Khan Sheikhun, qyteti fantazmë

Khan Sheikhun është një qytet fantazmë, rrugët janë të shkretuara dhe të heshtura sikur të ishin duke mbajtur zi për viktimat dhe mizoritë që ndodhën vetëm pak ditë më parë. I vetmi kujtim nga ajo që ndodhi është një krater i zi në pjesën veriore të qytetit ku u lëshua raketa e mbushur me agjentin nervor që vrau mbi 70 persona në një nga sulmet kimike me më shumë të vdekur dhe të plagosur gjatë gjashtë viteve të fundit në Siri. E vetmja gjë që ka mbetur nga provinca Islib nën kontrollin e rebelëve është era kundërmuese që të shpon hundët dhe copa të vogla ngjyrë jeshile të raketës. Shtëpitë përreth janë zbrazur dhe të pabanueshme.
Simptomat e viktimave janë ato të gazit sarin, agjentit nervor që u lëshua kundër zonës nën kontrollin e opozitës afër Damaskusit në vitin 2013, ku mbetën të vrarë mbi 1 mijë persona. Pas sulmit, qeveria pretendoi se e kishte dorëzuar arsenalin e armëve kimike. Moska, mbështetësja kryesore e Bashar al-Assadit në luftë, tha se qeveria siriane kishte goditur centralin ku prodhohet gaz helmues nga rebelët në Khan Sheikhun dhe kishte pasur rrjedhje gazi si pasojë e goditjes.
“The Guardian” ishte media e parë perëndimore që vizitoi vendin e sulmit dhe ekzaminuan depon dhe kapanonet ku ishte lëshuar raketa dhe nuk gjeti asgjë, përveç një hapësire të braktisur të mbuluar me pluhur dhe kapanonë gjysmë të shkatërruar të mbushura me grurë të kalbur dhe mbetje kafshësh.
Rezidentët thanë se kapanonet ishin dëmtuar nga sulmet ajrore gjashtë muaj më parë dhe që atëherë nuk janë përdorur më. “Mund t’i shihni vetë. Këtu nuk ka asgjë përveç grurit të kalbur dhe mbetjeve të kafshëve të ngordhura, pasi edhe ato janë mbytur nga sulmi kimik”, tha një person në vendngjarje. Rezidentët janë përgjigjur me mosbesim për pretendimet e Rusisë.
Nuk ka asnjë provë të ndonjë ndërtese të goditur gjatë ditëve të fundit ose javëve të fundit dhe njerëzit e vrarë e të plagosur janë pasojë e sulmit kimik. Shtëpitë e zonës ishin të padëmtuara nga jashtë. Nuk kishte asnjë zonë të kontaminuar afër ndërtesës, sepse kontaminimi buronte nga një vrimë e hapur në rrugë.
“The Guardian” intervistoi dëshmitarë, ndihmësit e parë, të afërmit e viktimave dhe të plagosurit në përpjekje për të rindërtuar ngjarjen dhe sulmin. Ata ofruan detaje të qarta që hedhin dritë mbi një incident që ka shtyrë të gjithë botën të dënojë ashpër brutalitetin e luftës në Siri. “M’u duk sikur erdhi Dita e Gjykimit”, thotë Hamid Khutainy, një vullnetar i mbrojtjes civile në Khan Sheikhun.
Dëshmitarët thanë se sulmet ajrore nisën pas orës 6:30 të mëngjesit ditën e martë, me katër bombardime në qytet. Në fillim ata menduan se ishte një tjetër sulm i tmerrshëm ajror, derisa panë që ndihmësit e parë në terren filluan të rrëzoheshin në tokë. Khutainy tha: “Ata na bënë thirrje se po humbisnin kontrollin. Nuk ia kishim idenë se çfarë po përpiqeshin të thoshin derisa dëgjuam thirrjet: Ejani na merrni, nuk ecim dot më! Kështu, ekipi i dytë dhe i tretë u drejtua në vendngjarje me maska të thjeshta fytyre. Era kundërmuese ndihej 500 metra larg”.
Njerëzit përshkruajtën me lot në sy skenar horror në vendin e sulmit. Të plagosurit dridheshin nga konvulsionet në tokë, u dilte shkumë nga goja, buzët ishin mavijosur dhe humbnin ndjenjat herë pas here. “Gjeta fëmijë të shtrirë në tokë teksa lëshonin frymën e fundit me buzët e mavijosura”, thotë Abu al-Baraa, i cili jeton afër zonës së sulmit dhe vrapoi menjëherë për të ndihmuar kur arriti të kuptonte se çfarë kishte ndodhur vërtet.
Teksa qëndronte në anën tjetër të rrugës me kraterin e raketës në mes ai shtoi: “Kishte njerëz në çati dhe bodrume. Njerëz të shtrirë nëpër rrugë. Kudo që hidhje sytë kishte njerëz të vdekur”. Pacientët e mbytur dhe ata që kishin vdekur u dërguan menjëherë në qendrën më të afërt të mbrojtjes civile dhe klinikën e ndërtuar buzë një shpati mali për t’i rezistuar sulmeve të shumta ajrore. Të vdekurit u shtrinë në një kapanon aty afër teksa punonjësit e emergjencës shpëlanin të plagosurit me ujë të rrjedhshëm dhe u jepnin atropinë, një ilaç që kuron agjentin nervor.
Por teksa punonjësit mjekësorë përpiqeshin të mbanin në kontroll krizën, tetë ose 10 sulme të tjera u drejtuan drejt klinikës mjekësore dhe qendrës së mbrojtjes civile. Kapanoni u shkatërrua duke rënë mbi të vdekurit dhe qendra u nxor jashtë shërbimi. “Ndoshta pilotët kishin dëgjuar mitin se mund të rikthehesh në jetë 48 orë pasi ke vdekur nga gazi sarin, kështu vendosën të sulmonin edhe një herë”, tha një zyrtar i grupit rebel Ahrar al-Sham, i cili ishte në vendngjarje. “Falënderoj Zotin që do të vijë Dita e Gjykimit edhe për ata”.
Banorët e zonës thanë se kishin parë avionët zbulues në ajër dhe kishin dyshuar se zona do të goditej përsëri atë ditë. Vendi u mbush me rrënoja. Brenda qendrës, mjetet spitalore, krevatet, instrumentet kirurgjikale dhe kutitë e ilaçeve janë mbuluar me pluhur ose janë thyer në tokë. Nuk kishte armë asgjëkundi dhe dhomat ishin në errësirë pasi ishte shkëputur energjia elektrike.
Në një varrezë aty afër, varret ishin ende të rinj nga funeralet e një dite më parë, dheu ishte ende i freskët. Në një cep ishin ngritur 18 varre me emrat e shkarravitur mbi gur. Brenda ndodheshin trupat e 20 njerëzve të vdekur, përfshirë edhe dy fëmijë të vegjël që ishin varrosur bashkë me nënat e tyre. Të gjithë ishin pjesëtarë të së njëjtës familje.
Abdulhamid al-Yousef, një nga të mbijetuarit e paktë të kësaj familjeje fatkeqe priste ngushëllimet në shtëpinë e tij në Sheikhun, një ditë pasi kishte varrosur gruan dhe binjakët e tij 9-muajsh, Ahmed dhe Aya, duke mbajtur me zor lotët. Yousef kishte vrapuar menjëherë për të ndihmuar viktimat e tjera të sulmit, por kur u kthye zbuloi se familja e tij kishte vdekur, bashkë me motrat, nipërit dhe mbesat.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakTrump rikthen autoritetin amerikan
Artikulli tjetërKonservatorët Europianë: Zgjedhjet me qeveri teknike