Konservatorët Europianë: Zgjedhjet me qeveri teknike

Drejtues të lartë të Aleancës Konservatore Europiane, parlamentarë britanikë, si dhe nga vende të tjera të BE iu bashkuan mbrëmjen e djeshme qëndresës opozitare në sheshin e lirisë. Ata ndodhen në Tiranë në kuadër të zhvillimit të Samitit të Lirisë, temë e lidhur me ndikimin e diktaturës në vendet që e kanë përjetuar atë. Në fjalën e tij, presidenti i Konservatorëve Europianë, Jan Zahradil shprehu mbështetjen e fuqishme ndaj kauzës së opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duke bërë një paralelizëm mes vendit të tij Çekisë dhe Shqipërisë si dy vende që kanë vuajtur regjimin diktatorial, Zahradil tha se e vetmja rrugë për të tejkaluar trashëgiminë komuniste janë zgjedhjet e lira. “Sot jemi këtu nga shumë vende të Europës, një delegacion europian, nga Anglia, Polonia, Estonia, edhe Islanda madje, mos të harroj edhe Armeninë. Unë vetë vij nga Republika Çeke dhe ka diçka të përbashkët, vendi im dhe vendi juaj, dhe çfarë është e përbashkëta, është e shkuara jonë e trishtë komuniste, të cilën ne po përpiqeni ta luftojmë. Si mund ta tejkalojmë ne këtë trashëgimi? Ka vetëm një rrugë, përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Ne e dimë sa e rëndësishme është, që qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin lirshëm, nëse ju pengojnë të zgjidhni lirshëm atëherë nuk ka aspak demokraci”, tha Presidenti i Konservatorëve Europianë. Ai deklaroi se populli shqiptar ka mbështetjen e Konservatorëve Europianë në këtë lëvizje. “Ndaj dhe jemi këtu, për t’iu mbështetur në luftën dhe në kërkesën tuaj që qeveria të dëgjojë për të organizuar zgjedhje të lira për të gjithë shqiptarët, në mënyrë që demokracia të triumfojë. Ne do t’iu mbështesim. Është lufta juaj, por ne jemi këtu t’iu mbështesim plotësisht, ju mund të mbështeteni tek ne. Ju keni këtu politikanë të besueshëm dhe me eksperiencë, të cilët janë demokratë të vërtetë. Mbështetini ata, votoni për ata dhe ju duhet të jeni të sigurtë se demokracia do të jetë më e fortë, më transparente, më njerëzore, më e vërtetë”, u shpreh Zahradil. Nga ana e tij, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vlerësoi mbështetjen e Konservatorëve Europianë, ndërsa theksoi se sot kauza e shtetit të lirë po gjen gjithnjë e më shumë mbështetje për krijimin e qeverisë teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Kam nderin e madh të falënderoj me mirënjohje të ftuarit tanë të veçantë, drejtuesit politikë të partive konservatore europiane që ndodhen sonte bashkë me ne dhe në mbështetjen tuaj dhe kauzës sonë të madhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ata vijnë nga vende djep të demokracisë si Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe vende që vuajtën bashkë me Shqipërinë shkatërrimin, diktaturën, terrorin komunist, por që ia kanë dalë të ngrihen e të qëndrojnë fuqishëm vetëm falë lirisë dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Si anëtare e Partisë Popullore Europiane, PD është jashtëzakonisht e nderuar dhe e privilegjuar që ashtu siç ka në krah të saj Partinë Republikane dhe zotin Fatmir Mediu të ketë sot në krah Aleancën e Konservatorëve dhe Reformistëve Europianë, partinë historike të lirisë, Partinë Konservatore të Britanisë dhe parti të tjera që kanë bërë historinë e lirisë europiane dhe Europës së lirë”, tha Basha.

Parlamentari britanik: Shqipëria, në një moment historik kthese

Anëtari i njohur Parlamentit britanik, Jeffrey Clifton Brown e cilësoi kauzën e opozitës dhe popullit shqiptar si një moment historik kthese për Shqipërinë, moment i cili do të kurorëzohet me garancinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Parlamentari britanik shprehu mbështetjen e fuqishme të Anglisë ndaj qëndresës opozitare, duke ftuar gjithë qytetarët të vijojnë qëndresën deri të fitoren e saj. “Unë vij nga Parlamenti anglez, një nga demokracitë më të vjetra në botë, nuk ndodhi aksidentalisht, ndodhi sepse të parët tanë luftuan për të. Sot ne jemi këtu të mbështesim Bashën dhe zotin Mediu. Ne kemi qëndruar gjithmonë, Anglia gjithmonë ka qëndruar në krah të individëve të forcave që luftojë për lirinë dhe sot qëndrojmë edhe për Shqipërinë. Unë e ndjej që ne sot jemi këtu në një moment historik kthese për Shqipërinë. Miqtë e mi vazhdoni luftoni dhe ju do të keni zgjedhje të lira dhe të ndershme. Liria juaj do të vijë dhe ju do të bëheni vend modern europian”, u shpreh parlamentari britanik.

Hannan: Me Bashën fitorja është e qytetarëve

Një nga njerëzit më të rëndësishëm në politikën europiane e britanike në Partinë Konservatore, një nga emrat më me autoritet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Daniel Hannan përshëndeti qëndresën e opozitës nga sheshi i lirisë, ndërsa kërkoi vijimin e qëndresës duke u bërë thirrje të rinjve të jenë pjesë aktive e kësaj lëvizjeje. Hannan shprehu bindjen se sot shqiptarët gjejnë shpresën për të ardhmen e tyre tek lidershipi i Bashës. “Miqtë e mi, burimi më i rëndësishëm i shqiptarëve është kurajoja e qytetarëve të saj, kurajo juaj. Baballarët tuaj luftuan për pavarësinë nga lindja apo edhe nga perëndimi. Ata luftuan të rrëzonin një nga diktaturat më të egra në Europë dhe sot i takon gjeneratës suaj për të hequr e larguar krimet e fundit të komunizmit. Nuk ka forcë në politikë më të fuqishme se sa ëndrra e lirisë. Ju keni tek zoti Mediu e Basha liderë integriteti dhe kurajoje. Unë nuk kam dyshim që ata do t’iu drejtojnë ju drejt një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm e monitoruar nga një trup i pavarur, nga një qeveri teknike. Dhe me këtë lidership të ndershëm miqtë e mi fitorja do të jetë e juaja!”, u shpreh Hannan.

Arben Shahini

Artikulli paraprakKhan Sheikhun, qyteti fantazmë
Artikulli tjetërNuk do të lejohet një qeveri jashtë ligjit