BE: Në Shqipëri mbetjet ruhen e hidhen jashtë standardeve

Nga Ilir SINANAJ

Progres-Raporti i Bashkimit Evropian për Shqipërinë i vitit 2016, nuk ka qenë pozitiv për sa i përket menaxhimit të mbetjeve. Edhe pse me një ton më të zbutur, Bashkimi Evropian në Progres-Raportin 2016 për Shqipërinë ka ngritur pothuajse të njëjtin shqetësim që ka filluar që nga progres-raporti i vitit 2013, e në vazhdim. Sipas progres-raportit më të fundit thuhet se “ruajtja, hedhja dhe asgjësimi i mbetjeve vazhdon të jetë kryesisht në mospërputhje me standardet e mbrojtjes së mjedisit”.
Kjo lë të kuptohet se, Shqipëria nuk ka kapacitetin e duhur për të menaxhuar mbetjet e veta si edhe mekanizmat për të mundësuar zbatimin e ligjit. Kështu mund të thuhet se, keqmenaxhimi i mbetjeve përbën një rrezik të madh për shëndetin e qytetarëve. Po ndërkaq, së fundmi, qeveria shqiptare po lobon për miratimin e ligjit të importit të mbetjeve, në mënyrë që të sjellë mbetje nga jashtë, gjë kjo që ka hasur në kundërshtinë e qindra mijëra shqiptarëve, të cilët janë të indinjuar dhe e kanë cilësuar “tradhëti kombëtare” nismën e qeverisë.
Nga ana tjetër, konstatimi i keqmenaxhimit të mbetjeve në Shqipëri është ngritur, duke përdorur pothuajse të njëjtat fjalë, në të gjitha progres-raportet e mëparshme të BE-së për Shqipërinë. Duke iu përmbajtur konstatimeve të progres-raporteve të BE-së, ato tregojnë një vazhdueshmëri të mungesë së punës dhe dëshirës nga ana e autoriteteve shqiptare përgjegjëse për zgjidhjen e çështjeve të mbetjeve.
Ndërkaq lind pyetja, një forcë politike si Lëvizja Socialiste për Integrim, si vallë nuk e informon publikun mbi këto gjetje të progres-raportit dhe mbi të gjitha të bëj një analizë të çdo detaji të progres-raporteve të BE-së për Shqipërinë? Sigurisht nëse e bën apo jo kjo është çështje e LSI-së, por pyetja lindi se kjo force “na pretendonkërka” se ka në thelb të saj integrimin evropian të Shqipërisë…

Progres-Raporti 2016
“Ndarja e mbetjeve është pothuajse jo-ekzistente dhe mbledhja e mbetjeve për qëllime riciklimi. Kapaciteti institucional për të menaxhuar mbetjet vazhdon të jetë i dobët në të gjitha nivelet. Ruajtja, hedhja dhe asgjësimi i mbetjeve vazhdon të jetë kryesisht në mospërputhje me standardet e mbrojtjes së mjedisit.
Menaxhimi i mbetjeve industriale është i dobët për shkak të mungesës së investimeve dhe për shkak të zbatim të dobët të ligjit. Strategjia kombëtare e menaxhimit të mbetjeve dhe plani i veprimit, të miratuar në vitin 2011 dhe që aktualisht janë duke u shqyrtuar, si edhe planet rajonale nuk janë zbatuar ende”, thuhet në Progres-Raportin e Bashkimit Evropian për Shqipërinë e vitit 2016.

Progres-Raportet nga viti 2013 deri në vitin 2015
“Bashkitë kanë kapacitete të dobëta për menaxhimin e mbetjeve, duke përfshirë edhe destinacionin final të tyre. Pjesa më e madhe e mbetjeve hidhen, ruhen, asgjësohen ose digjen në mënyrë jo të sigurt në vendgrumbullime (landfile) të ligjshme ose jo, të paligjshme”, thuhet në Progres-Raportin e Bashkimit Evropian për Shqipërinë e vitit 2013.
“Ndarja e mbetjeve është pothuajse jo-ekzistuese dhe nivelet e riciklimit janë shumë të ulëta. Pjesa më e madhe e mbetjeve hidhen, ruhen, asgjësohen ose digjen në mënyrë jo të sigurt në vendgrumbullime (landfile) të ligjshme ose jo, të paligjshme. Menaxhimi i mbetjeve vazhdon të jetë një çështje serioze shqetësuese”, thuhet në Progres-Raportin e Bashkimit Evropian për Shqipërinë e vitit 2014.
“Ndarja e mbetjeve është shumë e kufizuar dhe riciklimi mbetet i rrallë. Pjesa më e madhe e mbetjeve vazhdon të hidhet, ruhen, asgjësohen ose digjen në mënyrë jo të sigurt në vendgrumbullime (landfille) të ligjshme ose jo, të paligjshme. Mbetjet mjekësore të rrezikshme janë që shqetësim shumë i madh”, thuhet në Progres-Raportin e Bashkimit Evropian për Shqipërinë e vitit 2015.

Artikulli paraprakImpianti për djegien e plehrave në Mbrostar, sot Fieri proteston
Artikulli tjetërJu na krijuat “ne”