Kryeministri spanjoll viziton Katalonian

Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy ishte sot në Katalonia, vizita e tij e parë që kur Madridi vendosi kontrollin e drejtpërdrejtë në rajon. Vizita e tij në Barcelonë vjen një ditë, pasi lëvizja e pavarur e Katalonias mbajti një protestë masive në qytet, duke kërkuar lirimin e udhëheqësve të burgosur dhe njohjen e Republikës së Katalonias.
Kryeministri Rajoy i bëri thirrje katalonasve që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme rajonale për të “risjellë normalitetin” pas dy muajsh paqëndrueshmëri politike.
“Ne duam që në zgjedhjet e 21 dhjetorit të ketë një pjesëmarrje masive në mënyrë që një fazë e re politike të vihet në lëvizje për të sjellë paqe, normalitet dhe bashkëjetesë, respekt për rregullat dhe gjithashtu për të sjellë rigjenerim ekonomik”, tha ai.
Një ditë para vizitës së tij, qindra mijëra njerëz mbushën rrugët në qendër të qytetit të Barcelonës për të kërkuar lirimin e udhëheqësve separatistë të burgosur dhe njohjen e Republikës së Katalonias.
Të afërmit e tetë anëtarëve të qeverisë rajonale të shpërbërë dhe të të dy aktivistëve të shquar që janë në burg, kryesuan marshimin, duke mbajtur banderola me portretet e tyre.
Të burgosurit pa të drejtën me lirim me kusht përfshijnë nënkryetarin katalonas Oriol Junqueras.
Në një mesazh me video të shfaqur të dielën, udhëheqësi i rrëzuar katalonas, Carles Puigdemont i tha pjesëmarrësve të tubimit pro-separatist të jenë “shumë aktiv”.
“Ne kemi nevojë që të jeni shumë aktivë. Duam ta ndiejmë zërin tuaj, si ne në Bruksel ashtu edhe ata në burg. Faleminderit shumë”, tha ai.
Shumë nga protestuesit bartën flamujt “estelada” pro pavarësisë, me yllin e tij të bardhë dhe trekëndëshin blu të vendosur mbi ngjyrat tradicionale katalonase kuq dhe verdhë.
Kryetarja e Parlamentit rajonal, Carmen Forcadell, nuk mori pjesë në marshim, pavarësisht lirimit të saj nga burgu të premten pas tërheqjes së qëndrimit të saj separatist para gjykatësve spanjollë. Ajo tha se votimi i pavarësisë ishte “simbolik”.
Policia e Barcelonës tha se 750,000 njerëz morën pjesë në tubim.
Qeveria qendrore e Spanjës imponoi sundim të drejtpërdrejtë në Katalonia menjëherë, pasi Parlamenti i saj rajonal votoi për pavarësi më 27 tetor. Qeveria spanjolle arrestoi dhjetëra politikanë pro-ndarjes, duke shkaktuar largimin e Carles Puigdemont-it në Belgjikë.

Artikulli paraprakEurostat: Shqiptarët transferuan drejt vendeve të BE 113 milionë euro në 2016
Artikulli tjetërJanë çmendur, 11 milionë euro koncesion për 5 shkolla