U prish konsensusi me dëshmitarë dy ambasadorët Lu dhe Vlahutin

Nënkryetari i Komisionit për Reformën në Drejtësi, njëkohësisht deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi në një intervistë për Deutche Welle sqaron arsyet se përse u prish konsensusi mes palëve në lidhje me ligjet që pritet të miratohen për Reformën në Drejtësi.

– Nga dita e hënë përfaqësuesit e opozitës në Komisionin e posaçëm parlamentar të Reformës në Drejtësi nuk po marrin pjesë. Pse e keni bojkotuar Komisionin në këtë fazë të procesit kur po diskutohet paketa ligjore që do të bëjë të mundur zbatimin e reformës?
Shikoni, dita e hënë përbën shembullin e madh dhe flagrant se si kjo mazhorancë e majtë dhunon Kushtetutën, të cilën e miratuam në mënyrë konsensuale para dy muajsh. Ajo që ka bërë mazhoranca në lidhje me Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, mënyrën se si këto organe zgjidhen, dhunojnë hapur këtë konsensus. E kujtoni natën e gjatë të 21 korrikut duke u gdhirë e nesërmja, ku me ndërmjetësinë e ambasadorëve të SHBA-ve dhe BE-së u arrit tek një tekst i dakordësuar nga palët, që mori dhe pëlqimin e deputetëve të opozitës, pra u votua nga të gjithë në Parlament. Por këtë të hënë, mazhoranca, me të gjithë votat e saj ka rrëzuar amendamentin e opozitës që bazohej në Kushtetutë duke miratuar diçka tjetër. Miratoi procedura dhe institucione të tjera që nuk i miraton Kushtetuta si filtra për të gjithë kandidatët që do i paraqiten Kuvendit të Shqipërisë në zgjedhjen e këshillave të sipërpërmendur. Tani pritet që të gjithë kandidatët të jenë preferencialë të qeverisë, duke eliminuar instrumentin parlamentar ku janë tre deputetë të mazhorancës dhe dy të opozitës që do të bëjnë përzgjedhjen e 5 emrave. E përsëris që zgjidhja konsensuale me dëshmitarë dy ambasadorët, Lu dhe Vlahutin, u prish. Teksti kushtetues u dhunua haptazi. Atëherë kini parasysh, ndodhi kjo, ndodhi dhe prishja e procesit të Vetting-ut më herët, gjithashtu bënë ndërhyrje të njëanshme edhe me strukturën e posaçme antikorrupsion ose siç thirret SPAK, atëherë, kuptoni se çfarë drejtimi ata i dhanë ata reformës.

– T’i marrim me radhë këto që përmendët në arsyetimin tuaj. Së pari, ju nuk e votuat në Parlament ligjin e Vetting-ut në fund të muajit gusht, që konsiderohet si një nga ligjet kyç të Reformës në Drejtësi. Pse?
Për ndjekësit e “Deutsche Welle”-s nuk do të mund të përmend listën tonë të argumenteve antikushtetues, por do t’ju a bëj të qartë vetëm shkakun kryesor se përse ne e kundërshtojmë ligjin e Vetting-ut. Në këtë ligj mazhoranca i ka dhënë rol organeve të kontrolluara nga ana e qeverisë, ose që janë në varësi të saj, siç janë Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë, ILKDP apo Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar dhe jo atyre organeve kushtetuese si komisionet e përkohshme të kualifikimit dhe më pas kolegji i apelimit. Strukturat e varura nga qeveria ose të kontrolluara prej saj do të marrin kështu peshën kryesore në procesin e Vetting-ut, ndërkohë që Kushtetuta thotë që këtë duhet ta bëjnë në mënyrë të plotë komisionet. Janë futur fitilat e kontrollit politik në një proces që duhet të jetë i pavarur, që duhet të garantojë pastrimin e sistemit nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe këtë nuk duhet ta verë askush në diskutim. Gjithashtu procesi i Vetting-ut duhet të jetë i pavarur nga qeveria e Parlamenti, por mazhoranca aktuale ka futur me ligj instrumente që e korruptojnë, e varësojnë këtë proces. Për këtë fajtore është mazhoranca dhe ndaj ne e kundërshtojmë ligjin, sepse në fund të fundit do të jemi para faktit që do të ikin ata gjyqtarë e prokurorë që nuk i pëlqen Edi Rama dhe mazhoranca dhe do të mbeten ata që preferohen prej tyre.

– Po projektligjin për strukturën e posaçme antikorrupsion apo SPAK-un, pse e kontestoni?
SPAK-u është një instrument që i ka munguar drejtësisë në Shqipëri. Eksperienca amerikane në këtë drejtim është thelbësore. Por ama dhe kjo duhet të jetë krejtësisht e pavarur. Kurse këta kanë zgjedhur një model ekstrem, i cili nesër do të prodhojë probleme kompetencash dhe përplasjesh për pavarësinë e SPAK nga Prokuroria e Përgjithshme. Nëse është bërë një zgjidhje që SPAK të jetë i pavarur nga Prokuroria e Përgjithshme, atëherë në mënyrë të padiskutueshme kjo strukturë duhet të jetë e pavarur nga ekzekutivi, nga qeveria. Edhe këtu janë futur organe kontrolli që janë në varësi të qeverisë, të cilët do të merren me kandidatët për gjyqtarë të posaçëm, për prokurorë të posaçëm ose hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Nëse kandidatët nuk do të jenë politikisht në anën e Kryeministrit atëherë ata nuk do të jenë pjesë e përzgjedhjes nga këto organe. Ja në këtë pikë e ka çuar reformën mazhoranca, duke cenuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Kushtetutën dhe konsensusin. Ne këtë nuk e tolerojmë. PD, opozita e vlerëson maksimalisht SPAK-un a Byronë dhe sa më parë ato të futen në lojë, sepse lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit janë emergjente në këtë vend. Nëse nuk bëhet kjo vihen në rrezik dhe procese të tjera të rëndësishme siç janë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që kërcënohen seriozisht nga sponsorizimi i parave të hashashit që e gjen kudo në vend.

– Po qarkullon në media opsioni se PD do të tërhiqet nga procesi Reformës në Drejtësi. E konfirmoni ju këtë z. Bylykbashi, si njeriu kyç i opozitës në Komisionin e posaçëm të Reformës në Drejtësi?
Nuk mund të qëndroj mbi spekulime mediatike, por ajo që unë them është se procesi i Reformës në Drejtësi është bazuar në kushtetutshmërinë dhe konsensusin. Nëse mazhoranca ka vendosur që të thyejë Kushtetutën, atëherë jemi përballë një rreziku serioz. Nuk mund të jetë vetëm Gjykata Kushtetuese në këtë vend garant për zbatimin e ligjit themelor të shtetit, sepse ju e dini që dhe kjo trupë gjyqësore është objekt i Vetting-ut, pasi dhe anëtarët e saj mund të jenë shënjestër presioni qeveritar dhe instrumenteve qeveritare që do të realizojnë procesin e Vetting-ut. Pra, e kanë të vështirë në këto rrethana të vendosin nëse për një rast a për një tjetër të vlerësojnë është bazuar ose jo në Kushtetutën e Shqipërisë. Dukshëm mazhoranca aktuale po e përdor Reformën në Drejtësi si një lloj qetësuesi a kortizoni për hallet dhe problemet e mëdha me të cilat përballet vendi. Kam parasysh këtu mbjelljen e hashashit në të gjithë territorin, krimin e organizuar, korrupsionin, gjendjen social ekonomike të popullatës etj. Në këtë kontekst është e qartë se reforma është si një bombë tymuese për të hequr vëmendjen nga këto aspekte alarmante, gjithashtu duke futur në stanjacion një element shumë të rëndësishëm, reformën zgjedhore, e cila është jetike dhe po aq e rëndësishme se sa Reforma në Drjetësi.

– Të enjten që vjen është fiksuar data kur Parlamenti në seancë plenare do të zhvillojë votimin e paketës ligjore, për të cilën po punohet dhe ju nuk jeni prezent prej katër ditësh. Ka negociata apo kontakte për t’u riulur së bashku në Komisionin e posaçëm të Reformës në Drejtësi?
PD, e gjithë opozita, do të marrë vendimet e saj në lidhje me këto zhvillime. Mazhoranca është fajtore për këtë situatë ku jemi dhe nuk mendoj se do të kishte dobi një negociatë a takim për konsensus për të na kthyer te konsensusi ku kemi qenë. Është shumë thjeshtë të vijohet puna: të gjitha dispozitat antikushtetuese duhet të kthehen mbrapsht. Kjo mbetet të kryhet nga mazhoranca, nëse do të reflektojë a do të vijojë të thellojë marrëzinë me ligjin themeltar të shtetit. Ose do të ngrihet një komision tjetër parlamentar që të zhbëjë çfarë është bërë gabim deri më tani, ose shumica të gëlltisë gjithçka nga antikushtetutshmëria që ka realizuar deri më sot. Ne do të marrim vendimet tona mbi këto zhvillime. Reforma në Drejtësi sot nuk është më politike, por është kushtetuese, legjislative dhe ne jemi për mbrojtjen e çdo shkelje dhe deformimi të saj.

Marrë nga Deutche Welle

Artikulli paraprakNgecin shpenzimet kapitale, 23 milionë euro më pak se plani për 8-mujorin
Artikulli tjetërHyn në fuqi shfuqizimi i pagave të referencës