Kur ishte në opozitë e sulmoi, por sot në qeveri, Rama shtyn me 10 vjet koncensionin e Bulqizës

Përmes një vendimi të beftë dhe pa shumë zhurmë, qeveria shqiptare ka zgjatur me 10 vjet afatin e një prej koncesioneve më të përfolura në Shqipëri, atë të minierës së kromit në Bulqizë. Në mbledhjen e datës 22 qershor, Këshilli i Ministrave ka miratuar një projektligj, i cili ndryshon kontratën ekzistuese të koncesionit duke i dhënë të drejtën kompanisë private “ACR Holding” të shfrytëzojë minierën deri në vitin 2041. Drafti, i cili titullohet “Për miratimin e shtesës së marrëveshjes së koncesionit, ndërmjet Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, si autoritet kontraktues dhe ‘ACR Holding’, s.r.l., si koncesionari, për rehabilitimin, operimin dhe transferimin e minierës së kromit, Bulqizë, të Fabrikës së Pasurimit, Bulqizë, të Impiantit të Seleksionimit, Klos dhe të Uzinës së Ferrokromit, Burrel”, pritet që shumë shpejt të kalojë për votim në Parlament. Marrëveshja e koncesionit të Bulqizës është nënshkruar në vitin 2001 me afat fillestar 30 vjet. Por me ndryshimet e reja ky afat zgjatet në 40 vjet dhe përfundon në vitin 2041. Qeveria e justifikon zgjatjen e afatit të koncesionit me argumentin se koncesionari do të kryejë investime të reja në minierë. Në dokumentet që shoqërojnë projektligjin, qeveria pretendon se në marrëveshjen e re parashikohet që kompania private të investojë edhe 24 milionë euro të tjera shtesë në minierën e Bulqizës dhe Uzinën e Pasurimit në Klos. Sipas dokumenteve, këto fonde do të investohen në hapjen e pusit numër 9, si dhe tranverbankun e Klosit, dy investime që qeveria pretendon se do të bëjnë të mundur rritjen e jetëgjatësisë së minierës dhe nxjerrjen e rreth 700 mijë tonë rezerva të tjera kromi. Ndërkohë, veç koncesionit të Bulqizës, qeveria ka shtyrë me 10 vjet edhe afatin e koncesionit për Uzinën e Ferrokromit në Elbasan dhe për minierat e kromit të Prrenjasit e Pojskës, të cilat zotërohen po nga i njëjti koncesionar, kompania “ACR Holding”.

PS në opozitë akuzonte

Gjatë kohës që ishte në opozitë Partia Socialiste ka hedhur akuza të forta kundër ish-qeverisë së Partisë Demokratike se ishte duke favorizuar kompaninë koncesionare. Madje në atë kohë ish-deputetët të majtë e cilësonin kompaninë që zotëronte koncesionin si e afërt me qeverinë. Por me ardhjen në pushtet duket se mendimet e Partisë Socialiste kanë ndryshuar. Me shtesën e re, koncesioni i minierës së kromit në Bulqizë, bëhet kështu koncesioni më i gjatë në vend me një afat rekord prej 40 vjetësh.

Artikulli paraprakNeuer: Gjermania do ta tregojë veten me të mëdhatë
Artikulli tjetërDalja e Britanisë nga BE, krijon paqartësi edhe në Kosovë