Incidentet në fushatë, Çako nuk shkarkon 3 shefat e komisariateve

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u shpreh dje publikisht kundër shkarkimit nga detyra të tre shefave të komisariateve ku ndodhën incidente gjatë fushatës zgjedhore. Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj i kërkoi para 10 ditësh me shkresë dhe publikisht shkarkimin e tre shefave të komisariateve, të Pukës, Gramshit e Dibrës, me arsyetimin se nuk kanë kryer detyrën. Por Çako deklaroi dje se, ka refuzuar kërkesën e ministrit për shkarkimin e tyre për shkak të provave të pamjaftueshme. Ai u shpreh se, ndaj tyre ka nisur një hetim disiplinor.
“Kemi nisur një hetim disiplinor për tre shefat e komisariateve të Pukës, Gramshit e Dibrës. Është arrestuar një punonjës policie në Durrës dhe po procedohet një tjetër”, tha Çako.
Sa i përket incidenteve, ngjatë procesit zgjedhor, ç’ka iu referua periudhës nga 26 maj deri në 25 qershor dhe tha se, “janë evidentuar 69 vepra penale që prekin zgjedhjet, raste të referuara në Prokurori dhe ende në hetim procedime”.
Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj kërkoi para 10 ditësh shkarkimin e 3 shefave të komisariateve të policisë në rajonet, ku kanë ndodhur incidente gjatë fushatës zgjedhore. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Demiraj tha se, po bashkëpunon ngushtë me Prokurorinë për të zbardhur krimet elektorale, dhe se policia ka marrë të gjitha masat për një proces zgjedhor sa më të rregullt.
“Incidentet e ditëve të fundit në dëm të veprimtarëve politikë të LSI-së gjatë fushatës zgjedhore po hetohen me intensitet nga policia, që të zbardhen sa më parë, për të kthyer sa më shpejt qetësinë në fushatën zgjedhore”, deklaroi për “Zërin e Amerikës” ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj.

Artikulli paraprakPaguan kamatën, i ndërpritet energjia një familje në Vlorë
Artikulli tjetërSakja kryeson, Roshi tenton të prishë numërimin e votave