Irani kryen prova të reja raketore

Një zyrtar iranian tha se Marina e Republikës Islamike ka kryer me sukses prova raketore, gjatë stërvitjeve ushtarake në Gjirin Persik.
Ministri i Mbrojtjes i Iranit, Hossein Dehghan, tha se forca detare ka testuar versionet e reja të raketës me rreze të mesme veprimi Nasr, raporton agjencia e lajmeve “Mehr”.
Tasnim, një tjetër agjenci iraniane, tha se raketa Dehlaviyeh, e udhëzuar me laser, është testuar po ashtu me sukses.
Provat raketore janë pjesë e stërvitjeve të përvitshme që mbahen pranë Ngushticës strategjike të Hormuzit.
Ushtrimet dyditëshe kanë nisur më 26 shkurt.
Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur sanksione të reja kundër Iranit, pasi ky i fundit ka kryer një provë me raketë balistike në fund të janarit.
Gati një e treta e tregtisë së naftës në botë kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit, e cila ka qenë skenë e konfrontimeve të mëparshme midis SHBA-së dhe Iranit.

Artikulli paraprakBudallallëku i portierit i kushton humbjen PSV-së
Artikulli tjetërTom Perez, kreu i ri i demokratëve