Industria e peshkut, rrezikohen 4 mijë vende pune

Rritja e shpejtë e industrisë së përpunimit të peshkut po pengohet nga kuotat e kufizuara, që mundësojnë eksportin pa taksa. Rrezikohen rreth 4 mijë vende pune, ndërkohë që sipërmarrësit po shikojnë seriozisht të zhvendosin aktivitetin e tyre në vendet e rajonit. Pse nuk rishikohen kuotat dhe sa të aftë jemi të negociojmë kushtet e tregtisë së lirë? A janë marrëveshjet e nënshkruara kosto për prodhuesit vendas dhe a po blejnë shqiptarët më shtrenjtë importet? Industria e përpunimit të peshkut po gjendet përballë vështirësive, pasi plotësimi i kuotave vjetore të eksportimit të peshkut të konservuar, nuk po u mundëson të punojnë me kapacitet të plotë dhe as të zgjerohen më tej. Mark Babani, administrator i fabrikës, “Mare Adriatica” numëron rreth 400 punëtorë dhe në planet e tij të afërta ishte ndërtimi i një fabrike të dytë në vend me të njëjtën numër punëtorësh. Prej kushteve të krijuara në vend me kuotat, zoti Babani e ka të vështirë që të operojë në vend me fabrikën që ka. Tashmë ai po shqyrton ofertat që po i jepen nga rajoni. Në të njëjtën situatë gjenden edhe sipërmarrësit e tjerë të sektorit. Për shkak të zgjerimit të kësaj industrie, kuotat e vendosura nga BE-ja prej 1600 tonë në vit përmbushen shumë shpejt. Më 2016-ën, kuotat e importit për produktin e gatshëm u përfunduan që në gusht, pjesën tjetër të vitit prodhuesit e shfrytëzuan duke eksportuar produkt gjysmë të gatshëm. Mirëpo BE-ja, tashmë do të vendosë një ligj të ri, ku çdo kategorie produkti do t’i vendoset kuotë. Nën këto kushte, në rast se nuk arrihet një marrëveshje e re me BE-në, industrialistët shikojë dy rrugë: shpërnguljen ose mbylljen. Sipas zotit Babani, është mungesa e argumentit nga ana e shtetit shqiptar, e cila ka bërë që kuotat të mos rinegociohen, pasi tregun nuk ta fal askush, por merret. “Për mua kjo tregon paaftësi, për të mos thënë mungesë e dëshirës”, tha zoti Babani. “Ne si industri kemi ngritur zërin dhe kemi kërkuar takime herë pas here, si me Ministrinë e Bujqësisë, ashtu dhe me të Ekonomisë, por akoma nuk kemi një përgjigje konkrete”. Në rast se ky problem nuk merr një zgjidhje, zoti Babani ka parashikuar ndërtimin e një fabrike në një nga vendet fqinje, për të shfrytëzuar kuotat në muajt e mbetur. Aktualisht, industria e peshkimit është e vetmja industri që importon mall agroushqimor shqiptar thuajse në të gjithë Europën, duke qenë një prej produkteve më të preferuar nga konsumatorët europianë, edhe pse tregtohen 30% më shtrenjtë se açuget e përpunuara në Marok apo Tunizi. Tregu i vetëm për kompanitë shqiptare mbeten vetëm vendet europiane. Mark Babani i “Mare Adriatica” tha se ka çuar produktet e tij në Greqi dhe në Turqi, por produkti është i kërkuar në Europë, veçanërisht në Itali dhe Spanjë. Në total e gjithë industria e përpunimit të peshkut numëron më shumë se 4 mijë të punësuar. Eksportet e këtij grupi janë zgjeruar ndjeshëm vitet e fundit, teksa investimet u shtuan dhe numri i kompanive ka arritur në rreth 12. Në kuadër të marrëveshjes tregtare me BE-në, industria shqiptare e përpunimit të peshkut mund të eksportojë drejt Europës rreth 1600 tonë peshk të përpunuar, açuge të konservuar. Për shkak të zgjerimit të kësaj industrie, në vitin 2015, kuotat e eksportit u përmbushën që në tetor, ndërsa më 2016-n që në gusht. Pas plotësimit të kuotave produktet taksohen me 25% të vlerës. Për një dërgesë në vlerën 200 mijë euro, eksportuesit shqiptarë do t’i kushtojë 50 mijë euro taksa doganore. Momentalisht ato kanë operuar duke importuar produkt gjysmë të gatshëm, por me ligjet e reja europiane çdo kategori produkti do të taksohet. Kërkesa e industrialistëve shqiptarë është zgjerimi i kuotave me BE-në deri në 4000 tonë, mirëpo negociatat midis shtetit shqiptar dhe BE-së kanë mbetur në vend. Sipas zotit Babani, mungon forca e argumentit nga pala shqiptare për të zgjeruar kuotat, në një kohë kur vendet e Magrebit (Afrika Veriore) mund të eksportojnë drejt Europës pa taksa.

Monitor.al

Artikulli paraprakSpanjë-Shqipëri luhet në Afrikë?
Artikulli tjetërDështimi i skemës së subvencioneve në blegtori