Paguan kamatën, i ndërpritet energjia një familje në Vlorë

Një familjeje në Vlorë i është ndërprerë energjia elektrike ndonëse i ka paguar faturat. Qatip Malaj shpreht se, elektriçisti i zonës i ka prerë energjinë ndonëse ai i ka paguar të gjitha faturat. Ai thotë se, energjinë e ka paguar pa kamatë, po në periudhën janar 2011- janar 2015 i kanë mbifaturuar energjinë deri në 31200 lekë të reja.
“Banoj në shtëpi me qira në lagjen “28 Nëntori” në Vlorë. Banoj në qytet me familjen qysh nga muaji gusht i vitit 2002. Me ish-kompaninë CEZ, dhe sot OSHE në shtëpinë ku kam banuar me qira i kam të shlyera detyrimet për çdo faturë mujore të energjisë elektrike. Po kështu edhe faturat e energjisë elektrike të shtëpisë sime në Malas ish–Komuna Brataj, sot e përfshirë në Bashkinë Selenicë deri në muajin gusht 2002 i kam të shlyera. Por në janar 2011, unë jam kthyer sërish i vetëm në shtëpinë time në Malas për arsye se aty në zonën e Smokthinës isha në punë, konkretisht mësues në shkollën “Qeriba Derri” në Bashaj. Shkoja në shtëpinë time të dielave dhe kthehesha në qytet të premteve. Kur shkova në shtëpi në Malas, matësi regjistronte Nr.0, sepse nuk kish banuar njeri, bile ndriçimi mungonte. Kërkova elektricistin dhe më ktheu ndriçimin. Prej janarit 2011 e në vazhdim, faturisti nuk ka pranuar të shikonte matësin, por më ka ngarkuar me 340 lekë. Ndërkohë që matësi regjistronte energjinë që unë harxhoja, duke qenë në shtëpi i vetëm pa aparate televizive. Gjatë periudhës janar 2011–nëntor 2014 më ka sjellë fatura energjie 3370 lekë të reja dhe një 270 lekë të reja. Unë vazhdimisht kur e takoja thosha të faturonte energjinë që harxhoja, por ai nuk pranonte, arsyet i di ai, sepse unë nuk e njoh”, shprehet qytetari.
Ai thotë se për problemin është ankuar në zyrat e CEZ sot OSHE, por ankesat kanë shkuar në vesh të shurdhër. “Më së fundi një nga drejtuesit e OSHE-së e ka detyruar faturistin të shikojë matësin në dhjetorin e vitit 2014 dhe ai ka faturuar energjinë e harxhuar në matës, të cilën unë e shlyeva menjëherë, duke bërë edhe një ankimim për keq faturim, ku e tërë energjia më ishte ngarkuar në muajin dhjetor 2014. Energjinë e pagova pa kamatë, po e keqja qëndron se periudhën janar 2011- janar 2015 më ka ngarkuar edhe me shërbimet 340 lekë, të cilat janë dyfishuar dhe kanë arritur për periudhën në 31200 lekë të reja.
Nga janar 2015 e deri më sot në qershor 2017 i kam shlyer të gjitha 340 lekëshet se jam larguar nga puna dhe nuk banoj në shtëpi. Elektricisti i zonës më ka prerë energjinë, nuk di ka ardhur nga drejtuesit apo në kokën e tij. Unë kilovatët e harxhuar nga matësi i kam shlyer dhe nuk kam pse paguaj dy herë se duan faturistët elektricistët e pandërgjegjshëm. Ju lutem kërkoj të më ktheni dritat se nuk jam debitor dhe shtëpinë e dua me dritë, që kur të shkoj atje të ndjehem mirë. Ju lutem arsyetoni, më shkarkoni vleftën e lekëve të akumuluara padrejtësisht”, thotë qytetari Qatip Malaj.

Artikulli paraprakDPA: Shqipëria furnizuesja kryesore e Europës me kanabis
Artikulli tjetërIncidentet në fushatë, Çako nuk shkarkon 3 shefat e komisariateve