i Drejtorisë së Patentave në Kashar. Rroga që merrte në shtet duket se ishte shumë pak për Armond Kurtin që ka menduar të bëjë para me shpërndarjen e drogës.
Rreth orës 21:00, në Rrugën “Vllaznit Huta”, është konstatuar automjeti tip Fiat “500”, me drejtues mjeti shtetasin Gjergji Gjinaj, rreth 10 metra më larg është konstatuar i parkuar automjeti tip “Audi”, me drejtues shtetasin A. K., i cili kontrollonte lëvizjet e personave dhe automjeteve në këtë rrugë.
Ndërkohë, një punonjës i policisë është kapur me një pistoletë pa leje në makinë. Burime nga Policia e Lezhës pohuan se në pranga ra nënkomisari Armand Myrta, 41 vjeç, me detyrë specialist për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës si dhe Petrit Dema, 33 vjeç. Të dy këta persona u kapën në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Milotit”, gjatë kontrollit të automjetit tip “Mercedes Benz”, me targa AA 350 MB, që drejtohej nga oficeri Myrta ku udhëtonte dhe Dema, ndërsa në sediljen e pasagjerit u gjet dhe një pistoletë. Pas kryerjes së veprimeve paraprake hetimore materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.

Artikulli paraprakLargohet nga Shqipëria piloti italian i trafikut të drogës
Artikulli tjetërProkurori Tola i shpëton vettingut