Ku janë serenatat e Ramës me Vuçiç

E ka konsideruar të vonuar reagimin e Ramës për arrestimin e ish-kryeministrit të Kosovës, kreu i Departamentit për Politikën e Jashtme në Partinë Demokratike, z. Kreshnik Çollaku. Madje, ai ka shkuar edhe më tej duke e konsideruar tejet konfuz këtë reagim si kofini pas të vjelit.
“Edhe pse populli thotë “më mirë vonë se kurrë”, vazhdon zoti Çollaku, ky është një ndër ato raste kur të reagosh vonë, siç bëri Rama është sikur të mos kesh reaguar kurrë”.
Tirada e gjatë me nota patriotike të sforcuara që Rama sapo shpërndau do të vlente të neglizhohej nëse hartuesi i saj të mos ishte kryeministri i vendit. Çështja Haradinaj është një çështje kombëtare, por për turp të qeverisë së Tiranës ishte PD në opozitë që reagoi e para dhe kryeministri priti 24 orë për të hapur gojën”, thotë shefi i Politikës së Jashtme në PD.
Më pas, ai vazhdon se është i njëjti kryeministër që ende nuk ka nxjerrë asnjë fjali të vetme për një ngjarje po aq të rëndë që mund të prekë stabilitetin kombëtar dhe atë rajonal si Muri ndarës në Mitrovicë. Për zotin Çollaku dhe PD është e vonuar tirada patriotike e kryeministrit sot për Haradinaj, kur po të njëjtit kryeministër i është kërkuar në mënyrë të përsëritur nga PD në opozitë, nga qeveria e Kosovës e nga opinioni publik të frenoje pasionin e dashurisë disproporcionale me Vuçiç. “E kemi paralajmëruar kryeministrin Rama se përqafimet e chatt-et e natës me Vuçiç si e ka pohuar me mburrje vetë dhe serenatat me raki serbe me Daçiç, nuk do të kishin fund të mirë. Kryeministri përbuzi kërkesat e qeverisë së Kosovës se shpallja e paqes me Serbinë nga Tirana duke injoruar Prishtinën do të dobësonte e dëmtonte Kosovën dhe interesat e saj në marrëdhënien e vështirë me Serbinë, thuhet në deklaratën e PD.
Në deklaratën e tij për shtyp zoti Çollaku nuk ka kritikuar vetëm vonesën e saj, por nëpër rreshtat e editorialit të Ramës gjithashtu ka vënë re edhe konfuzitetin dhe ndoshta kjo është e qartë nëse do t’i referoheshim se çfarë zoti Çollaku përmendi më lartë për dashurinë e madhe të Ramës e Vuçiç. “Sot, vazhdon kreu i Departamentit për Politikën e Jashtme, kryeministri i vonuar e konfuz i Shqipërisë nuk di ç’të bëjë, akuzon BE i këndon patriotizmit të çlirimtarëve dhe siç thotë ka shumë pyetje që nuk di t’u japë përgjigje. Eshtë e qartë se ai nuk di çtë bëjë e si ta ç’tjerrë lëmshin në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, autori i të cilit është ai vetë. Por edhe pse e pafalshme që në momente të tilla një kryeministër të mos ketë përgjigje, po e ndihmojmë, pasi rasti Haradinaj është më i madh se polemikat me një kryeministër”, deklaron zoti Çollaku.
Ndërkohë ai i kujton Ramës se nuk do të zgjasë edhe shumë flirtimi i tij me serbët në kurriz të shqiptarëve, pasi i kujton se ai, pra Rama ka çtë bëjë, mbase është gjëja e fundit që mund të bëjë. Për këtë zoti Çollaku i kujton Ramës se ndalimi i Haradinaj është bërë me fletë arresti të Serbisë dhe se e keqja nuk ka mbërritur ende, pasi është e qartë se e keqja do të jetë ekstradimi i Haradinaj në Serbi, sipas kërkesës së kryeministrit Vuçiç.
Në përfundim zoti Çollaku i bën thirrje Ramës që të lërë fjalitë boshe e të dalë nga rrobat e miqësisë me serbët e të paktën për një herë të vetme të bëjë diçka që do të minimizonte sadopak pasojat që do të sillte një ekstradim i mundshëm i ish-kryeministrit të Kosovës në Beograd.
“Kritikat për hiperburokratizmin e BE dhe Francës nuk ndihmojnë me situatën, thotë zoti Çollaku, ajo ka një zgjidhje. Serbia të tërheqë kërkesën për ekstradim dhe të bëjë nul fletarrestin. Për t’u realizuar kjo, mjafton vullneti politik i kryeministrit Vuçiç.
Një telefonatë e juaja me Vuçiç në këtë rast mund ta zgjidhte ngërçin. Telefononi mikun tuaj, Vuçiç zoti Rama, kërkojini të tërheqë kërkesën për ekstradim! Mbase kjo është mënyra e vetme që dashuria juaj me të t’u vlejë në një pikë shqiptarëve. Mbase kjo është pika kur përqafimet me Vuçiç e serentatat me Daçiç të kenë vlejtur. Ky është shansi i fundit që keni për të mos thelluar më tej kolapsin diplomatik ku keni zhytur çështjen shqiptare në Ballkan. Nëse këtë nuk e bëni ose dështoni duke e bërë, ju lutem na kurseni patetizmin patriotik nga Facebook-u”, përfundon deklaratën e tij kreu i Departamentit për Politikën e Jashtme në Partinë Demokratike, zoti Kreshnik Çollaku.

Artikulli paraprakTropoja e ngrirë nga acari, Rama në gjumë letargjik
Artikulli tjetërI pastrehu “ngrin” mes borës në rrugët e Korçës