Kushtet skandaloze në QSUT, 8 mjekë lajmërojnë dorëheqjen

Mjekët e Urgjencës në QSUT kanë dhënë dorëhqjen nga puna megjithëse pak më vonë nga dorëheqja janë detyruar në kushtet e presionit. Ata i kanë dërguar letër drejtorit të QSUT, Enkelejd Joti si dhe ministres Manastirliu, kryeministrit Rama dhe Presidentit Meta. Në letrën e dërguar mjekët shkruajnë se situata në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme në QSUT është bërë e papërballueshme. Ata shkruajnë se kushtet e punës nuk janë zbatuar ashtu siç e përcakton kontrata. Përveç kësaj mbingarkesa me të sëmurë që qëndrojnë të shtruar mbi 48 orë në urgjencë për mungesë vendesh në pavionet e tjera, ka çuar në mbingarkesën e Repartit të Urgjencës. Për shkak të rritjes së mbinkarkesës së Urgjencës për raste që nuk kanë të bëjnë me mjekët e Urgjencës, por me repartet e tjera ata kanë marrë vendimin e dorëheqjes nga puna. “Tërhiqemi nga pozicioni i punës. Nuk ka kushte pune për stafin mjekësor dhe ka mbingarkesë me të sëmurë të shtruar. Ka mungesë vendesh në pavionët e tjera dhe shërbimet nuk zbatojnë urdhrat. Po paralajmërojmë sipas Kodit të Punës 30 ditë përpara”, thuhet ndër të tjera në letrën e mjekëve të Urgjencës së QSUT. Mjekët që kërkojnë dorëheqjen janë: Petrit Gjorgji, Elton Calliku, Besmir Kocia, Etiomena Bracaj, Jonida Kito, Petrit Vargu, Afrim Yzeiraj, Eqerem Hasani.

Letra e mjekëve

Kërkesë/ Në kuadër të situatës së krijuar në Urgjencës e QSUT, ku;
1. Kushtet e punës për stafin nuk plotësohen bazuar në kontratën punëdhënës-punëmarrës
2. Ka mbingarkesë me të sëmurë të shtruar mbi 48 orë në urgjencë për mungesë vendesh në pavionet e tjera në kundërshtim me urdhrin
2. Mos zbatimi i urdhrave të tjerë të nxjerrë nga drejtoria nga shërbimet e tjera që reflektojnë mbingarkesën e urgjencës
3. Në këto kushte ku për shkak të mbingarkesës, e cila nuk lidhet me punën e mjekëve por të shërbimeve; Tërhiqemi nga pozicioni i punës duke respektuar paralajmërimin sipas Kodit të Punës me 30 dite perpara.
Mjekët që e kanë firmosur letrën janë;
Petrit Gjorgji, Elton Calliku, Besmir Kocia, Etiomena Bracaj, Jonida Kito, Petrit Vargu, Afrim Yzeiraj, Eqerem Hasani.
PD: Largimi i mjekëve konfirmon kolapsin në sistemin shëndetësor
Deputeti demokrat Bardh Spahia, e ka cilësuar tronditëse kërkesën për dorëheqje të 8 mjekëve të Urgjencës në QSUT, të argumentuar me kushtet e vështira në të cilat punojnë. Në një prononcim për mediat, Spahia tha se ky akt tregon dështimin e kësaj qeverie në sistemin shëndetësor që sipas tij e ka futur në kolaps. “Kryefjala është vetëm një, mungesa të theksuara në të gjitha aspektet, një sistem shëndetësor në amulli të plotë, në çakordim të plotë, kaos total, me mungesa të theksuara në të gjitha aspektet sa i përket medikamenteve, pajisjeve mjekësore, por edhe kushteve të tmerrshme në të cilat janë të detyruar të punojnë punonjësit e sistemit shëndetësor shqiptar, duke filluar nga mjekët, infermierët, personeli tjetër i sistemit shëndetësor. Gjendjen aktuale do ta konsideroja tronditëse, dorëheqjen e mjekëve të Urgjencës e konsiderojmë tronditëse. Tregon në thelb dështimin e plotë të sistemit shëndetësor shqiptar nën drejtimin e kësaj qeverisje. Ky sistem ka pasur vështirësitë e veta ndër vite, edhe gjatë drejtimit tonë, por asnjëherë nuk ka qenë i rrënuar si sot në thelbin”.

Reagimi i mjekëve: Pa kapacitete për t’u ardhur në ndihmë pacientëve

Nuk kemi dhënë dorëheqjen, por kemi parashtruar një peticion ndaj Drejtorisë së Urgjencës për rregullimin e shërbimit. Kështu deklaroi mjeku i Urgjencës në QSUT, Edmond Zaimi. “Absolutisht jo, ne nuk kemi dhënë dorëheqje në ’97, kjo është një kërkesë e jona për të rregulluar problemet nëpërmjet Drejtorisë. Është puna e Drejtorisë më tej që do të zgjidhë problemet, duke përforcuar të gjitha hallkat e sistemit. Por shpesh herë zgjidhja e këtyre problemeve dalin jashtë mundësive dhe kapaciteteve tona”. Mjeku Zaimi tha se, shërbimi i Urgjencës përballet me fluks të madh pacientësh nga e gjithë Shqipëria që tejkalon mundësitë dhe kapacitetet e personelit të këtij shërbimi. “Sikurse e shihni dhe vetë, situata është e ngarkuar me shumë të sëmurë jo vetëm të Tiranës, por nga gjithë Shqipëria. I kalon kapacitetet e shërbimit tonë, shtohet me ngarkesë për personelin çka bën që edhe rreziku i gabimeve mjekësore të shtohet. Në të tilla kushte i gjithë stafi i Shërbimit të Urgjencës ka shkruajtur një tip peticioni për Drejtorinë e Urgjencës, por që akoma nuk është dorëzuar në drejtori dhe nuk është bërë akoma zyrtare me kërkesat tona për të rregulluar gjendjen. Është një problem që ka ekzistuar, por që thelluar së tepërmi këto ditët e fundit, duke bërë të pamundur vazhdimësinë e punës nga ana jonë. Por janë probleme që do t’i zgjidhim përmes njëri-tjetrit me forcat tona të brendshme, gjithashtu duhet sensibilizuar ndoshta dhe opinionin publik për ta shfrytëzuar shërbimin e Urgjencës për nevojat e urgjencës jo për probleme që nuk kanë lidhje me Urgjencën, të cilat mund t’i zgjidhë shumë mirë shërbimi parësor ose spitalet rajonale”.

Artikulli paraprakSpanja tërheq urdhërarrestin për Puigdemontin
Artikulli tjetërRusia shpall “agjentë të huaj” “Zërin e Amerikës” dhe Radion “Evropa e Lirë”