Drogë e armë nga Shqipëria në Itali

1 kuintal drogë dhe armë nga Shqipëria u sekuestruan dje nga policia italiane në Foggia. Mediat italianë bëjnë të ditur se katër persona, mes tyre dy shqiptarë, u arrestuan nga skuadra e policisë së Foggia-s në Itali, në një operacion që ka çuar në sekuestrimin e një kuintal marijuanë (100 kg), si dhe një pushkë edhe disa fishekë. Droga dhe armët janë gjetur në një piceri të braktisur të quajtur “Il gufo”, në zonën e Segezia-s në Foggia, ku është raportuar prezenca e të huajve, nga qytetarët, raportojnë sot mediat lokale.
Të arrestuarit janë: Paul Mandrescu, 26 vjeç, Roberto Laurian Alexa 22 vjeç, të dy rumunë, si dhe shqiptarët: Armand Rameta, 25 vjeç dhe Merlin Myftaraj, 27 vjeç. Katër të arrestuarit janë kapur në flagrancë nga efektivë të policisë teksa kujdeseshin për bimët. Nga kontrollet e mëtejshme rezultoi se, ndaj Mandrescu dhe Myftarajt ka pasur një urdhër që i ndalonte qëndrimin në Bari dhe Foggia, e lëshuar nga gjykatësi i Foggia-s në vrazhdën e një hetimi mbi fenomenin e vjedhjes së bakrit.
Para një jave, policia italiane sekuestroi në Leçe, një sasi rekord prej 3 ton e 900 kg marijuanë që ishte futur nga Shqipëria. Kjo sasi e madhe droge u sekuestrua në dy operacione në rrethinat e Leçes dhe të Brindisit. Sipas policisë italiane, pjesa më e madhe e lëndës narkotike është sekuestruar në Leçe, 2.7 ton. Operacioni nisi mbrëmjen e të enjtes rreth orës 18:00. Siç raportojnë mediat italiane, 2 italianë dhe 4 shqiptarë ishin takuar në një hotel në këtë qytet për të diskutuar për shitjen e kësaj sasie, që vinte nga Shqipëria.
Policia kishte rënë në gjurmë të tyre dhe ndërhyri në hotel, duke kapur në flagrancë dy italianët, shtetasit shqiptar Fatmir Xhelili 35 vjeç, Gëzim Arbëri 48 vjeç me banim në Leçe, Rudolf Luzaj 26 vjeç dhe Elvin Kamo 37 vjeç si dhe dy italianët Vito Massimo Guida dhe Oristo Tatti. Në një banesë në pronësi të këtij të fundit në fshatrat pranë Leçes, policia gjeti 100 kg marijuanë. Ndërsa pjesa tjetër, 2.6 ton marijuanë u sekuestruan një në ndërtesë në zonën industriale të qytetit. Policia sekuestroi edhe celularët e tyre, që iu dorëzuan për hetim Prokurorisë.
Ndërsa pjesa tjetër e sasisë totale, rreth 1 ton marijuanë u sekuestrua rreth orës 5:00 të mëngjesit në një autostradë pranë Brindisit. Në pranga ranë 5 shqiptarë. Droga po transportohej me furgon nga dy prej shqiptarëve të arrestuar. Ndërsa tre të tjerët, shoqëronin me një autoveturë. Këta të fundit bënë një tentativë të dështuar për t’u arratisur, sapo vunë re se po ndiqeshin nga policia. Të përditshmet italiane shkruajnë, se e gjithë sasia e kapur e marijuanës mund t’a ketë prejardhjen nga Shqipëria, që siç shkuajnë ato është prodhuesi më i madh i marijuanës në Europë.
Mediat italiane shkruajnë se, banda ndërkombëtare e narkotrafikut e sillte drogën me skafe dhe kamionë nga Shqipëria, që nga mediat italiane cilësohet si vendi me prodhimin më të madh në Europë. Hetimet rreth këtij grupi vijojnë, ndërsa raportohet se nëse do të hidhej në treg, marijuana e sekuestruar do të kapte vlerën e mbi 20 milionë eurove.

118 kg kanabisë nga Shqipëria kapet në Greqi

Policia greke sekuestroi dje 118 kg marijuanë, ndërsa në pranga përfunduan 2 grekë, 49 dhe 50 vjeç. Mësohet se droga vinte nga Shqipëria, ndërsa kishte kaluar përmes kufirit greko-shqiptar, pranë Igumenicës. Burime zyrtare bëjnë me dije se lënda narkotike ishte fshehur në makinën që drejtonte 49-vjeçari, e paketuar në 55 pako. Ndërkohë, në cilësinë e provës u sekuestruan edhe 2200 euro dhe katër telefona celularë.
Para tre ditësh po në Greqi një i ri shqiptar është arrestuar nga policia, pasi është kapur me drogë. Bëhet fjalë për një 31-vjeçar, që është ndaluar në Janinë. Sipas policisë greke, shqiptari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, është kapur me 32.7 kg kanabis. Bëhet e ditur se i riu shqiptar po mbahej nën mbikëqyrje, ndërsa drogën e kishte fshehur në një banesë të braktisur. Ai është kapur, ndërsa po shkonte tek banesa për ta marrë drogën. Policia i ka vënë menjëherë pranga dhe ka sekuestruar lëndën narkotike. Bëhet e ditur se lënda narkotike ishte e ndarë në disa pako.

R.POLISI

Artikulli paraprakI burgosuri rrihet brutalisht, Drejtoria nuk lejon hetimet
Artikulli tjetër“La Violencia” ose konflikti kolumbian