Nuk do të lejohet një qeveri jashtë ligjit

Lëvizja popullore ka kaluar dje 50 ditët e protestës së pandërprerë në atë që është pagëzuar si Sheshi i Lirisë. Vendosmëri dhe qëndresë. Basha dha dje mesazhet e shpresës së madhe që ka lindur nga kjo lëvizje popullore.
“Eshtë dita të përulem me respektin më të thellë historik ndaj 50 ditëve, 1200 orëve të kësaj qëndrese historike, që në fakt përfaqësojnë miliona orë të jetës së qindra-mijëra shqiptarëve në bashkimin më të madh popullor për liri dhe demokraci të vërtetë.
Nisi si domosdoshmëri, vazhdoi si sakrificë, dhe sot, siç e thanë të pranishmit në këtë agorë, përfaqësuesit e medias e në veçanti rinia shqiptare, është shpresa, ëndrra dhe e nesërmja e Shqipërisë së re. E një Shqipërie, e cila me të vërtetë u zhyt në dëshpërim, në varfëri, në mjerim, në depresion në këto katër vite të shartimit të pushtetit me krimin dhe krimit me pushtetin, por, përkundër ofshamave të prindërve, përkundër dëshpërimit të rinisë, nuk iu dorëzua këtij fati të keq, por duke marrë forcë nga geni më mbijetues i racave europiane dhe nga virtytet më të pastra të shqiptarit ndër shekuj, i dha zë shpresë dhe forcë një populli, i cili nuk dorëzohet, një populli, i cili nuk nëpërkëmbet nga e keqja, por çohet, ngrihet së bashku për ta mposhtur të keqen.
Kush e përjetoi dhe e përjeton këtë qëndresë ka krenarinë e jashtëzakonshme, siç e kam edhe unë sot që t’i them vetes bashkëqytetar i juaji, bashkëkombës i juaji, shqiptarë si shqiptarët e Sheshit të Lirisë, shqiptarë si shqiptarët e çadrës së lirisë, shqiptarë si shqiptarët e qëndresës së lirisë, shqiptarë dhe patriotë si anëtar i kësaj lëvizje të madhe, historike dhe transformuese.
Detyrat tona janë të qarta, ta ndalim tiraninë. Po, qeverisja jashtë Kushtetutës dhe jashtë ligjit, është tirani dhe tiranitë ndalen ose përmbysen», tha Basha.
“Kryetari i opozitës paralajmëroi se tirania do të përmbyset dhe se nuk do të lojehet një qeveri të funksionojë mbi ligjin.
Ky është mësimi i madh i demokracive të mëdha, është shkruar me gërma të praruara në zemrën e demokracisë, në Uashingtonin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, jo thjesht si një nderim për popullin amerikan dhe luftën e tij për pavarësi dhe liri e dinjitet njerëzor, por si një kujtesë për pushtetarët vendas dhe ata të huaj që vizitojnë Uashingtonin. Një kujtesë e praruar në germa, por e paguar me sakrificën e bijve dhe bijave të revolucionit amerikan. “Një qeveri jashtë ligjit është tirani dhe tirania përmbyset!”, tha Basha.

SHBA garante e lirive dhe të drejtave qytetare

Kryetari i opozitës ka komentuar sulmin amerikan ndaj një maskarade të një tirani në Siri si provën e parë se ndryshimi ka nisur në Shtetet e Bashkuara. «Ju thashë kur u ktheva nga Uashingtoni se gjërat po ndryshojnë dhe kanë ndryshuar. Dje e gjithë bota u bë dëshmitare e rindezjes së shpresës dhe konfirmimit të lidershipit moral të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që përvëluan me 59 raketa tomahok bazat e një tirani që nuk kurseu fëmijët e popullit të tij nga sulmet genocidale me gaz helmues.
Kishin pritur prej muajsh dhe vitesh, miqtë dhe aleatët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që fjalët të bëheshin vendime, që Shtetet e Bashkuara të qëndronin siç kanë qëndruar fort, për parimet bazë të lirisë së kombeve që fillojnë me liritë dhe të drejtat e njeriut, të cilat mund dhe garantohen vetëm nga demokracia dhe shteti ligjor, që mund, dhe bëhen realitet vetëm me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, që mund të ndodhin vetëm me votën e lirë, me vullnetin e lirë të qytetarëve.
Ky është kuptimi, ky është mesazhi, kjo është deviza e betejës tonë tash 50 ditë dhe i tillë do të mbetet qëndrimi, e tillë do të mbetet qëndresa dhe vendosmëria e kësaj lëvizje popullore deri në fitoren totale të kësaj beteje», tha Basha.

Asgjë nuk ndryshon pa votën e lirë

Asgjë nuk ka për të ndryshuar, asgjë nuk ka për t’u bërë më mirë, nëse nuk mposhtim krimin e lidhur me pushtetin dhe pushtetin e lidhur me krimin. Asgjë nuk ka për të ndryshuar në jetët e shqiptarëve, në përditshmërinë tuaj nga orët e para të mëngjesit deri në orët e fundit të mbrëmjes, nga ajo që kemi hequr dhe po hiqni tash 4 vjet të shkatërrimit të Shqipërisë nga rilindja e kriminalizuar dhe nga krimi i rilindur, nëse ne nuk e çojmë këtë betejë deri në fund me fitore pa pritur asnjë ditë, asnjë orë, por tani këtu në këtë shesh deri në fitoren e kësaj kauze.
Asnjë vend i ri pune nuk do të hapet, por qindra vende pune do të shkatërrohen ditë për ditë nga një ekonomi e asfiksuar ku nuk konkurohet më as me ide, as me inovacion, as me punën e ndershme dhe as me djersën e ballit, por ku gjithçka vjen peshqesh nga lidhjet e korruptuara të një grushti oligarkësh me një grusht pushtetarësh që i ndajnë miliardat e taksave të shqiptarëve për 5 apo 10 xhepa miliarderësh që jetojnë në luks total dhe totalisht të shkëputur nga realiteti dhe nga varfëria e mjerimi i shqiptarëve.
Asgjë nuk ka për të ndryshuar në spitalet shqiptare, që janë shndërruar në një purgator për pacientët tanë, për të afërmit tanë, për prindërit tanë, për fëmijët tanë. Dhe janë shndërruar në një ferr të vërtetë edhe për ne, familjarët e tyre teksa shohim se, ato që duhet të jenë stacionet e shërimit, janë në fakt paradhomat e përcjelljes për në botën tjetër, për shkak të korrupsionit që i ka shndërruar në kullesa nga ku vidhen dhe shpërdorohen miliardat e taksave të shqiptarëve që nuk kthehen as në pajisje të reja, as në përgatitje më të mirë për mjekët, as në mjekë dhe infermierë të përgatitur, as në ilaçe të rimbursueshme, por vetëm në koncesione korruptive që i kanë marrë gjithsej 3 klientë të qeverisë. Tre klientë me qindra milionë euro të shqiptarëve në xhepat e tyre që në rastin e shëndetësisë nuk është thjesht korrupsion, por është krim kundër njerëzimit, është genocid kundër shqiptarëve.
Asgjë nuk do të ndryshojë për rininë shqiptare, asgjë nuk do të ndryshojë për studentët shqiptarë, përkundrazi, ligji aktual i Arsimit të Lartë e ka të shkruajtur të zezë mbi të bardhë, se tarifat do të rriten nga viti në vit, ndërkohë që cilësia e mësimdhënies në auditore do të bjerë nga viti në vit, duke rënë kështu edhe mundësia për të pasur një brez të ri të mirëarsimuar e të gatshëm t’i përgjigjet nevojave të tregut të punës.
Asgjë nuk do të ndryshojë, por do të bëhet edhe më keq nëse ne nuk e ndalim marrëzinë e pushtetit të bërë njësh me krimin dhe krimit të bërë njësh me pushtetin.
Asgjë nuk do të ndryshojë për pensionistët shqiptarë që në këto katër vite, kanë parë se si fuqia e tyre blerëse ka rënë, se si mundësitë për të blerë prodhimet dhe shërbimet të domosdoshme për jetën e tyre, për mbijetesën e tyre janë më të pakta se katër vite më parë dhe, sesi duke shkelur edhe parashikimet ligjore, rritjet simbolike janë më të vogla se inflacioni që gërryen xhepat e tyre për të mos folur për faturat e kripura të energjisë, faturat e ujit, faturat e ilaçeve, taksat lokale dhe qendrore, dhe lloj-lloj faturash të tjera që e lanë pensionistin shqiptar me gisht në gojë.
Asgjë nuk do të ndryshojë për pensionistët shqiptarë po nuk e ndalëm këtu, po nuk e mposhtëm këtu tiraninë e bërë njësh me krimin dhe krimin e bërë njësh me tiraninë. Asgjë nuk do të ndryshojë për intelektualët e përbuzur, të tallur, të diskriminuar nga një kryeministër arrogant, delirant dhe injorant që fshihet pas fasadës sipërfaqësore të kopertinave që ka lexuar.
Asgjë nuk ka për të ndryshuar, gjithçka do të jetë si në këto katër vite madje edhe më keq, për qindra mijëra njerëz që më kot presin zhvillim ekonomik dhe vende të reja pune. Njerëzit do të përballen me një ekonomi që do të vazhdojë të lëngojë nën peshën e taksave të larta, nën mungesën e qartë të konkurrencës si motor i zhvillimit, në një ekonomi, që vetëm në letër është e tregut të lirë, sepse gjithçka kontrollohet si dikur nga komisioni qendror i planifikimit.
Tani nga byroja e pashpallur jopolitike, por mafioze, me në krye Edi Ramën dhe 40 hajdutët e tij në ministritë kryesore dhe institucionet e vendit, ky është dhe plani i republikës së vjetër, të ruajë me çdo kusht këtë status-quo. Sepse, me këtë gjendje, me këtë status-quo, ata janë zotër të vërtetë të parave të shqiptarëve, të pasurive të shqiptarëve, të mediave të shqiptarëve, të mendjeve të shqiptarëve, të fatit të shqiptarëve. Ata janë zotër të vërtetë dhe populli e qytetarët nuk janë asgjë, përveçse shërbëtorët e vërtetë, një tufë delesh që ushqehen me kashtë e me bar që u merret dhe pika e fundit e gjakut.

650 milionë vjedhje vetëm në 2016

Kryetari i opozitës ka bërë publike shifrat e vjedhjeve dhe shpërdorimeve të qeverisë vetëm për vitin 2016. Janë plot 650 milionë që sipas raporteve zyrtare të institucioneve u janë marrë shqiptarëve nga xhepat e tyre dhe kanë përfunduar në xhepat e klientelës së Ramës.
«Vetëm nga buxheti i shtetit, vetëm vitin e kaluar dhe vetëm sipas raportimeve zyrtare të institucioneve të shtetit, vodhën 650 milionë euro. Me paratë e mafias dhe të drogës, sot e zhytën Shqipërinë si vendin e fundit në Evropë, apo më mirë të themi të parin, për pastrimin e parave, ndaj dhe droga jo vetëm nuk do të zhduket, por do të mbulojë çdo cep të Shqipërisë, sepse paratë e drogës dhe droga janë plani, kompromisi, projekti i Ramës dhe krimit për të qenë në pushtet, për të mbajtur pushtetin, për t’u pasuruar dhe për të ruajtur pasuritë kriminale, përmes pushtetit të korruptuar. Në funksion të saj dhe vetëm në funksion të pushtetit dhe parave, paguhen me paratë e drogës shqiptare, lobistë evropianë dhe amerikanë, fundërrina morale, të cilët bëjnë duanë e krimit të organizuar shqiptar dhe qeverisë më të korruptuar të Evropës, vetëm e vetëm që të vjelin milionat e dollarëve dhe eurove që merren nga xhepat e qytetarëve më të varfër të Evropës», tha Basha.
Kryetari i PD  ka kritikuar pronarët e mediave që kanë humbur betejën për informim publik dhe janë kthyer në vasalë të qeverisë. Basha ka sqaruar se roli i botuesve të tillë si ai i Henri Çilit është i tillë, sepse lidhet me fijet e interesave të qeverisë. Ai akuzoi se paratë e drogës dhe abuzimeve të pushtetit po përdoren për të blerë zgjedhjet.
«Milionat e drogës, milionat e koncesioneve, milionat e tenderave janë futur në lojë për t’i mbyllur gojën edhe medias shqiptare. Jo gazetarët as analistët e ndershëm aq më pak punonjësit e ndershëm të medias, por një grusht pronarësh, të cilët e kanë lidhur fatin e tyre jo me të vërtetën, por me paratë e tenderave korruptive, të lejeve të ndërtimit dhe që kanë të njëjtin interes si Rama të mbajnë këtë gjendje në këmbë, të ruajnë këtë status-quo. Prandaj, Henri Çili me shokë, thonë që po iku qeveria teknike, iku Rama, ikim dhe ne, sepse nuk duan dhe nuk luftojnë për interesin publik, por duan dhe luftojnë vetëm për interesat dhe xhepat e një grushti njerëzish që e kanë lidhur fatin e tyre me fatin e Edi Ramës dhe përmes Edi Ramës, me fatin e krimit dhe korrupsionit», tha Basha.
Për Bashën është e qartë se humbja e kësaj klientele të ngushtë është një fitore për të gjithë shoqërinë. «Humbasin shumë, shumë humbasin dhe e thonë dhe me gojën e tyre. Kush humbet, kush humbet me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me të cilat populli do të gjykojë me votë të lirë qeverinë e mjerimit, shkatërrimit, mashtrimit, drogës dhe krimit? Humbasin oligarkët, humbasin kriminelët, humbet çeta e korrupsionit, por fiton një Shqipëri e tërë, fitojnë shqiptarët e ndershëm, të djathtë e të majtë, të gjithë së bashku”, tha Basha.

Nuk do të ketë reformë në drejtësi alla-Shullaz

Basha deklaroi prerë se drejtësi të kapur nga krimi dhe bandat, drejtësi alla-Shullaz ku kontrollin e merr Rama nuk do të ketë dhe se PD do t’i qëndrojë besinike atij kompromisi të arritur më 21 korrik. Basha hodhi poshtë çdo mundësi për të pranuar një reformë të njëanshme të drejtësisë.
“Fabula e fundit është se, ne duam të pengojmë PS të marrë pjesë në zgjedhje dhe t’i fitojë ato. Fabula e fundit është se, Edi Rama po e bën gjithë këtë qëndresë jo për të ruajtur karrigen dhe privilegjet e pushtetit, që t’i përdorë për t’i prishur e kapur zgjedhjet e shqiptarëve, po sepse ai do të bëjë drejtësinë, ai do të bëjë shtetin. Ka ngritur bashkë me një tufë të korruptuarish ndërkombëtarë mitin se, Edi Rama donte drejtësinë dhe ne nuk e duam dhe për një kohë të gjatë. Se ne, këtu, hapim shpirtin apo jo.
Për një kohë të gjatë edhe na kanë kompleksuar duke thënë, jo ne nuk duam reformën. Por nuk është e vërtetë që nuk duam reformën.
Por kam kuptuar falë jush dhe kemi kuptuar sesa e kotë është të jesh civil dhe sa e dëmshme është të jesh defensiv përballë të keqes. Që ne duam Reformën në Drejtësi, këtë e kemi provuar me votën tonë të 22 korrikut dhe nuk ka nevojë, as ta themi e as ta mbrojmë më, por sot, është dita t’i them Edi Ramës dhe kujtdo që e mbështet në këtë komplot kundër lirive të shqiptarëve me çfarëdo pasaporte që të ketë se; kurrë, kurrë Edi Rama nuk do ta ketë në dorë drejtësinë shqiptare, se PD nuk do të jetë kurrë alibia që Edi Rama dhe kriminelët të shtijnë në dorë drejtësinë shqiptare. Reformë në Drejtësi alla-Shullaz, nuk ka për të pasur kurrë.
Ne dhe qeveria e dalë me votë të lirë e ndershme do ta zbatojmë Reformën në Drejtësi jo sipas përcaktimeve Rama-Tahiri-Shullazi, para të cilave mbyllën sytë ata që nuk kanë interes Reformën në Drejtësi, por karrigen e Edi Ramës, për arsyet që i dinë vetë dhe turp të kenë, por ne, do të zbatojmë Reformën në Drejtësi që votuam sipas formulës së rakorduar, SHBA-BE. Vetëm dhe vetëm, pasi 6 ligjet të kenë vulën e konsensusit opozitar sipas marrëveshjes politike të 21 korrikut. Kush nuk ka kohë për t’i dëgjuar këto detaje bën mirë të hapë veshët se nuk janë detaje. Kush i dëgjon dhe i kupton ta dijë se shteg tjetër për reformën në drejtësi nuk ka dhe nuk mund të ketë. Drejtësi në duart e Edi Ramës, drejtësi në duart e kriminelëve, me të cilët mbushi Parlamentin dhe bashkitë, drejtësi në duart e kartelit të drogës, nuk dorëzojmë kurrë. Që të kemi drejtësi të vërtetë duhet të kemi demokraci të vërtetë. Zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj, që të kemi një përfundim të suksesshëm të Reformës në Drejtësi që do t’i hapë rrugën gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk mbrojnë, por luftojnë krimin dhe korrupsionin, duhet së pari, të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha.

Gazetarë dhe intelektualë në çadrën e lirisë

Lulzim Basha bashkëbisedoi me njerëz të mediave dhe studentë për fjalën e lirë dhe situatën ku sot ndodhen mediat dhe formën që do të ketë Republika e Re. Gazetarë të medias së shkruar dhe vizive, me eksperiencë por edhe të rinj përballen me presionin për të përçuar tek shikuesi, lajmin e përzgjedhur dhe përgatitur paraprakisht nga zyrat e propagandës qeveritare. Klara Bici, Elton Metaj, Mina Hysa, Altin Mema, Gazim Alliu, Artan Cena dhe Bled Kasmi folën për vështirësitë në vendin e punës për të mos bërë kompromis me të vërtetën. Bici tha se kryeministri sot sulmon ato media, të cilat edhe përmes presionit, e ndihmuan në ngritjen e figurës së tij fiktive. Hysa tha se gazetarët janë nën presion, ndërsa pronarët janë blerë dhe se nuk mund të ketë liri në media kur nuk ka votë të lirë. Gazetari nga Lezha, Altin Mema tha se kryeministri po zhduk gazetarët dhe kameramanët të cilët nuk i lejon të xhirojnë në aktivitetet e tij, sepse i bën vetë dhe ia dërgon lajmin redaksive të gazetave dhe televizioneve të parapërgatitur. Mema tha se në këtë mënyrë kryeministri jo vetëm kontrollon lajmin, por i heq edhe ditën e punës gazetarit dhe kameramanit profesionist. Gazetari Artan Cena tha se “sheshi i lirisë” i ka dhënë mundësinë njerëzve të thonë hallet e tyre, të cilat duhen zgjidhur dhe kjo është Republika e Re për qytetarët. Poeti dhe autori Agim Doçi tha se iu bashkua qytetarëve në atë të cilën e quajti “çadra e gjithë Shqiptarisë”. “Kam ardhur për misionin e madh sepse ende disa shqiptarë se kanë kuptuar se në opozitë është çështja kombëtare.” Doçi shprehu keqardhjen për situatën ku vendi, e sidomos rinia shqiptare ndodhet sot, përmes vargjeve. Gjatë diskutimit, studentët e pranishëm folën për mungesën e vizionit në një vend ku jo vetëm të rinjtë por edhe mosha e mesme sot kërkon të largohet përtej kufijve. Alit Brati, Erjada Halili, Edona Staka folën për nevojën që rinia të qëndrojë dhe investojë në vendin e saj. Staka, studente nga Shkodra tha se kjo qeveri nuk i dha shqitparëve asnjë arsye ëpr të qëndruar në vendin e tyre. 60% e të rinjve duan të largohen, gjashtë nga dhjetë fëmijë largohen për të gjetur shkollim dhe punë përtej kufijve. Shtetit i ikën katalizatori i tij. “Do kisha dash tju them mos ikni dhe me ju dhënë 1 milionë arsye mos me ik, por une nuk i kam as 100, kam vetëm 5 të mijat modeste pse kam zgjedh unë mos me ik. Nuk dua të iki sepse kam lindur ne vitin 1991, ndaj jam konceptuar të jem e lirë. Nuk e kam ndërmënd të lë bishën komuniste të më kalojë para syve. S’kam ndërmënd të lë prindrit e mi të jetojnë komunizmin për herë të dytë në 2017. Kam një za dhe mendim dhe kam bindjen se i duhem vendit tim. Mos ikni por guxoni dhe të guxosh dmth të mos të kesh frikë të sfidosh sistemin.”

Anulim i kontratatve korruptive të qeverisë

Tani, për tezën tjetër që do bëjë shtet. Shtetin, Edi Rama e ka bërë. Ky është shteti i Edi Ramës dhe siç e thamë dhe siç e dini fare mirë, asgjë nuk ka për të ndryshuar për këtë shtet, nëse ne e lejojmë tiraninë e krimit të vazhdojë të diktojë jetët e shqiptarëve. Ky është shteti i Edi Ramës. Kriminelë në Parlament, kriminelë në krye të bashkive, eskobarë në krye të policisë, doganave, tatimeve. Këta kriminelë jo socialistë, por kriminelë, vendosin se kush merret në punë dhe kush hiqet nga puna. Këta kriminelë, vendosin se kush i fiton tenderat qendrore dhe lokale. Këta kriminelë, vendosin planet urbanistike ku do prishen lulishtet, ku do ndërtohen pallatet dhe kush do t’i ndërtojë. Këta kriminelë, e shndërruan Shqipërinë në hambarin më të madh të drogës. Por, e bënë këtë vetëm e vetëm, sepse kishin mbështetjen, bekimin dhe mbrojtjen politike të kryetarit të tyre të krimit në pushtet, që është Edi Rama.
Ky shtet, jo vetëm që nuk do të qendrojë në këmbë, por nuk do t’i mbijetojë as orës së parë të Republikës së Re që po vjen me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sepse, detyra e parë e Republikës së Re, është të shembë me themel, të shkallojë deri në gurin e fundit, shtetin kriminal, komplotin kundër shqiptarëve, republikën e vjetër të Edi Ramës dhe kriminelëve në pushtet. Këtë, e di fare mire, ndaj ka frikë të japë dorëheqjen. Ka frikë të vijë në sheshin e garës dhe betejës elektorale, si palë e barabartë, sepse Edi Rama, pa krimin, pa drogën, pa paratë e krimit dhe drogës dhe koncensioneve dhe tenderave korruptivë, është jo i humbur, por i shkatërruar para gjykimit popullor me votë. Por askush nuk duhet të ketë frikë nga kjo. Opozitarët jo e jo. Bashkimi i madh popullor që ka brenda vetes edhe skeptikët e djeshëm ndaj synimeve dhe objektivave tona, po kështu, nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë keqardhje. Por edhe socialistët e ndershëm duhet ta dinë se skanë të ardhme me republikën e vjetër të krimit dhe korrupsionit, ata janë këtu me republikën e re të bashkimit popullor e do të jenë bashkë me shqiptarët në një stacion të ri të shpresës dhe mundësive për Shqipërinë dhe për Partinë Socialiste. Se Republika e Re, nuk është dhe nuk do të jetë republika e përjashtimit, por republika e gjithpërfshirjes, të gjithë shqiptarëve pa dallim bindjesh politike. Themeli i Republikës së Re është barazia para ligjit. Themeli i Republikës së Re është konkurenca e lirë. Themeli i Republikës së Re janë mundësitë e barabarta për këdo dhe mundësia e madhe për të gjithë ne që në varësi të aftësive dhe talenteve t’i kthejmë këto në mirëqenie për jetën e familjarëve.
Republika e Re është shansi, mundësia dhe garancia që jo vetëm pushteti politik, por edhe pushteti ekonomik t’i takojë sovranit, pra qytetarëve. Ndaj vendimet e para të Republikës së Re, do të jenë çmontimi me themel i aleancës së krimit dhe politikës, por duke nxjerrë nga institucionet të gjithë personat me rekorde kriminale, të cilët kurrë nuk erdhën për hallet e popullit, por vetëm për hallet e tyre. Vendimet e para do të jenë anulimi i dhjetëra dhe qindra kontrata korruptive që u kushtojë xhepave të shqiptarëve mbi 200 milionë euro vit për vit. Këto para do tua shkulim nga xhepat e korrupsionit dhe kontot bankare kudo që t’i kenë, dhe që prej ditës së parë, do t’i destinojmë për problemet, hallet dhe shpresat e shqiptarëve. Republika e Re, kësisoj, do të mund të mbajë premtimin tonë se në krye të katër vjetëve, pensioni minimal në Shqipëri nuk do të jetë më pak se 250 mijë lekë të vjetra në muaj. Se pensionet në tërësi do të njohin një rritje prej 40%. Se rinia shqiptare që po mbaron universitetin do të ketë të paguar nga Republika e Re, me paratë e taksapaguesve shqiptarë 10 mijë stazhe në vit me pagesë minimale prej 200 mijë lekësh për t’i mundësuar çdo të riu e të reje një urë material-financiare, një urë profesionele për të kaluar nga bankat e universitetit në tregun e punës, siç e bëjnë vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian.

Ulje drastike taksash, taksa e sheshtë 9%

Basha ka paraqitur dje edhe nivelin e uljes drastike të taksave me ardhjen në fuqi të Republikës së Re. “Taksa e sheshtë 9%. Për bizneset e vogla, 1.5% e xhiros, dhe pulla ndalim-kalimi për hajdutët e zullumqarët e taksave dhe tatimeve. Ulje e kontributeve shoqërore në nivelin 9% do të formalizojnë ekonominë, do të sjellë mijëra operatorë ekonomikë në dritën e formalitetit, duke rritur të ardhurat dhe mundësitë e shtetit për t’iu përgjigjur atyre dhe shtresave të tjera si pensionistëve, rinisë, të papunëve, njerëzve në ndihmë speciale për shkak të aftësive të kufizuara dhe çështjeve të tjera. Por, premtimi më i madh i Republikës së Re, është që prej ditës së saj të parë e në përjetësi, kurrë më qytetarët nuk do të ulin kokën para pushtetarëve, por pushtetarët, do të ulin kokën para sovranit, para qytetarëve, pa arrogancë, por me besnikëri ndaj ligjit dhe interesit publik do të kryejnë detyrën e tyre brenda Kushtetutës dhe ligjit. Asgjë nuk do të ndryshojë, nëse kjo betejë nuk përfundon me fitore. Por ju e dini dhe unë e di, shqiptarët e dinë dhe Edi Rama e di fare mirë se, fitorja e kësaj kauze është çështje ditësh, se republika e vjetër po vdes dhe e reja po lind. Njëmijë e 200 orë qëndresë. Miliona orë të qindra e mijëra protestuesve, është investimi më sublim, detyrimi më i madh për ata që me votë të lirë do të marrin peshën e rëndë të ndryshimit të madh përmes Republikës së Re. Sa për mua, i qendroj asaj që u kam thënë. Këtë ditë që po vjen, unë e kam parë dhe e kam jetuar dhe e kam gëzuar në Europë. Dhe e di, që po vjen dhe këtu që ta gëzojnë shqiptarët si europianë të vërtetë. Ju jap fjalën me mirënjohjen më të thellë për sakrificën tuaj, se asgjë nuk do të jetë më si më parë. Ndryshimi po vjen. Fitorja do të jetë e juaja, qytetarë të vendit tim”, tha Basha.

Artikulli paraprakKonservatorët Europianë: Zgjedhjet me qeveri teknike
Artikulli tjetërMediu: Qëndresë deri në fitoren e kauzës