Impianti për djegien e plehrave në Mbrostar, sot Fieri proteston

Ilir HILAJ

Sot janë paralajmëruar protesta të banorëve të Fierit në të paktën katër fshatrat. Ata kundërshtojnë vendosjen e impiantit të djegies së plehrave në zonën e Mbrostarit ku ka vendosur pushteti lokal.
Pas debateve të shumta të Këshillit të Bashkisë Fier që kanë zgjatur për 4 orë me radhë kanë mbërritur edhe në vendimin përfundimtar. Këshilli i Bashkisë ka vendosur me shumicë votash të këshilltarëve të pranishëm në sallë miratimin në parim të variantit të 4 të studimit të paraqitur nga Komisioni i Posaçëm i Bashkisë. Varianti 4 me vendndodhje në Njësinë Administrative Mbrostar është votuar pro tij nga 24 vota të këshilltarëve nga 35 të pranishëm në sallë. Votuan kundër këtij varianti 8 vota të këshilltarëve të djathtë dhe këshilltarja e LSI, Lulsida Muho. Ndërkohë 2 këshilltarë të tjerë abstenuan, Ledion Cepele nga PS dhe Erieta Rrapushi nga LSI, këshilltarë që përfaqësojnë në Këshill Bashkiak këtë njësi administrative nuk kanë votuar. Varianti në fjalë nuk gjen konsensus të gjithë këshillit. Pasi dështoi varianti i ndërtimit të impiantit të plehrave në Plyk dhe Mbyet të Njësisë Portëz, ky variant e zhvendos ndërtimin e tij në Mbrostar.
Më herët kreu i Grupit të PD, Luan Baci pas paraqitjes së 10 varianteve nga komisioni i ngritur për këtë qëllim ka drejtuar kritika për 7 nga këto variante. Sipas Bacit, në këto 7 variante të paraqitura nuk plotësohet kriteri bazë i miratimit të këtij vendimi për ndërtimin e impiantit që sipas tij është vendimi i komunitetit ku do të ngrihet ky impiant. Ne gjykojmë ka thënë Baci se, ky është kushti kryesor i çdo varianti të paraqitur nga ana e këtij komisioni, ndërkohë ai ka përsëritur se qëndrimi i grupit të këshilltarëve të djathtë është pro ndërtimit të këtij impianti, por me konsensus të plotë të komunitetit ku do të ndërtohet.

Inceneratori i Fierit, krim penal

Këshilli Bashkiak i Fierit përfshihet në debate për vendin ku duhet të ndërtohet inceneratori i Bashkisë. Pas tërheqjes nga vendi ku ishte vendosur në Njësinë Administrative Portëz, debatet janë për Njësinë Mbrostar, duke patur dhe planin rezervë Njësia Levan (pranë bregdetit, në Boçovë viktimë e përmbytjeve të vjetshme).
Keqardhja më e madhe është për ato OJQ, ose thënë më drejt Organizata Bashiake që marrin fonde për të sensibilizuar riciklimin, por heshtin ndaj incenerimit. Arsyeja është se këto organizata dinë një të vërtetë të madhe, riciklimi është zgjidhje, kurse incenerimi ndotje. Vlen kjo për gjithë teoricientët e incenerimit. Në vetvete djegia aktuale e mbeturinave është teorikisht e njëjtë me djegien në incenerator, veçse e dyta bëhet në kushte të kontrolluara dhe nënprodukti i saj është energji elektrike. Askush nuk flet minimalisht për llojin e inceneratorit, edhe pse kjo është zgjidhja ekstreme.
Llojet e tyre janë 3. “Industrial” ku djegia ndodh kimikisht në masën 90%, nënkupton 10% e lëndës së parë ndot. “Green” ku djegia bëhet 99%, nënkupton se 1% e masës që digjet ndot. “State of Farm” ku djegia bëhet në masën 99.99% teknikisht e papërfillshme dhe teknologjia trajton sistem rotativ trajtimi, sistem special filtrimi, sistem automatik ngarkimi dhe nxjerrje të hirit, sistem online monitorimi të gazrave dalës. E treta, është normativë e BE-së. Edhe pse gazrat që dalin shkarkohen në çdo rast në ajër dhe ato janë okside të karbonit, azotit, fosforit, squfurit etj., që të gjitha të dëmshme për shëndetin, porse kur ato janë të oksiduara në maksimum, dëmtojnë lehtësisht. Po pse flitet kaq shumë për energjinë e rinovueshme nëpërmjet djegies nga “plehrat”, kur këtu po bëhet nami për të ricikluar mbetjet e Europës dhe ku kemi investuar 140 milionë euro sipas Ramës!? Çfarë do të djegë inceneratori që të prodhojë energji?
Qytetarët po t’i hedhin një sy qeskës së mbeturinave në shtëpi shikojnë se aty nuk ka asgjë që nuk riciklohet dhe ka fare pak gjëra të djegshme. Qelqi dhe kutitë metalike nuk digjen vetëm riciklohen. Letra, plastika, druri riciklohen, por edhe digjen. Pse zgjidhet djegia para riciklimit!? Së fundi, materialet organike konsumi, si për shembull, lëvore portokalli, banane, etj., që janë të biodegradueshme, njëlloj si letra dhe druri, por që nuk kanë riciklim imediat, por nëse rrinë nën tokë bëjnë atë që natyrshëm ndodh në natyrë, dekompozohen duke na dhënë plehra organikë për lulishtet tona.
Ka ndonjë që mendon se inceneratori i Fierit, Elbasanit, Tiranës apo ku ta dish ku, mendojnë ta bëjnë, se do të djegin lëvore bananesh. Ku janë qyqarët entuziastë të sallës së hartave që pretenduan se fituan me industrinë ricikluese!? Duke qenë se në inceneratorët rilindas do të përfundojnë materiale tejet të rrezikshme përfshirë aparatura elektronike, bateri, ndoshta edhe mbetje kimike e më tej, të cilat ndotin më pak në vaskat biodegraduese sesa avujt e djegies, ky është një krim penal. Ky është momenti që Prokuroria duhet të nisë hetim kryesisht për tentativë ndotje të qëllimshme ambienti nga Bashkia Fier e mbetur në tentativë. Arsyeja është e thjeshtë. Është tentativë e ripërsëritur për të kaluar një projekt, pa njoftuar publikun e zonës dhe pa sqaruar teknologjinë dhe duke anashkaluar riciklimin.

Autori i shkrimit është inxhinier kimist

Artikulli paraprak“E dija që Amerika do ngrihej, do ta marrim sërish këtë vend”
Artikulli tjetërBE: Në Shqipëri mbetjet ruhen e hidhen jashtë standardeve