Indeksi i WJP: Shqipëria, e krimbur nga korrupsioni

Shqipëria renditet e 68-a nga 122 shtete, në Indeksin e Sundimit të Ligjit 2017-2018, të publikuar ditën e djeshme nga “World Justice Project”, një institut kërkimor ndërkombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqipëria merr 0.51 pikë, e pandryshuar në raport me një vit më parë, por është përmirësuar me 4 pozicione për shkak të përkeqësimit të shteteve të tjera (zero është vlerësimi më i ulët dhe 1 është më i lartë). Më këtë vlerësim, Shqipëria përfshihet në zonën e verdhë, me zbatim të dobët të ligjeve, në të njëjtën nivel me disa vende të tjera të Ballkanit, Azisë dhe Amerikës së Jugut. Vendi ynë i ka nivelet e zbatimit të ligjit pak më mirë sesa Serbia (që është në vend të 76). Qeverisje më të fortë ka Maqedonia (në vend të 57), Bosnja po në vend të 47. Shqipëria ka një renditje tepër negative në treguesin e korrupsionit, ku është në vendin e 93 nga 113 shtete që janë në renditje, me 0.35 pikë, duke e përfshirë atë në listën e 20 vendeve më të korruptuara në botë. Shqiptarët nuk mendojnë se në Shqipëri ka mungesë korrupsioni, përkundrazi. Ata e vlerësojnë të lartë në ligjvënie, sistemin juridik dhe në qeverisje. Më të ulët e perceptojnë korrupsionin ata në sistemin policor dhe ushtarak. Shqipëria perceptohet që ka korrupsionin më të lartë në rajon. Bosnja është në vend të 73, Maqedonia në vend të 60, Serbia në vend të 74. Edhe zbatimi i rregulloreve ka një renditje negative, në vend të 91. Të drejtat themelore, janë treguesi ku renditemi më mirë, në vendin e 41, e ndjekur nga rendi dhe siguria në vendin e 43. Për treguesin e kufizimit në fuqinë e qeverisë, Shqipëria renditet në vend të 70. Të gjithë treguesit rezultojnë të pandryshuar në raport me një vit më parë. Tre shtetet me ecurinë më të mirë në raportin e 2017-2018 ishin Danimarka (1), Norvegjia (2), dhe Finlanda (3); tre të fundit janë Afghanistani (111), Kamboxhia (112), dhe Venezuela (113). Tre më të mirët dhe tre të fundit nuk kanë ndryshuar në krahasim me indeksin e vitit 2016. Nënindikatori që mat mungesën e korrupsionit e rendit Shqipërinë të 94-ën në botë, ndër 113 ekonomi. Vendi ynë është jo vetëm i fundit në rajon në këtë drejtim, por edhe vendi i tretë nga fundi në Europë, më mirë vetëm se Moldavia dhe Ukraina sa i përket korrupsionit, që vijon të mbetet një plagë e madhe në shoqërinë dhe ekonominë tonë, më shumë se në çdo vend tjetër të rajonit, duke qenë pranë niveleve të vendeve afrikane, apo Amerikës Latine. Sa i përket korrupsionit, në Shqipëri më problematiku vlerësohet legjislativi, më pas ndjek gjyqësori, ekzekutivi dhe në fund forcat e ruajtjes së rendit, paçka se, ky është i vetmi nën-indikator që ka pësuar rënie në pikëzim në krahasim me një vit më parë.

Artikulli paraprakBashkia nxit shtimin e kullave të reja në Tiranë
Artikulli tjetërErgys Mërtiri nxjerr zbuluar Veliajn për paratë e pemëve