Kupola e Policisë Kufitare ndalohet nën dyshimin për trafik qeniesh njerëzore

Enkeleda Toska, drejtoresha e Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin në Tiranë si dhe tre zyrtarë të tjerë të kësaj drejtorie u ndaluan të Mërkurën nga kolegët e tyre të kontrollit të brendshëm në Policinë e Shtetit pasi një investigim gazetaresk i Top Channel zbuloi një skemë masive migrimi të paligjshëm nga Lindja e Mesme drejt Europës përmes lejeve të qëndrimit në Shqipëri të mbështetura në të dhëna të rreme. Bashkë me Toskën u arrestuan edhe dy shefë sektorësh, Altin Hasani dhe Besnik Zela si dhe një specialiste, Adelina Lita.

“Drejtoria e Hetimit e SHÇBA-së, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, mbështetur në informacionet, por edhe në vlerësim të pamjeve të transmetuara në media, në lidhje me trafikimin klandestin të qënieve njerëzore, pas hetimeve të kryera për fenomene abuzive nga punonjës policie të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, Tiranë, kryesisht në zbatimin e procedurave për lëshimin e lejeve të qëndrimit ndaj shtetasve të huaj, nga Lindja e Mesme, që hyjnë në Shqipëri, kreu ndalimin e punonjësve të policisë,” deklaroi Drejtoria e Standardeve në një njoftim për shtyp.

Sipas skemës së publikuar nga Top Channel, ndërmjetës në Lindje të Mesme dhe në Shqipëri ndihmonin emigrantët të regjistronin kompani në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në bazë të së cilave, kërkohej lejeqëndrim në Shqipëri me statusin e investitorit. Emigrantët vijonin më tej udhëtimin e tyre për në vende të tjera Europiane. Kostoja e procedurës për emigrantët arrinte në 13 mijë euro.

“Ndalimi u krye pasi dyshohet se ata në bashkëpunim me shtetas të ndryshëm, që përfaqësojnë firma e kompani në fushën e turizmit, kanë keqpërdor atributet dhe kompetencat ligjore që u jep funksioni organik, duke shkelur detyrimet ligjore për pajisjen e shtetasve të huaj me leje qëndrimi,” thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Standardeve.

“Është e dokumentuar se kjo veprimtari e kundraligjshme është kryer për një kohë të gjatë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetas të tjerë kundrejt shpërblimeve financiare të konsiderueshme,” vijon më tej njoftimi.

Në rast se do të vërtetohet, ky mund të jetë një nga skandalet më të mëdha që godasin policinë e shtetit që nga viti 2018, kur kupola drejtuese e policisë së Vlorës u shpall në kërkim për trafik ndërkombëtar droge.

“Reporter.al”

Artikulli paraprakShkarkimi i 80 punonjësve tatimorë, Berisha publikon dëshminë e punonjëses: Jemi shkarkuar pa asnjë motivacion…
Artikulli tjetërJa kur do të luhen ndeshjet Juventus-Milan dhe Inter-Napoli