Humbja e jetës së dy mjekëve nga Covid-19/ PD: Duhet ndryshim që jeta e asnjë mjeku të mos jetë më e rrezikuar!

Partia Demokratike ka dalë me një deklaratë sot pas lajmeve të trishta të humbjes së jetëve të dy mjekëvë të tjerë nga pandemia e COVID-19. Në deklaratë theksohet nevoja për ndryshim, që shëndetësia shqiptare të mos pësojë humbje të tjera nga mungesa e pajisjeve mbrojtëse dhe mjeteve të tjera elementare për të përmbushur misionin e saj.

Deklarata e PD

Përcjellim me trishtim të thellë lajmet e largimit nga jeta të mjekëve dhe infermierëve, që na shpëtojnë jetën dhe kujdesen për ne sa herë kemi nevojë! Janë bluzëbardhët, që kanë luftuar dhe punuar për të lehtësuar dhimbjet dhe sëmundjet e pacientëve.

Çdo jetë e humbur është e dhimbshme, por humbja është më e madhe në rastin e personelit shëndetësor, sepse nuk ikën vetëm një njeri, prind apo familjar i shtrenjtë, por humbasim një aset të çmuar për shoqërinë jo vetëm në kohë pandemie.

E tillë ishte humbja e djeshme e dr. Drini Dobi, humbja e disa ditëve më parë e dr. Bledi Nini, humbja gjatë gjithë këtyre muajve të vështirë edhe të 18 mjekëve dhe infermierëve nga i gjithë vendi, dr. Arjan Pushi, dr. Hysni Shkjau, dr. Ibrahim Kaziu, dr. Ilirjan Draçi, dr. Zyliha Kraja, dr. Astrit Haziri, dr. Sefer Dervishi, dr. Anibal Byberi, dr. Myzafer Xhepaxhiu, mjekëve në pension dr. Esat Pashaj, dr. Vilson Topulli, dr, Elmas Eltari, dr. Memo Boçi, dr. Agron Menzelxhiu, si dhe infermierët Enver Maloku, Fran Keshtenja, Pëllumb Maletaj, specialistja e Shëndetit Publik Mimoza Zoraqi.

Respekt të pafund për gjithë punën, kontributin, gatishmërinë, përkushtimin dhe profesionalizmin deri në sakrificë të këtyre mjekëve dhe të gjithë personelit shëndetësor!

Fatkeqësisht, Shqipëria ka numrin më të madh për banorë të mjekëve që kanë humbur jetën nga COVID 19. Na duhet ndryshim, që jeta e asnjë mjeku të mos jetë e rrezikuar për shkak të mungesës së pajisjeve mbrojtëse apo mungesave të tjera elementare në sistemin tonë shëndetësor.

Zi

Artikulli paraprakA eshtë arrestuar vërtet vrasësi i Klodian Rashës apo është bllof? Pse nuk jepen detaje nga vrasja?
Artikulli tjetërBritani, Vaksina e Pfizer po shkakton reaksion tek njerëzit me alergji të rënda