Hyn në fuqi shfuqizimi i pagave të referencës

Hyri dje në fuqi për shkak të botimit në Fletoren Zyrtare, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e pagave referencë për efekt të sigurimeve shoqërore ndaj profesioneve të lira. Në korrik të këtij viti, Gjykata Kushtetuese vendosi si të papajtueshëm me Kushtetutën Nenin 4 të Ligjit Nr. 143/2015 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr.9136, datë 11.09.2013 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”. Në janar të këtij viti, Ministria e Financave vendosi intervalin e pagave referencë për llogari të pagimit të sigurimeve që shtrihet nga 41,250 lekë deri 73,800 lekë në muaj sipas kategorizimit të bashkive. Në bazë te këtyre shumave, profesionet e lira (si avokatë, përmbarues, inxhinierë, veterinerë, farmacistë, dentistë etj.) do të paguajnë detyrimet mujore për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Gjykata Kushtetuese e argumentoi vendimin e saj, duke gjykuar se është shkelur parimi i barazisë. Sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane, “Parimi i barazisë nuk lejon që të njëjtat t’i trajtosh ndryshe dhe të ndryshmet në thelb t’i trajtosh njësoj”. Gjykata, referuar edhe aktit të ekspertimit, konstaton se “kriteret që vendosin dispozitat e mësipërme në llogaritjen dhe diferencimin e kontributeve nuk bazohen në një analizë teknike apo në eksperienca botërore të provuara më parë. Ato krijojnë elemente të reja pabarazie, barrë shtesë administrative për administratën shtetërore dhe tatimpaguesit, vështirësi teknike dhe pasiguri juridike me shumë elemente subjektiviteti.

Artikulli paraprakU prish konsensusi me dëshmitarë dy ambasadorët Lu dhe Vlahutin
Artikulli tjetërProjektligji për strehimin social, taksë e re për ndërtuesit