Lajmëtarët e ditës dhe drita e munguar

Nga dr. Yzedin Hima

Gjeli si simbol i lajmëtarit të dritës në poezinë e Migjenit “Një natë pa gjumë” dhe në poezinë e Visar Zhitit “Fabula e njohur me gjelin”

(sprovë)

Migjeni dhe Visar Zhiti janë dy poetë me fat të trishtë në letërsinë shqipe. Jeta e të dy poetëve të shquar është e mbushur me krijimtari të ethshme, në luftë me kohën. Migjeni qe i dënuar me ikje nga kjo botë për shkak të sëmundjes së tij, ndërsa Visar Zhiti me izolim në gropat e errta të atdheut për shkak të poezisë së tij. Duke rilexuar poezinë e Migjenit “Një natë pa gjumë”, m’u shfaq gjeli fatkeq i poezisë së Zhitit “Fabula e njohur me gjelin”.

Për të prekur kuptimin e dy teksteve, në këtë rast, lipset të njohim kontekstin në të cilin u nyjëtuan dy poezitë.
Tekstet janë shkruar nga dy poetë në dy kohë të ndryshme, të dy poetë të shquar të letërsisë shqipe. Harku kohor i largësisë së shkrimit të dy teksteve është katër dekada.

Migjeni e shkroi poezinë e tij në Itali, i shtruar në sanatorium për shkak të turbekolozit në vitin 1938. Poezia e tij është ndër krijimet e fundit, para se të ikte nga kjo botë. Visar Zhiti e mendoi poezinë e tij në burgun e Kukësit, pas arrestimit të befasishëm e akuzës se kishte shkruar poezi armiqësore, në kundërshtim me metodën e realizmit socialist, në nëntor të vitit 1979.

Nëse Migjeni e shkroi nën ndikimin fatkeq të prekjes nga turbekolozi, edhe Zhiti qe po i prekur, jo nga turbekolozi , por nga biografia “e keqe”. Të rriturit e kujtojnë përcaktimin “i prekur” për të gjithë njerëzit që diktatura i quante përfaqësues të klasave të përmbysura.

Migjeni ka shkuar në Itali për të studiuar në universitet për literaturë, por prekja nga turbekolozi e ka thyer fatin e tij, duke e dërguar në sanatorium.

Zhiti, i flakur në gropën e errët, mediton se cili qe faji apo gabimi i tij. Duke medituar, befas i vjen ndërmend fabula e gjelit me pendët e tij të praruara.

Në të dy tekstet kemi dy simbole të përbashkët: gjelin dhe dritën. Kemi gjithashtu dy mjedise absurde, ku gjenden dy të rinjtë, sanatoriumi dhe qelia. Të dy poetët janë në të njëjtën moshë, ende pa i mbushur 27 vjeç.
Të dy tekstet janë tekste të ekzistencializmit. Absurdi shfaqet kur djaloshi Visar Zhiti izolohet në errësirën e qelisë sepse ka shkruar poezi për trandafilat, sikurse shkruan dijetari i madh Umberto Eko për Visar Zhitin, ndërsa djaloshi Millosh Gjergj Nikolla izolohet në pavionin e spitalit për shkak të trupit të drobitur nga turbekolozi.
Të dy kanë dëshirë të ethshme për dritë. Migjeni në terrin e natës së tij pa fund, Zhiti në errësirën e katit të nëndheshëm të burgut të Kukësit.

Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla
Të lutem pak dritë në kët nat kur shpirti vuen

Me këto dy vargje e nis poezinë Migjeni. Vetëm drita mund t’ia lehtësojë dhimbjen poetit. Është një klithmë ekzistenciale për t’i shpëtuar territ të fatit. Migjeni shkon deri te lutja për pak dritë, kur sheh se askush nuk dëgjon, askush nuk e ndihmon:

Pak dritë vetëm, të lutem mëshirë të kesh
Se do çmendem në kët natë pa gjumë e pa pishë.

Vetëdija dhe energjia e shpirtërore e djaloshit është burgosur brenda trupit të drobitur, që ka filluar të mos i bindet energjisë shpërthyese të shpirtit dhe mendjes djaloshare të tij:

Me flakën e pishës në qiellin e kësaj nate
Të shkruajshe kushtrimin… Ehu Burrë i tretun!

Vetmia, vuajtja dhe vdekja janë shkallarja për të arritur kulmin e absurdit. Mungesa për Migjenin në këtë tekst, ka prekur shkallën e fundit. Klithmës së tij ekzistenciale askush nuk i jep përgjigje:

Askush s’më ndigjon, çirrem kot më kot…
Hesht more, hesht! Por qindro, o shpirt.

Poezia e Migjenit “Një natë pa gjumë” është një tekst tejet personal, një sfidë ndaj absurdit të jetës. I rrethuar nga nata ai pret një shenjë drite, agu. I vetdijshëm se kjo dritë nuk do të vijë kurrë, ai edhe këngën e gjelit që lajmëron ardhjen e ditës, nuk e beson:

Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita
-Gjel a rren a s’rren? Cila asht fjala e jote?
Kur ti këndon thonë se asht afër drita…
Por unë s’besoj sonte në fjalët e ksaj bote.

Është një monolog i trishtë i unit poetik. Dy pyetjet retorike janë dëshpëruese. Edhe nëse gjeli do lajmërojë për ardhjen e ditës, për unin poetik, dita nuk do të feksë kurrë. Për të ka nisur nata e madhe. Në vargun e fundit ai shprehet se nuk beson në fjalët e kësaj bote. Për të kjo botë sa vjen e largohet, sa vjen e bëhet më e huaj. I dëshpëruar ai niset drejt një tjetër botë, teksa shkruan:

Hiqmuni qafe mendime!
O jastëk ty të rroki, të përqafoj si shpëtimin,
Më fal atë që due: gjumin dhe andrimin
E dy buzvet që pëshpërisin ngushëllimin.

Poeti është i pashpresë dhe qetësisht kërkon të largohet nga dëshira e parealizuar për dritë, drejt gjumit. Objekti më ndihmues nuk është gjeli që lajmëron dritën, por jastëku që ndjell gjumin:

O jastëk ty të rroki, të përqafoj si shpëtimin.

Shpëtimi nuk vjen tashmë nga drita, por nga zhytja në gjumë e terr. Vetëm në ëndërr uni poetik mund të takojë dritën. Gjumi dhe andrimi janë dy buzët nga të cilat uni poetik pret ngushëllimin, prehjen. Kur dy buzët artikulojnë ngushëllim, ka ndodhur diçka e trishtë. Po gjumi a nuk i përngjet vdekjes? Uni poetik shkon qetësisht drejt saj. Pas lë gjurmë drite, poezinë.

Le të shohim tekstin poetik të Visar Zhitit. Ai gjendet i pashpresë në terrin e qelisë së burgut të Kukësit. Nuk ka kryer asnjë krim, faj, përveç shkrimit të poezive. Me siguri ai e ka lexuar ferrin e Dantes dhe në kujtesë i pulson vargu fatal i këngës së tretë, i nënti në radhë:

O JU QË HYNI MBRENDË, KENI MBARUE!

Vargu mund të shkruhej dhe të merrte kuptim në çdo portë burgu të krijuar nga diktatura në Shqipëri. Absurdi në kohën kur Zhiti e shkroi tekstin e tij ishte pamja dhe substanca e jetës. Ja një dialog midis një zyrtari të lartë të ministrisë së brendshme dhe një të burgosuri, i sjellë në ligjëratë të drejtë nga Visar Zhiti, në një nga librat e tij, marrë nga realiteti i njëmëndët, që për nga absurdi duket sikur është shkëputur nga një tregim i Franz Kafkës:

– Zyrtari i lartë : Sa je dënuar i burgosur?
– I burgosuri: 7 vjet, zotëri.
– Sa vite ke kryer i burgosur?
– Pesëmbëdhjetë, zotëri.
– Edhe sa vite të kanë mbetur, i burgosur?
– Sa të jesë partia, zotëri…

Shpresat për të dalë i gjallë nuk ekzistonin, ndaj uni poetik i poezisë “Fabula e njohur me gjelin”, nuk sheh dritë në fund të tunelit. Ai mediton se ku gaboi dhe në ndihmë i vjen pikërisht fabula e gjelit me flatra drite:

…kish parë pendët e veta të bardha,
Të praruara dhe iu dukën si rrëkera drite.

Gjeli në tekstin poetik të Zhitit simbolizon unin poetik. Siç shihet, gjelit drita nuk i vjen nga mjedisi rreth tij, por nga vetja (pendët e veta të bardha /Të praruara…), Ai nis të lajmërojë ardhjen e ditës. Nuk e kupton se rrëkerat e dritës burojnë prej tij dhe janë thjesht iluzion i ardhjes së afërt të ditës. Kënga e gjelit është e parakohëshme, sepse dita është tepër larg.

Te poezia e Migjenit gjeli rren për lajmërimin e dritës, sepse poeti është i dënuar fatalisht me terr. Te poezia e Zhitit gjeli është i gënjyeri, sepse vetmashtrohet nga pendët e praruara të tij. Në të dy rastet drita nuk vjen. Të dy poetët i kaplon terri. Migjenin terri i fundit të jetës, ndërsa Zhitin terri i burgut, ku lindi kjo poezi. Kënga e gjelit në këtë tekst simbolizon poezinë e autorit, poezi që e çoi Zhitin në burg. Uni poetik me mendje dhe shpirt të lirë (gjeli me pendët e veta të bardha), kujtoi se edhe mjedisi rreth tij ishte i tillë dhe i dërgoi tekstet poetike te shtëpia botuese.

Natyrisht, nuk i dërgoi te policia politike. Redaktorët e tij i dërguan atje dhe gjeli ynë pendëartë përfundoi në terr. Dhe për këtë i vjen ndëshkimi, puplat e tij të bardha, pendët si rrëkera drite do të kthehen në zgjime të ankthshme, jo më nga këngët e gjelave, por nga thirrjet e kapterave.
Poezia e Zhitit vijon me varg të pazakontë për nga ngarkesa estetike e kuptimore.

Mos ia prish gjumin natës

Qortimi i drejtohet gjelit (unit poetik). Uni poetik zbulon me këtë varg pikërisht “fajin” e tij. Me poezitë e tij, ai ia kishte prishur gjumin natës. E kishte holluar paksa terrin e saj. Është një personifikim tronditës: nata ka rënë në gjumë dhe kurrsesi nuk duhet t’i prishet gjumi. Diktaturat janë netë të gjata, pa agime, pa lajmëtarë të ardhjes së ditës (dritës). Kushdo që e zgjonte natën do të ndëshkohej.
Ai që do të guxonte t’ia prishte gjumin natës do të zgjonte sëpatat e kobit, thikat e zilisë dhe të zisë njëherësh:

Mos ia prish gjumin natës
Sëpatave të kobit,
Thikave të zi(li)së
Ti, pakëz mëngjez
Si një gjel qiellor,
Me zgjimet e ankthshme në krahët e tu!

Ky autoportret i poetit Visar Zhiti është mbresëlënës. Ay janë të gjitha, edhe kënga (poezia) që ia prishi gjumin natës, edhe sëpatat e kobit, veglat e dashura të natës, edhe thikat e ngulurta në ijet e poetit nga zilia e të ngjashmëve të tij. Natyrisht, nuk mungon portreti i gjelit (poetit) në formën e një mëngjezi të prangosur, në formën e një gjeli diellor të zhytur në terr.

FB IMG 1705823754492

FB IMG 1705823756673

Artikulli paraprakVOA: “Russia Today” synon transmetimet e programeve të saj në gjuhën serbe në Bosnje
Artikulli tjetërÇmimet e apartamenteve do të shtrenjtohen mesatarisht me 20% në vitin 2024