Sota blen tek Rezervat e Shtetit 264 makina me 139 euro copën

 

Në thesin e “tenderave të familjes” për klientët pranë Ramës dhe njerëzve të tij, padyshim s’mund të bëjë përjashtim as Orest Sota. Njeriu që jo më larg se dje u la në burg nga Krimet e Rënda për dyshime të forta mbi lidhje me trafikun e drogës dhe lidhjet e ngushta me Saimir Tahirin në këtë trafik. Por pavarësisht se prej disa javësh është në burg, biznesi i tij mesa duket vijon shëndetshëm. Kompania e familjes Sota, IKONA Sh.P.K. ka fituar në datën 11 dhjetor 2017, një tender shtetëror për blerjen e 264 mjeteve motorike për skrap. Mjetet janë blerë nga Rezervat e Shtetit pas vlerësimit nga ana e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, e cila i kategorizoi ato si jashtë gjendje për punë. Gazeta “Telegraf” publikoi dje shkrimin, ku përveç hollësive, akuzon drejtorin e Rezervave të Shtetit, Irfan Dashi, për abuzim me vendimin. Në njoftimin e tenderit të botuar në Buletinin e Njoftimeve Publike, thuhet se mjetet kanë qenë jashtë funksionit dhe janë shitur për hekur. Orest Sota është një nga personat nën hetim për Dosjen Tahiri, pasi u kap në makinë me 863 mijë euro dhe dy patenta për mjete lundrimi të ish-ministrit të Brendshëm. Sipas njoftimit thuhet se: Në ankandin me NR.REF.52A/2017, njoftimi i publikimit të së cilit është botuar në Buletinin e Njoftimeve Publike nr. 44 datë 06.11.2017, faqe 329-330 të APP-së, me objekt: “Shitje 134 mijë e 303 kg skrapi i përftuar nga 264 mjete motorike jashtë funksioni dhe kategorizuar për skrap nga komisioni i kategorizimit” të APP-së me vlerë fillestare 4.088.183 (katër milionë tetëdhjetë e tetë mijë e njëqind e tetëdhjetë e tre lekë) lekë me TVSH, morën pjesë Ofertuesit:
a) CEKREZI METAL SH.P.K. me ofertë në 4.110.000 (katër milionë e njëqind e dhjetë mijë) lekë me TVSH, për objektin e shitjes së këtij ankandi.
b) Shijaku SH.P.K. me ofertë në vlerën 4.088.183 (katër milionë e tetëdhjetë e tetë mijë e njëqind e tetëdhjetë e tre) lekë me TVSH
c) Ikona SH.P.K. 4.905.820 (katër milionë e nëntëqind e pesë mijë e tetëqind e njëzet) lekë me TVSH,
Pas zhvillimit të procedurës së ankandit të sipërcituar ofertuesit, rezultuan të suksesshëm
1. Shijaku SH.P.K. me ofertë në vlerën 4.088.183 (katër milionë e tetëdhjetë e tetë mijë e njëqind e tetëdhjetë e tre) lekë me TVSH
2. Ikona SH.P.K. 4.905.820 (katër milionë e nëntëqind e pesë mijë e tetëqind e njëzet) lekë me TVSH,
3. Nuk u kualifikua, oferta e Subjektit “CEKREZI METAL” SH.P.K., pasi dokumentacioni pjesë përbërës i ofertës (zarfit të dorëzuar) së paraqitur nga kandidati/ofertues “Cekrezi Metal” Shpk., nuk plotësoi mjaftueshëm të gjitha kërkesat e përcaktuara nga Autoriteti Shitës në DSA dhe paraqitet me të meta si më poshtë: “Deklaratë për gjendjen financiare nga një ose më shumë banka që kandidati/ofertues zotëron në bankë një shumë të barabartë me vlerën fillestare të lotit që konkurron, lëshuar jo më parë se 5 ditë nga data e hapjes së ofertave”.
4. Sa më sipër, klasifikimi përfundimtar, për këtë procedurë ankandi rezulton si më poshtë:
– Në vendin e parë, u kualifikua ofertuesi “Ikona” SH.P.K., me vlerë 4.905.820 (katër milionë e nëntëqind e pesë mijë e tetëqind e njëzetë) lekë me TVSH. Në vendin e dytë, u kualifikua ofertuesi “Shijaku” SH.P.K., me shumën 4.088.183 (katër milionë e tetëdhjetë e tetë mijë e njëqind e tetëdhjetë e tre) lekë me TVSH. Subjekti “IKONA” SH.P.K., ftohet të lidhë kontratën e shitjes publike, brenda 10 ditëve nga publikimi i këtij njoftimi (data 21 dhjetor 2017). Mosparaqitja, për lidhjen e kontratës përbën kusht për konfiskimin e sigurimit të ofertës.

Kush është Orest Sota, lidhjet me Tahirin dhe bizneset

Orest Sota, djaloshi biznesmen 25 vjeç u kap në fillim të nëntorit me 865 mijë euro në makinë, me dy patenta të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe një tjetër të gruas së këtij të fundit. Por, cili është biznesmeni Oresti Sota? Mjafton një kërkim të thjeshtë në faqen zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit (qkr.gov.al) dhe rezulot se në emër të tij janë tri kompani të ndryshme. “Eco Construction & Partners” me numër NIPT-i: L51416003T (Kërkimi, zbulimi dhe shfrytëzimi i mineraleve të dobishme dhe tregtimi i tyre brenda dhe jashtë vendit. Përdorim dhe tregtim i lëndëve plasëse. Import eksport, tregtim me shumicë e pakicë të mallrave të ndryshme industriale, materiale të ndërtimit, etj.). Është themeluar, më 6 shkurt 2015 dhe është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, më 16 shkurt 2015. Ortak i vetëm është Orest Sota (100%). Administrator është Orest Sota (nga 22.01.2015 deri më 22.10.2020). Kur shikon historikun e kompanisë, mëson se ai më parë administrator ka qenë Magi Qarri. Por, më parë emri i kompanisë ka qenë Ikona Construction. Vendimi i përket datës 12.12.2016. Veprimi është tërësisht ligjor dhe i vlefshëm. Adresa: Vaqar, Lagjja e vjetër, truall, zona kadastrale 3712, nr.pasurie 300/91. Projektet e fundit të kësaj kompanie përfshijnë rikonstruksionin e Komisariatit Nr.6 në Kombinat në dhjetor të vitit 2015, kohë kur ministër i Brendshëm ishte Saimir Tahiri dhe një projekt tjetër në Kolonjë po në vitin 2015. Më poshtë, ish-ministri Saimir Tahiri, duke përuruar nisjen e punimeve për ndërtimin e Komisariatit Nr. 6, nga kompania e Orest Sota.

Artikulli paraprakDy deputetëve të arrestuar në Itali do t’u hiqet mandati
Artikulli tjetërPërkeqësohen treguesit e popullsisë, shtesa natyrore bie me 47%