Kompania e kancelarisë tek milionat e shëndetësisë

Kompania Marketing & Distribution shpk e sipërmarrëses Vilma Nushi është një nga kompanitë që ka përfituar më shumë nga koncesionet e dhëna nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Kompania e saj është një nga dy kompanitë – kompania tjetër është Trimed shpk, ku 50 për qind të aksioneve janë po nën pronësinë e zonjës Nushi – që kanë fituar koncesionin 10-vjeçar të Check-up-it, me vlerë prej 5,4 milionë eurosh, dhënë më 27 tetor 2014.
Por, përpara se të përfshihej në shërbimin shëndetësor, kompania Marketing & Distribution shpk ka qenë veçanërisht e suksesshme në furnizimin e qeverisë Rama me mjete kancelarie (letra, dosje, kapëse letrash, bojë printerash etj).
Po të vëzhgojmë pagesat e qeverisë pas zgjedhjeve të 2013-ës, vëmë re një rritje të rrufeshme në pagesat ndaj kompanisë së zonjës Nushi në gjashtë mujorin e dytë të vitit 2014, pra në të njëjtën periudhë kur ajo fitoi dhe koncesionin e Check-up-it.
Ajo që vihet re nga grafiku i mëposhtëm është se përpara ardhjes në pushtet të kryeministrit Rama, zonja Nushi nuk ishte një furnizuese në sasi të mëdha e mjeteve të kancelarisë.
Duke parë faturat e qeverisë në vitet 2014-2015 për kompaninë e zonjës Nushi, vëmë re se pagesat më të larta, kompania Marketing & Distribution shpk i ka marrë pikërisht në muajin që ka fituar dhe koncesionin e kontrollit të popullsisë, në tetor 2014.
Përpara muajit korrik 2015 dhe pas muajit shtator 2015, kompania Marketing & Distribution shpk nuk ka qenë furnizuesja e qeverisë për mjetet e zyrës.
Pra, si është e mundur që papritmas, në verën dhe vjeshtën e vitit 2014 e gjithë qeveria bleu letra, kapëse letrash e bojë printerash nga zonja Nushi?!
Dhe nuk bëhet fjalë për pak institucione: Kompania Marketing & Distribution shpk furnizoi me mjete kancelarie Policinë e Shtetit; Këshillin e Ministrave; Ministrinë e Punëve të Brendshme; Ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës; Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës; Ministrinë e Shëndetësisë; Ministrinë e Drejtësisë; Ministrinë e Ekonomisë; Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve; Shërbimin Sekret; INSTAT; Qendrën Kombëtare të Regjistrimit; Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Qendrën Shëndetësore “Nënë Tereza”; Drejtorinë e Burgjeve; Gardën e Republikës; Drejtorinë e Krimit të Organizuar, njësitë ushtarake e plot të tjerë.
Furnizimi me mjetet e kancelarisë, sipas ligjit, duhet të tenderohen me anë të një procesi prokurimi publik. Duket e pamundur që gjatë verës dhe vjeshtës 2014, papritmas, kompania e zonjës Nushi “mundi” të gjithë konkurrentët në çdo tender për çdo institucion. Por kjo është ekzatësisht ajo që të dhënat e shpenzimeve të qeverisë Rama na tregojnë.

Exit.al

Artikulli paraprakBERZH: Shqipëria, vendi më i korruptuar në Europën Juglindore
Artikulli tjetërOKB: Shqipëria të hetojë krimet e diktaturës