Koncesionet i “qepen” Alpeve – Pas Valbonës i vjen radha edhe Shalës, nis gara

Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka shpallur një tjetër koncesion që do të jetë i lokalizuar në veri të Shqipërisë në zonën e Alpeve.
Në një njoftim të saj të fundit në Agjencinë e Prokurimit Publik bëri me dije se operatorët e interesuar mund të paraqesin ofertat e tyre për atë që njihet si hidrocentrali i Shalës.
“Interesi për shfrytëzimin hidroenergjetik është për ujërat e lumit të Shalës, midis kuotave 486 metra mbi nivelin e detit deri në 176.00 metra mbi nivelin e detit, i cili është edhe kuota maksimale e rezervuarit të Komanit, duke respektuar kushtet teknike të projektimit dhe moscenimit të objekteve që parashikohen të ndërtohen në këtë pellg ujëmbledhës”, thuhet në dokumentet e ministrisë.
Por përtej argumentit të dhënies së këtyre koncesioneve dy janë problemet që shfaqen në rastin e hidrocentralit në fjalë.
Së pari, lumi i Shalës mbi të cilin është planifikuar të ndërtohet hidrocentrali është një nga degët e lumit Drin që furnizon kaskadën e Drinit, që është zemra energjetike e vendit.
Së dyti, lumi i Shalës po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje nga turistët që zgjedhin të vizitojnë në paketë liqenin e Komanit e një sërë atraksionesh të tjera të pozicionuara në këtë rajon.
Ndërtimi i një hidrocentrali mbi këtë lumë padyshim që nuk pritet të shtojë numrin e turistëve sepse këta të fundit mund t’i gjejnë edhe më afër falë politikës zemërgjerë të koncesioneve që kanë pasur ndër vite qeveritë.

Artikulli paraprakKontratat koncesionare, ekspertët: Duhet transparencë dhe garanci për financat publike
Artikulli tjetërNdëshkoni me votë mjerimin nga taksat, korrupsioni e kanabisi