I burgosuri rrihet brutalisht, Drejtoria nuk lejon hetimet

Burgu i Fierit është përfshirë në një skandal, pasi një i burgosur që vuante dënimin aty është rrahur brutalisht nga forcat e policisë dhe ka përfunduar në spital. Ndërkohë, Avokati i Popullit, që ka bërë rastin publik nuk është lejuar ta marrë në pyetje dhe ta hetojë rastin. Në një deklaratë për mediat, Avokati i Popullit thotë se, i dënuari me inicialet P.P, është dërguar në spital për kurim dhe është marrë në pyetje vetëm nga SHÇBA-ja. Ndërsa drejtuesit e burgut dhe Policia e Burgjeve kanë penguar avokatin që të ndjekë rastin.
“Ekspertët konstatuan se një person sapo ishte dhunuar në qelinë e tij dhe ishte dërguar në spitalin e IEVP Fier. Ekspertët e Avokatit të Popullit në përputhje me detyrat e tyre ligjore pezulluan inspektimin e programuar dhe nisën menjëherë hetimin e thelluar për zbardhjen e ngjarjes. Ata kërkuan të intervistonin personin e dhunuar në Spitalin e Burgut, por aty ndodhej Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, që e kishin marrë në pyetje të dënuarin P.P, ndaj të cilit ishte ushtruar dhunë. Ndërkohë, ekspertët e Avokatit të Popullit kërkuan fotokopjet e regjistrave që ndihmës/mjekët shënuan për këtë rast dhune, si dhe morën dëshmitë e policëve që ishin prezent në turn. Ekspertët e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës insistuan dhe zhvilluan një takim në Spitalin e Burgut me të dënuarin P.P., i cili konfirmoi dhunën e ushtruar ndaj tij nga punonjësit e policisë së IEVP Fier”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit thotë se, ekspertët e MKP po pengohen të realizojnë punën e tyre. Drejtuesit e IEVP Fier dhe punonjësit e Policisë së Burgjeve Fier i ndaluan ekspertët të fotografonin shenjat e dhunës në trupin e të dënuarit P.P, i dhunuar në qelinë e tij. “Gjithashtu, si pjesë e hetimit të ekspertëve ishte edhe ekzaminimi fizik i të dënuarit P.P, i cili rezultonte me shenja të dukshme dhune, dëmtime në kokë, shpinë dhe gjymtyrë, si rezultat i goditjeve. Më tej, ekspertët e AP kërkuan që të merrnin aparatin fotografik në makinë për të dokumentuar dhunën përmes fotove, të cilat janë provë kryesore në hetime të tilla administrative. Por sapo kanë dalë nga ambientet e brendshme të IEVP-së Fier, ata nuk janë lejuar të hyjnë më brenda me aparat fotografik me pretendimin se është objekt i paligjshëm. Edhe pas insistimit për disa orë me radhë të ekspertëve të MKPT, sërish drejtuesit e IEVP Fier nuk i kanë lejuar të ushtrojnë detyrën e tyre funksionale në kundërshtim të plotë me ligjin”, thuhet në raport.
Avokati i Popullit e konsideron pengimin e ekspertëve të Mekanizmit Kombëtar të Parandalimit të Torturës si një ngjarje shumë të rëndë, antiligjore dhe të dënueshme. Avokati i Popullit, Igli Totozani i kërkon drejtuesve të IEVP Fier, si dhe punonjësve të Policisë së Shtetit të përfshirë në këtë ngjarje që të tërhiqen menjëherë nga ky veprim i paligjshëm.
Gjithashtu, Avokati i Popullit i kërkon Prokurorisë, që të nisë menjëherë hetimin për personat përgjegjës që po pengojnë në mënyrë të paligjshme ekspertët e mekanizmit të dokumentojnë një rast dhune fizike, një tjetër shkelje flagrante e ligjit.

Enton DOÇI

Artikulli paraprakGjobvënia ndaj biznesmenit, 51 vite burg për bandën e Shullazit
Artikulli tjetërDrogë e armë nga Shqipëria në Itali