300 milionë euro për 60 kilometra, kinezët: Kushton 100 milionë më pak

Qeveria shqiptare miratoi sot bonusin me 10% të pikëve për kompaninë shqiptare “Gjoka Konstruksion”, e cila ka paraqitur një ofertë të pakërkuar për të ndërtuar rrugën e “Arbrit”.
Oferta e “Gjoka Konstruksion” është 250 milionë euro për 69 kilometër rrugë me një tunel.
Shteti do të investojë 60 milionë euro, ndërsa kompania 190. Por buxhetit të shtetit kjo rrugë do t’i kushtojë shumë më tepër.
Përveç se do t’i kthejë të gjithë investimin prej 190 milionë eurosh kompanisë me këste brenda 15 vjetësh, shteti do të duhet t’i paguajë asaj edhe 43 milionë euro interes.
Pra në total, kjo rrugë do të kushtojë 293 milionë euro.
Financimi është pjesë e projektit “One billion project”, për të cilin opozita ka hedhur dyshime se po përdoret për pastrim parash.
Kompania, në ofertën e dorëzuar, parashikon t’i mbyllë punimet në 3 vjet e 8 muaj.
Për të ndërtuar Rrugën e “Arbrit” ishte ofruar edhe një kompani kineze që e përllogariste investimin në afro 200 milionë euro, plot 50 milionë më pak se kompania shqiptare.
“China State Construction Company” u largua në mënyrë të pashpjegueshme.
Oferta e saj dhe negociatat me palën shqiptare nuk u bënë asnjëherë publike.
Opozita ka hedhur akuza se kinezët refuzuan të jepnin rryshfetin që iu kërkua nga qeveria.
Me bonusin që iu dha kompanisë shqiptare nga qeveria, shanset që tenderin ta fitojë ndonjë kompani tjetër janë shumë të pakta.
Por ashtu si për ofertën kineze edhe për shqiptaren, mungon transparenca.
Nuk thuhet përse projekti i “Gjoka Konstruksion” kushton 50 milionë euro më shumë dhe cila është kostoja reale përfundimtare e këtij projekti për buxhetin e shtetit.

Artikulli paraprakKa ndërkombëtarë të dehur nga kanabisi!
Artikulli tjetërBE i kërkon qeverisë: Krijo kushtet për zgjedhje të lira