Sakja kryeson, Roshi tenton të prishë numërimin e votave

Kandidati për kryetar Bashkie në Kavajë, Isa Sakja kryeson me vota ndaj kandidatit të PS. Numërimi i votave ka nisur 4 orë me vonesë ditën e djeshme për shkak se, ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, ka urdhëruar komisionerët e PS që të bllokojnë procesin e numërimit për të manipuluar votat. Situata është tensionuar së tepërmi kur pranë vendnumërimit të votave kanë shkuar shumë militantë të PS të nxitur nga Roshi, ndërsa në KZAZ komisionerët e PS-së nuk pranonin të niste numërimi i kutive për votimin për kryetar bashkie.
Pas kësaj situate të rëndë, ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj është nisur me urgjencë drejt Kavajës. Demiraj është takuar me drejtuesit e Komisariatit të Policisë Kavajë si dhe me përfaqësues të forcave politike. Kandidati i PD-së për Kavajën, Isa Sakja tha se, komisionerët e PS-së nuk kanë shkuar për të ushtruar detyrën, ndërkohë forca të shumta policie ishin vendosur pranë KZAZ-së.
Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj deklaroi për mediat se kishte shkuar në Kavajë për të siguruar mbarëvajtjen e numërimit të votave. “Isha në Kavajë për mbarëvajtjen e numërimit dhe për të garantuar mbështetje për policinë. Numëruesit e PS nuk ishin paraqitur, kishte tension. Policia largoi mbështetësit e dy partive politike. Ju e dini që kjo është e fundit, jam në mbështetje të policisë që të realizojë misionin e saj. Jemi këtu që të garantojmë një rezultat që të mos jetë i ndikuar nga njerëzit, i bëj thirrje të gjithë mbështetësve të partive të qëndrojnë larg KZAZ, të zbatojnë rendin dhe sigurinë. Të lejojnë policinë dhe numëruesit e votave të mbarojnë punën”, tha Demiraj. Pas ndërhyrjes së policisë, rreth orës 12:20 ka nisur numërimi i votave për zgjedhjet e pjesshme vendore, ku Kavaja do të mësojë dhe kryebashkiakun e ri.
Edhe pasditen e të hënës ka pasur incidente gjatë procesit të numërimit në Kavajë, konkretisht në KZAZ nr.42, ku komisionerët, numërues dhe vëzhgues të PS janë konfliktuar me ata të LSI. Komisionerët e PS u përfshinë në konflikt fizik në KZAZ nr. 42 në Kavajë. Sherri nisi në një tavolinë komisionerësh socialistë dhe të LSI vetëm pas 5 minutash, pasi aty kishte shkuar ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Më pas, shumë persona që ishin jashtë ambjenteve tentonin të futeshin brenda në ambjentet e KZAZ. Ata u rrahën me njëri-tjetrin dhe qëllonin me gurë. Konflikti ka ndodhur midis përfaqësuesve të PS dhe LSI dhe një komisioner mbeti i plagosur. Forcat e policisë shkuan në vendin e ngjarjes dhe mbajtën të mbyllura dyert e ambjenteve të KZAZ.
Ashtu si edhe në rrethet e tjera të vendit në Kavajë bandat e PS blenë votat. Në Luz të Kavajës u kapën dy persona, të cilët me lista në dorë po shkonin shtëpi më shtëpi për të shpërndarë para në këmbim të votës. Dy personat që janë pikasur ishin punonjës të administratës në OSHEE dhe në njësinë administrative të Luzit. Një familje që ka katër votues u pagua deri në 50 mijë lekë. Të dy personat kanë mundur të ikin dhe janë denoncuar në Policinë e Kavajës, por policia u bë palë me kriminelët e zgjedhjeve dhe nuk i arrestoi. Falangat e Dajës dhe Rroshit paguan paratë e drogës për blerjen e votave.

R.POLISI

Artikulli paraprakIncidentet në fushatë, Çako nuk shkarkon 3 shefat e komisariateve
Artikulli tjetërGarë e hapur për kreun e PD