Italia pa trajner

Pa busull në det të hapur! Duket si një film i Fellinit, por në fakt është situata që portretizon gjëndjen e Kombëtares Italiane të Futbollit, stoli i të cilës do të qëndrojë bosh deri në muajin qershor, kohë në të cilën mendohet se kandidatët potencial të jenë pa angazhime e në gjendje për të dhënë një përgjigje definitive nëse do të jenë apo jo kapitenët e kësaj anijeje. Përveç trajektores së re që kjo përfaqësuese duhet të marrë, problemi konkret paraqitet te fakti se dy miqësoret e muajit mars, përkatësisht me Argjentinën dhe Anglinë dhe atyre të muajit qershor, do t’u mohohet një drejtim teknik i mirëpërcaktuar.
Diçka e tillë mund të evitohej vetëm nëse që më parë do të arrihet një marrëveshje paraprake me një teknik, emri i të cilit nuk do të bëhet i ditur deri në qershor si pasojë e angazhimeve aktuale. Gjithsesi, ajo çka i nevojitet kësaj skuadre nuk janë aludimet, por një projekt teknik serioz e mbi të gjitha konkret. Problemi tjetër qëndron në faktin se drejtimi i Venturës duket sikur e ka ulur në një nivel mediokër imazhin e kombëtares që penalizon lakimin e teknikëve të zotë si De Biasi apo Guidolin për stolin, sepse tashmë opinioni publik kërkon emra të mëdhenj.
Në top pretendentët për këtë post janë pikërisht Alegri dhe Spalletti, të cilët aktualisht nëpër konferenca për shtyp i kanë thënë jo faleminderit këtij propozimi, duke e shtyrë atë ndoshta për një fazë më të vonë ashtu si dhe Capello. Mbeten në lojë katër emra të mëdhenj me shumë kredibilitet si Ançeloti, Conte, Mançini dhe Ranieri. Ançeloti duket si kandidati me më shumë probabilitet, duke qenë se është i lirë nga impenjimet.
Ai ka qetësinë dhe eksperiencën për ta menaxhuar këtë situatë. Në të njëjtin plan qëndron edhe Conte, i cili ka një kontratë deri në 2019 me Chelsean. Kush prish kontratën ka penalitete ndaj italianët shpresojnë në një ndarje konsesuale mes tij dhe Abramoviç deri në qershor. Rikthimi i tij do ta rindërtonte menjëherë skuadrën. Nga ana tjetër, Ranieri mendohet se do ta pranonte menjëherë këtë post për të bërë atë që di më mirë të bëjë riparimin, në të cilin është ekspert dhe i fundit, por jo më pak i rëndësishëm është edhe Mançini, një tjetër që ëndërron kombëtaren e që nuk do të kishte asnjë vrarje ndërgjegjeje për të lënë Zenitin që aktualisht drejton.
Janë kështu katër të nominuarit me Ançelotin, Conten, Ranierin, dhe Mançinin që qëndrojnë në pol position për stolin e kombëtares, vetëm nëse në lojë nuk hyn emri i ndonjë trajneri të huaj. Diçka e tillë deri më tani është konsideruar si tabu, por duke parë kushtet dhe situatën e dëshpëruar të përfaqësueses italiane asgjë nuk mund të përjashtohet, as edhe një revolucion!

Artikulli paraprakShehu: Check up po varfëron më shumë sistemin shëndetësor
Artikulli tjetërZidane, i lumtur për golat e CR7 e Benzema