Dështimi i skemës së subvencioneve në blegtori

Dy vite e gjysmë më parë, një grup i Qendrës për Zhvillimet Ndërkombëtare në “Harvard Kennedy School”, i udhëhequr nga profesori Ricardo Hausmann, vizitoi Shqipërinë dhe nisi një punë kërkimore për të gjetur degët e bujqësisë se ku ekonomia kishte potenciale për të prodhuar dhe për të eksportuar. Në gjetjet e tyre, grupi i studentëve doktorantë në Harvard identifikoi tre sektorë si më potencialët: bimët mjekësore, prodhimin e domateve dhe investimin në pulari, kryesisht zogjtë e pulës. Pas këtij studimi, i cili u reklamua mjaft edhe nga vetë kryeministri, bujqësia rezulton të jetë një nga degët e ekonomisë, e cila në këto vite pati rënie të konsiderueshme në kontributin që jep në rritjen ekonomike të vendit. Në verën e 2015-s, fermerët në Divjakë, Fier dhe në disa zona në veri të vendit nisën të ankohen se nuk po gjenin tregje për të shitur prodhimin e tyre, pasi çmimet e produkteve shqiptare nuk mund të konkurronin ato të rajonit. Prodhimet, të cilat mbetën stok në masë, ishin ato të perimeve e specifikisht domateve. Duke qenë se kjo çështje u bë një problem i madh mediatik, në sqarimin që dha për shtypin, Ministria e Bujqësisë akuzoi fermerët se nuk ishin të organizuar në të mbjellat e tyre dhe se në produktet ku ata investonin nuk kishte një studim tregu. Një vit më parë, ishte vetë qeveria që kishte identifikuar këta sektorë si potencialë për eksporte.
Humbjet e fermerëve u thelluan më shumë gjatë vitit 2016. Edhe vetë kreu i Ministrisë së Bujqësisë, Edmond Panariti, e pranoi se ata ishin “pre” e çmimeve, në disa raste abuzive, që u vendosnin grumbulluesit produkteve të tyre. Për këtë, ai premtoi edhe ngritjen e një burse bujqësore që do të shmangte abuzimin, të cilën e prezantoi në fund të vitit 2016. Agim Rrapaj, ekspert i bujqësisë pranon se skemat në bujqësi nuk kanë funksionuar. Ai thotë se çarja më e madhe ka ndodhur në atë të blegtorisë, e cila edhe pse ka 60% të peshës në bujqësi, nuk përfiton më shumë se 15% të fondeve nga Ministria e Bujqësisë. “Nuk është e drejtë mënyra se si shpërndahen fondet për të gjithë sektorët dhe kjo ka sjellë një çorientim të tregut. Për këtë arsye, ne si Biznes Albania, kemi marrë një nismë për t’i propozuar Këshillit të Ministrave ndryshime në këtë skemë”, thotë Agim Rrapaj. Në letrën e nisur ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, atij të Financave, Arben Ahmetaj dhe zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, organizatat e biznesit evidentojnë mangësi në mungesën e përfitimeve nga skema, por edhe abuzime nga shumë blegtorë. “Mbështetja për blegtorinë duhet të përmirësohet, pasi jo vetëm që nuk ka qenë eficente, por ka lënë edhe shumë hapësira për abuzime e ka shtuar pakënaqësitë tek shumica e blegtorëve. Në shumë raste, kjo formë mbështetje ka nxitur blegtorët e pandërgjegjshëm për të plotësuar artificialisht tufat me nga 100 krerë apo të ndajnë po artificialisht tufat që janë me më shumë se sa 300 krerë. Kjo pikë e skemës mund të vazhdojë të aplikohet e zbatohet edhe në të ardhmen, në varësi të shumës së fondeve që do të vihen në dispozicion të blegtorisë. Por vetëm mbasi të jetë konsoliduar totalisht në të gjithë elementet, reforma në blegtori dhe veçanërisht ajo në veterinari dhe ato për zbatimin rigoroz të sistemit elektronik RUDA. Për këto arsye ata propozojnë: Disa pika të kësaj skeme duhet të ndryshojnë, sepse ashtu si janë formuluar e zbatuar, janë mjaft selektive, nuk kanë qenë eficente dhe kanë lënë mjaft hapësira për abuzime nga blegtorë të ndryshëm, të cilët duke përfituar edhe nga mosfunksionimi në të gjitha hallkat e reformës në veterinari dhe sistemit elektronik RUDA, kanë rezultuar në një proces me pak aplikime, duke reflektuar më shumë vërejtje e pakënaqësi te shumica e blegtorëve se sa përfitim e mbështetje për qëllimin që ka pasur skema”, thuhet në letër. Si 9-mujor, prodhimi bujqësor për Shqipërinë më 2016-n ka shënuar sërish një rritje të ngadalësuar. Vitet 2013, 2014 dhe 2015 kanë një rënie të vazhdueshme të rritjes ekonomike për këtë sektor, edhe pse ai ka peshën më të madhe në raport me të tjerët në kontributin e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Artikulli paraprakIndustria e peshkut, rrezikohen 4 mijë vende pune
Artikulli tjetërBërnli ndal Chelsin