Dy deputetëve të arrestuar në Itali do t’u hiqet mandati

Dy muaj pas denoncimit të Partisë Demokratike, Prokuroria i kërkoi dje KQZ ndërprerjen e mandatit për deputetin Aqif Rakipi si subjekt të ligjit për dekriminalizimin. Rakipi deputet i PDIU-së akuzohet nga Prokuroria se ka përdorur emra të tjerë në Itali, ndërsa akuzohet për vjedhje. Rakipi ka qenë nën hetim nga Prokuroria në lidhje me dekriminalizimin. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi në fillim të muajit tetor në Prokurori kërkesën për kontrollin e të dhënave të dekriminalizimit për deputetin Aqif Rakipi lidhur me dyshime për fshehjen e të dhënave për aktivitet kriminal, që sipas ligjit për dekriminalizimin duhej t’i pengonte për të marrë poste publike apo për t’u zgjedhur. Denoncime nga publiku dhe partnerët pranë Partisë Demokratike kishin dhënë indicie për të verifikuar nëse ky deputet ka fshehur rekorde kriminale në të kaluarën e tyre në lidhje me aktivitete të paligjshme të kryera në Itali. Partia Demokratike i kërkoi Prokurorisë të veprojë menjëherë e të garantojë zbatimin e dekriminalizimit. Ndërsa PD kërkonte një hetim të thelluar për deputetin në fjalë, Rama ka thirrur menjëherë në zyrë kreun e Prokurorisë, të asaj kohe Adriatik Llalla. Një takim i tillë u duk si një mjet presioni ndaj Prokurorisë për të mos zbardhur të vërtetën e deputetit Rakipi. Rama është i njohur për lidhjet me krimin dhe inkriminimin e Parlamentit si dhe për bllokimin e të gjitha institucioneve për të mos lejuar kapjen e këtyre kriminelëve nga ligji i dekriminalizimit. Të njëjtën strategji Rama e përdori edhe për kryebashkiakun e Kavajës, megjithëse dokumentat e gjykatave italiane ishin të qarta si rrezja e diellit në atë rast. Deputeti i PDIU, Aqif Rakipi ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë drejtuar KQZ-së për heqjen e mandatit të tij. Në një reagim për mediat, deputeti i Elbasanit shprehet se nuk ka qenë asnjëherë i arrestuar në Itali.

Prokuroria: Rama na kërkoi takim për deputetin Rakipi

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, zoti Adriatik Llalla, ka zhvilluar një takim me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zotin Edi Rama, me kërkesë të kreut të qeverisë në muajin tetor.
Në fokus të takimit ishte diskutimi mbi kërkesën e subjektit politik, Partia Demokratike, lidhur me verifikimin e thelluar në kuadër të ligjit të njohur si “Për dekriminalizimin”, për deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, zotin Aqif Rakipi.
Zoti Llalla vuri në dijeni Kryeministrin se, Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimin e thelluar ndaj deputetit Aqif Rakipi disa muaj më parë. Procedura e verifikimit për këtë subjekt është ende në zhvillim, pasi Sektori i Posaçëm për “Dekriminalizimin” në Prokurorinë e Përgjithshme është ende në pritje të përgjigjeve nga ana e disa prej autoriteteve të huaja, të cilave u është kërkuar informacion.
Në takim, zoti Llalla shprehu garancitë e plota se, Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të kryejë verifikimet e thelluara për të gjitha rastet që do i paraqiten me kërkesë të subjekteve të njohur nga ligji, si edhe me iniciativën e saj, kur informacioni sigurohet nga të dhënat që përpunon institucioni i Prokurorisë.
Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm theksoi se, po vijon bashkëpunimi me autoritetet e tjera që kanë për detyrë verifikimin paraprak të subjekteve të ligjit “Për dekriminalizimin”, ku veçoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si institucioni që kryen përpunimin paraprak të personave të zgjedhur në pushtetin qendror dhe lokal.

Artikulli paraprakSkandali ARMO, 60 mln euro taksa të papaguara në 11 muaj
Artikulli tjetërSota blen tek Rezervat e Shtetit 264 makina me 139 euro copën