Kush e solli optimizmin?

Fatmir GUDA

Qëndresa, shpresa dhe optimizmi, bashkudhëtuan në kalvarin e 90 ditëve sinergji demokratësh përreth kauzës për zgjedhje të lira e të ndershme. Gjithë faktori politik rreth mazhorancës investoi seriozisht çdo potencial të mundshëm mediatik dhe social për ta bërë nul atë që opozita dhe opinioni publik e kishin diagnostikuar si kapje e shtetit nga krimi. Madje, tabloja ishte aq e rënduar sa pushteti për të rigjeneruar vetvehten kishte zgjedhur për të cënuar para së gjithash institucionin e votës së lirë, nëpërmjet të cilit do të trashëgonte një rezultat të fabrikuar elektoral. Aq seriozisht ishte menduar ky skenar, saqë fare pa drojtje u rrek derisa të eliminonte opozitën nga jeta politike për ta klonuar atë në trajtë laboratorike me ish-eksponentë majtas e djathtas politikës që zellshmërisht pranuan ta luanin edhe atë rol. Ulëritëse ishin edhe qëndrimet e disa segmenteve pranë kancelarive ndërkombëtare që dukeshin të manipuluara më shumë sesa të pajtuara me faktin e stigmatizimit të PD si shkaktare të pengimit të Reformës në Drejtësi, arsye e vërtetë e së cilës ishte shkelja e marrëveshjes për këtë reformë nga ana e PS.
Edhe pse demokratët me nismën e kryetarit Basha, kishin fituar një betejë, atë të dekriminalizimit, dukej sikur po kapitullonin përpara super mazhorancës PS-LSI, e cila pasi eksperimentoi suksesin me “superfitoret” e paralajmëruara në zgjedhje të pjesshme lokale në Korçë, Dibër dhe Kolonjë, po u binin trumpetave se të sigurt po shkonin drejt një mandati të garantuar qeverisës në nivel qëndror. Në pikën më kritike, lidershipi i PD, zoti Basha duke zhgënjyer edhe më pesimistin i dha një kthesë të papritur situatës politike në vend, duke kërkuar aleancë me qytetarin e thjeshtë dhe ju imponua moralit të shoqërisë për ta kundërvënë atë përballë skenarit të rrezikshëm të blerjes së zgjedhjeve në tavolinë. PS nëpërmjet parave të siguruara nga trafikimi i kontrolluar prej saj të lëndëve narkotike dhe përdorimit të elementeve me rekorde kriminale dhe LSI-PDIU, nëpërmjet korrupsionit shtetëror nga administrata që kontrrollonin, pasi ishin mbrehur të siguronin një shumicë të cilësuar në Parlamentin e ardhshëm, i cili pritej që të ishte cilësisht akoma dhe më kriminal se legjislatura e sapombyllur, nuk mendonin se Partia Demokratike do të gjente rrugëdalje nga humbja e garantuar që i kishin strukturuar. Në një kordon të fortifikuar mediatik të kujdesur deri në detaje, pushteti kishte shënjestruar PD me aleatët e saj, duke ja servirur opinionit vendas dhe faktorit ndërkombëtar, si një grupim forcash me energji negative, të angazhuara kundër projektit euro-atlantik për Reformën në Drejtësi dhe në panik ndaj përballjeve elektorale.
Por për 90 ditë kalendarike kokërr më kokërr, angazhimi politik dhe qytetar me fakte dhe një gjuhë të drejtpërdrejtë u ndërtua institucioni i çadrës së pagëzuar me emrin Çadra e Lirisë, ku u farkëtua me vullnet e durim qëllimi i mirë për t’ju bërë barrikadë skenarit më të keq, atij të një shteti fasadë, të një demokracie fasadë. Në prolog dhe epilog të saj, gjithë sipërmarrja e liderit demokrat kulmoi me thirrjen e dy protestave madhështore që kapërcyen numerikisht jo vetëm njëra-tjetrën, por edhe çdo event të tillë organizuar ndonjëherë nga një forcë politike në Shqipëri. Padyshim, që këto sipëmarrje të fuqishme me karakter kombëtar, entuziazmin e të cilave mazhoranca e Edi Ramës u përpoq ta zbehte me manipulim imazhesh filmike nëpërmjet tregut mediatik të kontrolluar tërësish prej tij, realisht e zbritën me këmbë në tokë shefin e “rilindjes”, duke e bërë esëll me faktin se peshorja po anonte dukshëm nga peshorja e kundërshtarit.
Si përfundim, jemi në pikën kur miti i pathyeshmërisë së Edi Ramës ka rënë nga i njëjti personazh, Lulzim Basha, i cili edhe e çmontoi atë nga Bashkia e Tiranës, rreth 6 vjet më parë. Rama i kapur në flagrancë edhe prej faktorit ndërkombëtar, duke hedhur në kosh gjysmën e qeverisë dhe administratës së vet, ka pranuar de fakto gjysmë kapitullimin, si garanci e kërkuar prej Brukselit dhe Uashingtonit, në trajtë fature për njohje të përgjegjësisë së saj për krizën e rëndë politike të krijuar në vend, duke u zvarritur nga e keqja deri më 25 qershor me gjysmën e mbetur.

Artikulli paraprakMustafaj: Rama do të minimizojë rolin e LSI
Artikulli tjetërFaqja e pare