Rusia shpall “agjentë të huaj” “Zërin e Amerikës” dhe Radion “Evropa e Lirë”

Ministria ruse e Drejtësisë i shpalli të martën nëntë media amerikane, përfshirë “Zërin e Amerikës”, si “agjentë të huaj”.
Ministria radhiti në listë Radion “Evropa e Lirë”/Radio Liria dhe disa nga partnerët e saj, pas paralajmërimit muajin e fundit se ato mund të preken.
Presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi në nëntor ligjin që i jep autoritet qeverisë t’i shpallë mediat që financohen nga jashtë si “agjentë të huaj: dhe të vendosë sanksione ndaj tyre.
Zyrtarët rusë e cilësuan ligjin e ri si “përgjigje simetrike” ndaj asaj që ata e përshkruajnë trysni amerikane ndaj medias ruse. Më 13 nëntor, kanali televiziv i financuar nga shteti rus, RT, u regjistrua në Shtetet e Bashkuara në bazë të ligjit dhjetëra vjeçar për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA).
Ambasadori amerikan në Rusi, Jon Huntsman, tha se FARA synon nxitjen e transparencës, por nuk kufizon veprimtarinë e rrjetit televiziv në Shtetet e Bashkuara.
Departamenti amerikan i Shtetit e dënoi ligjin rus e tha ditë më parë duke theksuar se, “legjislacioni i ri rus që i lejon Ministrisë së Drejtësisë të përcaktojë mediat si “agjentë të huaj”, dhe të mbikëqyrë apo të bllokojë aktivitete të caktuara në internet, paraqet një tjetër kërcënim për mediat e lira në Rusi.

Artikulli paraprakKushtet skandaloze në QSUT, 8 mjekë lajmërojnë dorëheqjen
Artikulli tjetër45 milionë dollarë gropa në tatime për dy muaj