Ergys Mërtiri nxjerr zbuluar Veliajn për paratë e pemëve

 

Ergys Mërtiri ka reaguar sërish pas sulmeve që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i bëri publikisht në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Fakti që Mërtiri refuzoi t’u jepte fëmijëve të tij 200 lekë të reja për mbjellje pemësh, shërbeu që Veliaj ta sulmonte dhe ta akuzonte si analist të paguar nga partia. Në reagimin e tij, Ergys Mërtiri nxjerr zbuluar kryebashkiakun e Tiranës, i cili kishte gënjyer se pemët do të mbilleshin në shkollën ku janë nxënësit e tij. Ai thotë së fëmijëve u ishte thënë se pemët do të mbilleshin në zonën e TEG-ut, në Farkë, ndërsa ishte kërkuar 200 lekë, jo 100. Më poshtë reagimi i plotë i tij.
“Kryetari i Bashkisë ka reaguar sot ndaj denoncimit që unë dhe shumë qytetarë si unë, kemi bërë para pak ditësh ndaj përdorimit të fëmijëve të shkollave në fushatën e tij të mbjelljes së pemëve. Me keqardhje pashë se ai kishte lëshuar disa akuza ndaj meje personalisht, pa ma përmendur emrin, duke më konsideruar si të paguar për qëllime politike.
Nuk më surprizon aspak mënyra sesi Kryetari i Bashkisë sulmon një qytetar që reagon për një gjë të drejtë. Nëse do të ishte i interesuar për të vërtetën, do të më kish falenderuar për denoncimin, pasi kjo do të ishte një mundësi e mirë për të penguar të tjerët të abuzojnë në emrin e tij (nëse vërtetë se gjithçka është bërë pa dijeninë e tij). Por ai zgjodhi të justifikojë veten, duke linçuar ata që reaguan dhe kjo mjafton për të kuptuar se në këtë histori nuk ka asnjë keqkuptim.
Nuk dua këtu të merrem me akuzat se reagimi im paska qenë i motivuar nga pagesa që unë përfitokam në shërbim të opozitës, pasi kjo është, po aq e ulët sa dhe e pavërtetë, dhe nuk e shoh në dinjitetin tim, t’i shpjegoj publikut situatën time financiare, që jo vetëm që është krejtësisht personale, por as edhe ka ndonjë lidhje me problemin në fjalë. Shkurtimisht më duhet të sqaroj, ndër të tjera, se nuk jam anëtar i asnjë partie dhe nuk militoj për asnjë forcë politike, por jam padyshim një kritik i ashpër i qeverisë, për shkak të paudhësive të saj, të cilat kanë tejkaluar çdo pritshmëri, megjithë skepticizmin tim ndaj politikës në përgjithësi. Por as kjo nuk hyn fare në këtë mes. Do kisha reaguar, edhe nëse qeveria do punonte mirë e nuk do ta kish çuar vendin në këtë gjendje ku ndodhet”.

Artikulli paraprakIndeksi i WJP: Shqipëria, e krimbur nga korrupsioni
Artikulli tjetërVokshi: Nisma “3 lëndë në 6 orë” e paligjshme