Haradinaj Kryeministër, Kosova me qeveri

Me 61 vota për, një abstenim dhe pa praninë e opozitës, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Qeverinë e re të Kosovës, me në krye Ramush Haradinajn.
Qeveria Haradinaj është zgjedhur për mandatin e ardhshëm katër vjeçar. I gjithë procesi i zgjedhjes është kritikuar ashpër nga opozita, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në momentin e votimit, opozita lëshoi sallën për shkak të mospërfilljes së tërheqjes së mocionit për ndërprerjen e debatit që kishte prezantuar në pjesën e parë të punës së seancës, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.
Fillimisht, mocioni i tij nuk ishte hedhur në votim nga ana e kryetarit të Kuvendit,Kadri Veseli, pasi që në sallë nuk ishte e pranishme Lista Serbe. Por, pas një pauze prej më gjatë se dy orë, Veseli e hodhi në votim këtë mocion, pavarësisht faktit që Konjufca hoqi dorë.
Në shenjë proteste, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës lëshuan sallën, duke e akuzuar Veselin për shkelje të Rregullores së punës.
Sidoqoftë, Kuvendi procedoi me votim dhe nga 62 deputetët në sallë, 61 votuan për dhe një abstenoi. Bëhet fjalë për deputetin e partisë Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, i cili për shkak të disa pakënaqësive me kompozimin e kabinetit qeverisës, kishte vendosur të mos i jepte votën atij.
Kryeministri i zgjedhur, Ramush Haradinaj, njëherësh kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, do të drejtojë koalicionin qeverisës ku bëjnë pjesë, Partia Demokratike të Kosovës, Nisma për Kosovën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Aleanca Kosova e Re, Lista Serbe dhe partitë tjera të minoriteteve.
Në paraqitjen e tij para Kuvendit, Haradinaj prezantoi emrat e ministrave të kabinetit të ri qeverisës. Ai u shpreh i gatshëm të marrë përsipër udhëheqjen e Qeverisë së re, e cila do t’i ofrojë Kosovës perspektivë, zhvillim ekonomik dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë.
“Gjendja në sektorët veç e veç, pa i mohuar të arriturat e caktuara, prapë është e vështirë. Shëndetësia e arsimi s’janë mirë. Bujku ndihet i lënë vetëm, të rinjtë vështirë arrijnë të vijnë te një vend pune, femrat e kanë edhe më të vështirë punësimin, sidomos ata të viseve rurale”, tha Haradinaj.
Andaj, ai u zotua se Qeveria nën drejtimin e tij është e gatshme t’i marrë përgjegjësitë.
Po ashtu, tha Haradinaj, Kosova rrezikohet nga “rreziqet e reja dhe të vjetra. Terrorizmi botëror na rrezikon të gjithëve”.
“Kosova në planin e sigurisë do të ndihet e sigurt vetëm në krahun e NATO-s”,theksoi Haradinaj.
Ai foli edhe në gjuhën serbe, duke i siguruar pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, se “Kosova është vend i sigurt që garanton liri e siguri për të gjithë”.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, kritikoi fjalimin e mandatarit për kryeministër, Ramush Haradinaj, për të cilin tha se ishte një fjalim i shkurtër dhe i varfër.
“Programi i tij ishte aq mahnitës saqë na la pa tekst. Ne duhet të shkojmë drejt në votim, pse jo ta kemi Qeverinë e Kosovës dhe të shkojmë përpara. Jemi vonuar shumë, zgjedhjet kanë qenë më 11 qershor”, tha Konjufca.
Seanca e së shtunës nisi me vonesa, ndërkohë që deputetët e Listës Serbe, nuk ndodheshin në Kuvend. Ata, gjatë ditës kishte qëndruar në Beograd në konsultime me autoritetet shtetërore serbe rreth pjesëmarrjes në Qeverinë e re të Kosovës.
Kjo Listë, megjithatëkishte marrë mbështetjen e Beogradit dhe në orët e mbrëmjes, iu bashkua pjesës tjetër të Kuvendit duke votuar dhe duke u bërë pjesë e Qeverisë së re të Kosovës.
Ndërsa deputetët po bëheshin gati për debat dhe votim për apo kundër Qeverisë së re të propozuar nga mandatari Ramush Haradinaj, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryeministri në largim, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook ka kërkuar rrëzimin dhe jo zgjedhjen e kësaj qeverie.
Sipas tij, përmes Listës Serbe, Serbia po bën masakër mbi institucionet e shtetit të Kosovës.
Në prioritetet e Qeverisë së re nënvizohen reformat nisur nga arsimi, shëndetësia, zhvillimi ekonomik, ulja e papunësisë dhe politikat ekonomike për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe joshjen e investimeve te huaja.
Kurse, nga çështjet politike, sfida mbeten problemet që kërkojnë zgjidhje, si dialogu me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pastaj proceset integruese dhe liberalizimi i vizave që duhet të kalojë përmes ratifikimit të demarkacionit dhe luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe sfida e përhershme e ndërtimit të shtetit ligjor dhe krijimit të kushteve për funksionimin e pavarur të Gjyqësorit.
Po ashtu, kjo Qeveri pritet të ballafaqohet edhe me fazën, që sipas shumë analistëve politikë, do të jetë më e vështira, atë të akuzave të para nga Gjykata Speciale ndaj-ish pjesëtarëve të UÇK-së për krime lufte.

Emrat e ministrave të qeverisë “Haradinaj”

Mandatari për formimin e Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka prezantuar emrat e kabinetit qeverisës, për të cilët ka kërkuar votat e deputetëve.
Në bazë të marrëveshjes PDK, AAK, Nisma, AKR, Lista Serbe dhe pakicat jo serbe, përbërja e kabinetit duket si më poshtë:
Kryeministër: Ramush Haradinaj
Zëvendëskryeministra: Behgjet Pacolli (AKR), Enver Hoxhaj (PDK), Fatmir Limaj(Nisma), Dalibor Jevtiq (Lista Serbe) dhe Dardan Gashi.
Ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës: Rrustem Berisha (AAK)
Ministria e Infrastrukturës: Pal Lekaj (AAK)
Ministria e Financave: Bedri Hamza (PDK)
Ministria e Shëndetësisë: Uran Ismaili (PDK)
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit: Kujtim Gashi (PDK)
Ministria e Integrimeve Evropiane: Dhurata Hoxha (PDK)
Ministrja e Drejtësisë: Abelard Tahiri (PDK)
Ministria e Inovacion dhe Ndërmarrësisë: Besim Beqaj (PDK)
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale: Skender Reçica (Nisma)
Ministria e Arsimit: Shyqeri Bytyqi (Nisma)
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë: Bajram Hasani (Nisma)
Ministrja e Zhvillimit Ekonomik: Valdrin Lluka (AKR)
Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor: Albena Reshitaj (AKR)
Ministria e Diaspora dhe Investimeve: Dardan Gashi
Ministria për Kthim dhe Komunitete: Delibor Jevtiq (Lista Serbe)
Ministria e Pushtetit Lokal: Ivan Teodosijeviq (Lista Serbe)
Ministria e Bujqësisë: Nenad Rikalo (Lista Serbe)
Ministria e Zhvillimit Rural: Rasim Demiri (Vakat)
Ministria e Administratës Publike: Mahir Jagxhillar (TDP)

Haradinaj për të dytën herë Kryeministër

Ramush Haradinaj ka marrë për herë të dytë postin e kryeministrit të Kosovës. Ish-komandant i lartë i ish-UÇK-së dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka udhëhequr me Qeverinë e Kosovës tre muaj, në kohën kur kishte lidhur koalicionin me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe liderin shumëvjeçar të Kosovës, presidentin tashmë të ndjerë Ibrahim Rugova.
Por, pas aktakuzës së parë të ngritur ndaj tij nga Tribunali i Hagës për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë, Ramush Haradinaj, pati dhënë dorëheqje nga posti më 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës.
Ai ishte dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës. Në vitin 2008, Gjykata e Hagës e shpalli atë të pafajshëm. Katër vjet pas u bë rigjykimi i tij, po në Tribunalin e Hagës. Por, në vitin 2012, Ramush Haradinaj sërish u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë për krime lufte.
Një proces tjetër ndaj tij u ndoq edhe më 2017, por kësaj radhe në Colmar të Francës,ku autoritetet franceze, më 4 janar, e ndaluan atë mbi bazën e një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia për krime lufte.
Por, pas një procesi gjyqësor ndaj tij, drejtësia franceze e kishte liruar atë më 27 prill.
Me t’u kthyer në Kosovë, Haradinaj iu bashkua nismës së partive politike, PDK-së së drejtuar nga Kadri Veseli dhe partisë Nisma të drejtuar nga Fatmir Limaj, për rrëzimin e Qeverisë me në krye Isa Mustafa, lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pas rrëzimit të kësaj Qeverie, Kosova shkoi në zgjedhje. Kurse Ramush Haradinaj mori besimin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Nismës, si kandidat i përbashkët për kryeministër.
Zgjedhjet u mbajtën më 11 qershor, por ky koalicion, i quajtur PAN, nuk arriti të ketë shumicën parlamentare për formimin e institucioneve të reja. Andaj, më 5 shtator, Haradinaj, Veseli dhe Limaj, arritën marrëveshje me Behgjet Pacollin, liderin e Aleancës Kosova e Re dhe së bashku me pakicat krijuan një shumicë që sot numëron mbi 61 vota në Kuvend.
Më 7 shtator, kjo shumicë parlamentare zgjodhi fillimisht Kadri Veselin në postin e kryetarit të Kuvendit. Kurse më 09 shtator, Ramush Haradinajn, kryeministër.

Artikulli paraprakParlamenti, duart me gjak
Artikulli tjetërRama, 5 vjet për 2.1 kilometrat e Unazës së Madhe