OKB: Shqipëria të hetojë krimet e diktaturës

Shqipëria duhet të punojë në mënyrë të veçantë për rikthimin e të drejtave të viktimave të komunizmit, dëmshpërblimin e familjeve të internuara dhe kthimin e pronës, kështu shkruhet në raportin paraprak të publikuar dje nga grupi i punës së OKB-së.
Ekspertët tregojnë se, në vend ka mungesë të vullnetit politik për dënimin e krimeve të epokës së komunizmit, pasi sondazhet tregojnë se ende shumë njerëz e konsiderojnë si një periudhë pozitive.
Zyrtarët e të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara i kanë bërë thirrje Shqipërisë për të siguruar të drejtat e viktimave të regjimit brutal.
“Assosiated Press” shkruan se gjatë sundimit të Enver Hoxhës, Shqipëria u bë vendi më i izoluar në Evropë dhe me kushte të mjerueshme për jetesën. Rreth 6 mijë persona të zhdukur që nga viti 1944 deri në 1990-ën. Rreth 6 mijë të tjetër janë vrarë, 34 mijë janë burgosur dhe 50 mijë janë dërguar në kampe internimi.
Në raportin e OKB-së thuhet se, shumica e të zhdukurve mendohet se kanë vdekur edhe pse vendet e varrimit nuk janë gjetur. Në shumicën e rasteve familjarët e tyre kanë zbuluar varret e viktimave, duke u mbështetur në burimet e tyre financiare.
“Ka raste të ndryshme, ku dëshmohet mungesa e përgjegjësisë së plotë. Institucionet hetimore dhe prokuroriale nuk kanë marrë ndonjë iniciativë për të hetuar dhe për të sjellë rastet në Gjykatë. Vetëm kohët e fundit zhdukja me forcë është përfshirë në mënyrë të qartë në Kodin Penal të Shqipërisë”, shkruhet në raport
Në të dhënat e publikuara të sondazhit të bërë nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi tregohet se 35% e të anketuarve nuk e konsiderojnë të kaluarën komuniste si problematik, ndërsa 42% besojnë se Hoxha kishte një ndikim pozitiv në histori. Këto rezultate vijnë si pasojë e mungesës së një procesi të plotë de-komunizmi në këto 26 vitet e fundit.

Artikulli paraprakKompania e kancelarisë tek milionat e shëndetësisë
Artikulli tjetërThemistokli Gërmenji dekorohet me “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”