Gjobvënia ndaj biznesmenit, 51 vite burg për bandën e Shullazit

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë dje vendimin në lidhje me grupin e gjobvënësve ndaj biznesmenit të kafes, Julian Bregu, duke i dënuar me 51 vite burg në total. Kështu, Pajtim Serjani, miku i Emiljano Shullazit u shpall fajtor dhe u dënua me 7 vjet burg, së bashku me Elvis Karolin, Arianit Lulin, Klevis Kardashin si dhe Ditmar Reçin. Po ashtu, Genc Ferhati dhe Arben Hashihyseni u dënuan me nga 8 vjet burg për akuzat e gjobvënies dhe marrje të pasurisë përmes shtrëngimit.
Biznesmeni i kafes kallëzoi mikun e Shullazit, Pajtim Serianin se e kishte kërcënuar me jetë, nëse nuk i dorëzonte 13 mijë euro. Policia nuk e bëri të ditur emrin e biznesmenit pas kërkesës së tij për të mbetur anonim. Denoncimi i tij është provuar gjatë hetimeve që ka kryer Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e kryeqytetit. Ashtu siç është provuar edhe një lloj “kontrate” që të arrestuarit e detyronin biznesmenin të nënshkruante me ta, edhe pse pa laps e letër, që e detyronte atë të paguante tek autorët 10 për qind të xhiros vjetore, në këmbim të jetës së tij e të familjarëve. Pajtim Serjani njihet në kryeqytet si një nga njerëzit më të afërt të Emiljano Shullazit, ndërsa rreth 4 muaj më parë, ai u plagos gjatë një atentati ndaj tij, ku u vra personi që e qëlloi, Artur Baze.
Policia e Tiranës më 10 shtator arrestoi në një lokal në Sauk biznesmenin e njohur të kafesë Julian Bregun dhe mikun e tij, Fatjon Brahja, pasi gjeti në makinën e tyre 1 kg kanabis, ndonëse ka dyshime se lënda narkotike mund të jetë pjesë e një kurthi të ngritur ndaj biznesmenit, pasi ky i fundit denoncoi pak kohë më parë për gjobëvënie, Pajtim Serjanin, mikun e Emiliano Shullazit. Dyshimet e forta të policisë për kurth lidhen me faktin se Julian Bregu më herët ka kallëzuar Serianin.
Biznesmeni i kafes që ishte gjobitur nga tre të dënuarit, u arrestua para pak ditësh për posedim droge. Policia dyshon se biznesmenit i kanë ngritur kurth, megjithatë kjo pistë pritet të konfirmohet nga hetimet që janë në vazhdim.

Artikulli paraprakU vihet zjarri dy makinave luksoze në mes të Tiranës
Artikulli tjetërI burgosuri rrihet brutalisht, Drejtoria nuk lejon hetimet