Kontratat koncesionare, ekspertët: Duhet transparencë dhe garanci për financat publike

Dhënia e koncesioneve duke angazhuar burimet financiare buxhetore në afat të gjatë për shlyerjen e tyre cenon financat publike. Sipas ekspertit të ekonomisë Selami Xhepa, filozofia e përdorur kohët e fundit është komprometuese. Xhepa theksoi në një intervistë televizive se buxheti duhet të alokojë fondet e nevojshme për koncesionet dhe këto fonde duhet të jenë të dukshme. Eksperti i ekonomisë nënvizoi rrezikun e korrupsionit, sipas të cilit shmanget vetëm nëse procedurat e prokurimit publik janë të hapura dhe transparente për të gjithë palët që janë në garë. Institucionet financiare ndërkombëtare kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin e rrezikut të financave publike nga koncesionet, të cilat nuk mirëmenaxhohen. Vetëm në shëndetësi shërbimet e dhëna me koncesion kapin vlerën e 400 milionë eurove. Koncesionet e dhëna vitet e fundit nga qeveria, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar janë një rrezik i madh fiskal. Në raportin më të fundit të Transparencës Fiskale, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur shqetësimin e mungesës së një regjistri për partneritetet publik privat për të vlerësuar ndikimin që ato kanë në buxhet. Teksa vala e koncesioneve ka përfshirë të gjithë sektorët, duke u shtrirë edhe në menaxhimin e infrastrukturës edhe shërbimeve në shëndetësi, qeveria ende nuk i ka të qarta detyrimet që do të paguajë ndaj tyre. Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka vlerësuar koncesionet si një nga rreziqet më të mëdha fiskale, duke pohuar se në tashmë 55 partneritetet publike dhe private tashmë zënë 7 për qind të PBB dhe të tjera janë përfshirë në proces. Ligji i koncesioneve kërkon Ministrinë e Financave për të mbajtur një regjistër të partneritetit publik privat për të vlerësuar ndikimin i tyre buxhetor para se ata të jenë nënshkruar, por qeveria nuk e ka publikuar regjistrin dhe nuk ka dijeni mbi parashikimet e pagesave që do të bëjë gjatë zbatimit të kontratave, referon Fondi Monetar Ndërkombëtar në një raport të posaçëm për transparencën fiskale.

Artikulli paraprakRregullat e bakshishit në Europë
Artikulli tjetërKoncesionet i “qepen” Alpeve – Pas Valbonës i vjen radha edhe Shalës, nis gara