Cili diplomat u kërkoi partive të vjedhin votat e PD-së?

Kryetari i PBDNJ Vangjel Dule, do të ishte i pari që do të paralajmëronte skandalin e një diplomati të huaj, i ardhur me mision të paracaktuar në Tiranë, i cili kërkonte nga partitë e vogla as më shumë e as më pak, por “të përfitonin nga mosfutja e PD-së në zgjedhje për t’i vjedhur asaj votat”. Mediat dhe portalet e ndryshme, syri.net apo politiko.al e identifikonin me emrin e Eduard Auer, shef i Divizionit për Ballkanin Perëndimor, në një takim me Fatmir Mediun e PR, Vangjel Dulen e PBDNJ-së dhe Dashamir Shehin e LZHK-së. ““Braktisni kauzën e PD-së, hyni në zgjedhje sipas planit të Edi Ramës dhe merrni sa më shumë mandate nga ato të lënat bosh nga partia më e madhe opozitare në vend, që përfaqëson rreth 600 mijë vota”. Kjo ka qenë e nënkuptuar, oferta tipike mafioze e këtij diplomati, emrin e të cilit sot po e zbulon SYRI.net. Bëhet fjalë për “të famshmen” Romana Vlahutin, dora vetë ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë. Ambasadorja që tashmë nuk e fsheh se është në shërbim pa kushte të Edi Ramës, që po hetohet nga shefat e saj për një aferë korrupsioni për blerjen e një rezidence “sheikësh” në Tiranë. Por, cili ka qenë plani dhe çfarë ka ndodhur në këtë bisedë, që mund të quhet pa frikë një puç kundër parimeve demokratike të një Republike të Pavarur? Vlahutin, pasi ka thirrur “për ndihmë” në Tiranë Eduard Auer, shef i Divizionit për Ballkanin Perëndimor më datën 6 prill, nga ora 17:30-18:30, ka organizuar një takim me aleatët kryesorë të Lulzim Bashës, Vangjel Dule, Dashamir Shehi dhe Fatmir Mediu. Pas retorikës së dalë boje tashmë, që duhet të futen në Parlament, nuk është e drejtë qeveria teknike, duhet të futen në zgjedhje pavarësisht nga këmbëngulja e Bashës etj., etj., në fund ju ka lëshuar edhe “ofertën e madhe”, e njëjtë si dy pika uji që ka kaq ditë, që bën edhe Edi Rama; Hyni në zgjedhje dhe merrni (vidhni) votat dhe mandatet e Partisë Demokratike… SYRI.net ka mësuar se përgjigjja ka qenë një “Jo” e prerë, madje kryetari i Partisë Republikane ka replikuar ashpër me Eduard Auer, i cili pas kësaj tentative të dështuar ka kërkuar, që të paktën biseda të mbahet në kufijtë e konfidencialitetit”. shkruan portali Syri.net.

Edhe me gazetarët

Por duket se nuk është mjaftuar me kaq zotëria në fjalë. Politiko.al një tjetër portal shkon dhe më tej, kur thotë se tentativat për të bërë që zgjedhjet të zhvillohen më 18 qershor, edhe pa PD-në, është diskutuar dhe në një tryezë që Auer, ka zhvilluar me gazetarë dhe analistë kryesisht të mediave të majta. Edhe këtu zotëria ka folur në emër të Brukselit. “Politiko.al mëson se, Auer ka zhvilluar gjatë vizitës së tij në Tiranë një darkë me gazetarë dhe analistë të mediave të ndryshme, kryesisht ata të orientuar nga mazhoranca. Burime nga darka bënë të ditur se diplomati Auer ka theksuar se, për Brukselin nuk është e rëndësishme nëse hyn apo jo PD në zgjedhje, e rëndësishme është që procesi të zhvillohet. Por kjo bisedë, e pretenduar për t’u mbetur konfidenciale, ka patur për qëllim të krijojë bindjen në qarqet mediatike shqiptare se zgjedhjet në Shqipëri mund të zhvillohen edhe pa opozitën, një precedent i rrezikshëm ky për demokracinë e brishtë shqiptare”, shkruan politico.al. Duket qartë se në të dyja takimet, Auer ka kërkuar konfidencialitet nga bashkëbiseduesit. Ende nuk dihet se përse, një zyrtar i lartë duhet të thërrasë krerët e politikës shqiptare dhe gazetarët dhe të veprojë në kushtet e ilegalitetit. Në rast se ky ishte qëndrimi i Brukselit, pra që t’i vidhen votat PD-së, nga partitë aleate ose jo, atëherë përse zotëria nuk e thotë me zë të lartë. Natyrisht nuk mund ta bëjë, pasi organizma që ai përfaqëson, nuk është as e shefes së tij, dhe as e bashkëpunëtores së tij në Tiranë, por ajo e ngritur nga demokracia evropiane, që nuk ndërtohet tek vjedhja e votave apo rrugët e drogës, por tek ngritja e një sistemi të ndershëm, e konkurueshmërisë së votës dhe sundimit të ligjit. Rasti Auer, zbulon dhe një herë se axhenda e një pjese zyrtarësh të Brukselit, të hipur kryesisht gjatë epokës së majtë që përfshiu këtë organizëm, ka një axhendë të paracaktuar me synime të qarta dhe kjo jo vetëm për vendin tonë….

Artikulli paraprakBerisha: Në tunelet dhe bunkerët e Skraparit ruhen 700 tonë drogë
Artikulli tjetërKa ndërkombëtarë të dehur nga kanabisi!