Icardi rinovon për 5.5 mln euro

Mauro Ikardi ka rinovuar kontratën e tij me Interin, me lajmin që jepet i sigurt nga mediat italiane, duke nënshkruar një akord të vlefshëm deri në vitin 2021. Kapiteni zikaltër i përfaqësuar nga bashkëshortja Wanda Nara që bën njëkohësisht dhe menaxheren e tij, pas një vere të nxehtë për sa i përket kësaj tratative, tanimë i garanton besnikërinë Interit ku do të bëhet lojtari më i paguar me një kontratë prej 5.5 milionë eurosh në sezon, dhe një klauzole largimi prej 110 milionë eurosh, e cila duhet thënë se vlen vetëm nëse transferohet në një klub të huaj, jashtë Italisë. Janë të shumta dhe bonuset e përfshira në kontratën e re, kështu Ikardi nëse Interi fiton Championsin merr dhe 500 mijë euro, në rast suksesi të zikaltërve në kampionat, përfiton 150 mijë euro shtesë, ndërsa për kualifikimin në Champions do të përfitojë 200 mijë euro. Gjithashtu në kontratën e re, Ikardi mund t’i gëzohet një shpërblimi prej 200 mijë eurosh për çdo 10 gola që shënon, si dhe ruan për vete 50% të të ardhurave nga e drejta e imazhit me gjysmën tjetër që shkon për klubin. Paga e lartë dhe bonuset e çojnë sulmuesin argjentinas në podin e futbollistëve më të paguar në serinë a, pas Higuain që përfiton 7.5 milionë euro në vit te Juventusi dhe De Rosi që paguhet me 6.8 milionë euro në vit nga Roma.

Artikulli paraprakGuardiola u ndalon internetin lojtarëve të tij
Artikulli tjetërKapiteni Hamsik ëndërron titullin me Napolin