Hashim Thaçi i bëri dhuratë Gaz Demit një godinë shtetërore në Prishtinë dhe…

Nga Besnik Krasniqi, KOHA DITORE

Ndarja e dekoratës “Urdhri i Pavarësisë” nuk ishte favori i vetëm që presidenti Hashim Thaçi po i bënte në verën e vitit të kaluar Gazmend Demit. Në të njëjtën kohë, kreu i shtetit kishte ushtruar presion në Qeveri, pas të cilit ishin ndërmarrë veprime për të çuar miliona euro tek i njëjti biznesmen nga Shqipëria.

LEXO EDHE:
Rama procedon maturantët protestues/ Këlliçi: Gjoba politike për të shtypur pakënaqësinë
Presidenca kishte kërkuar nga Ekzekutivi që ta lironte godinën e ish-Komitetit, ku ndodheshin Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Kulturës. Arsyeja formale ishte se atë donte ta shndërronte në seli të Presidencës, raporton KOHA.

Por njerëzit që punonin në të e që refuzonin të zhvendoseshin, e dinin se godina nuk i përmbushte kushtet.

Por, presidenti e kishte mbërritur qëllimin. Pas kërkesës së tij për ta lëshuar ish-Komitetin, zyrtarë të të dyja ministrive, me procedurë të shpejtë negocimi, përzgjodhën një ndërtesë në Prishtinë për t’u vendosur me qira. Ishte bërë kjo pak kohë përpara se të dorëzohej pushteti nga Qeveria Haradinaj tek ajo Kurti.

Hapësira e kontraktuar nga ministritë, e edhe nga Agjencia, është në pronësi të kompanisë “A2 GROUP”, në të cilën 75 për qind të aksioneve i ka Demi.

Përfaqësuesi kosovar i kësaj kompanie ka refuzuar të flasë për veprimet që kishin çuar në këtë raport kontraktual.

Kontratat që kanë hyrë në fuqi shtatorin e vitit të kaluar në emër të kompanisë i ka firmosur Arben Akiki, aksionar tjetër, i cili është nga Maqedonia.

Dokumentet obligojnë institucionet që secilin muaj të çojnë rreth 100 mijë euro në llogarinë e kompanisë.

Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë kanë konfirmuar se deri tash kanë paguar mbi gjysmë milioni euro, ndërsa Ministria e Kulturës nuk e ka bërë ende pagesën për dhjetë muajt e shkuar, meqë stafi i saj ka refuzuar të zhvendoset në hapësirën e marrë me qira.

E, me t’u ndërruar pushteti në Kosovë, janë formalizuar kërkesat nga ministritë për t’i shkëputur kontratat e qirasë me biznesin e Demit.

Fotografia e kompleksit “Ramiz Sadiku”, ku janë zhvendosur dy nga tri institucionet shtetërore, përbën imazhin e parë me ta hapur uebfaqen e kompanisë së Demit, me bazë në Shqipëri.

Ndërkaq imazh nuk ka ndërruar godina e ish-Komitetit, ani se ishte paralajmëruar të investoheshin në të 15 milionë euro, sa ishte kostoja e rinovimit për llogari të kreut të shtetit.

Por, prej kur ministritë kanë firmosur kontratat e qirasë, Presidenca e ka pushuar aktivitetin për t’u zhvendosur tek ish-Komiteti. Në Presidencë nuk kanë treguar nëse një vit më parë presioni ishte bërë vetëm me qëllimin për ta transferuar stafin e ministrive nga ish-Komiteti në objektin e Gazmend Demit.

Artikulli paraprakPaaftësia e institucioneve, PD Vlorë: Spitali i Vlorës kthehet në vatrën e infeksionit dhe Ferrin e qytetarëve!
Artikulli tjetërArrestohet gazetari pse po raportonte përplasjet e policisë me banorët e zonës në Shëngjin