Ka ndërkombëtarë të dehur nga kanabisi!

Nard NDOKA

Gjatë këtyre ditëve janë intensifikuar takimet me faktorin ndërkombëtar dhe zyrtarë të lartë të BE. Që të jem korrekt në shumicën e rasteve, përfaqësuesit ndërkombëtarë janë treguar korrekt në raport me realitetin politik dhe me statusin e tyre diplomatik. Por ama më shqetëson fakti, se mes tyre ka disa që përpiqen dukshëm të ofrojnë zgjidhje të njëanshme, oferta konkrete, joshje, presione, duke thyer dhe përbaltur statusin e tyre diplomatik me interferimin e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë në politikën shqiptare. Habitem nga guximi dhe aventura e tyre diplomatike, duke u paraqitur si palë me qeverinë shqiptare, duke thyer çdo etikë diplomatike, ligjore e kushtetuese. Aq shumë bien në sy për tendencën e tyre të njëanshme, sa një ‘arnë e qepur me pe të bardhë në një copë të zezë’! Por megjithë këtë trysni “diplomatike”, nuk arritën të “peshkojnë” asnjë parti opozitare për të thyer bojkotin parlamentar, protestën në çadër dhe për t’u regjistruar në zgjedhje, si parti e privilegjuar opozitare! Ky proçes dështoi me turp, por ama vihej re dukshëm dehja e tyre nga kanabasi dhe korrupsioni i drogës, aq sa vija e kuqe diplomatike ishte zbardhur fare! Kam edhe një fakt tjetër trishtues nga PPE në Maltë, më rezulton se qeveria shqiptare kishte “lobuar” me të njëjtat mjete, që të kalonte një rezolutë kundër bojkotit në Kongresin e Partive Popullore Europiane. Media pranë qeverisë dhe kryeministrit, interesoheshin çdo sekond për një rezolutë, që nuk ishte votuar akoma dhe ato kishin dijeni për të! Qeveria aktuale duhet të ndalë këtë fenomen, të ndalojë kultivimin dhe tregtimin e lëndëve narkotike, por të ndalojë edhe tendencën e “dehjes” së ndërkombëtarëve me lekët e drogës dhe të korrupsionit qeveritar. Situata është alarmante, por opozita është në lartësinë e detyrës dhe përgjegjësisë kombëtare, çdo tendencë dashakeqëse do të dështojë me turp. Kauza e “Opozitës së Bashkuar” e qytetarëve shqiptarë është më e madhe, sesa disa mandate, apo privilegje më shumë! Kush tradhton kauzën, apo përpiqet ta dështojë atë, do të përfundojë me turp, si mbetje politike. Ky është fundi!

Artikulli paraprakCili diplomat u kërkoi partive të vjedhin votat e PD-së?
Artikulli tjetër300 milionë euro për 60 kilometra, kinezët: Kushton 100 milionë më pak