Rama, 5 vjet për 2.1 kilometrat e Unazës së Madhe

Rama ka shpenzuar plot 5 vjet për 2.1 kilometrat e Unazës së Madhe, të cilat i inauguroi dje. Unaza duhet të kishte përfunduar që në vitin 2014. Fondet ishin garantuar nga qeveria Berisha, ndërsa projekti ishte i Bashës si kryebashkiak i Tiranës. Ish-nënkryetari i Bashkisë, Bozdo i ka kërkuar Ramës të falënderojë më parë Berishën dhe Bashën.
“Dje u përurua segmenti 2,1 km i Unazës së Madhe të Tiranës. Tutje ekzaltimit të pavend të Ramës dhe Veliajt, më duhet të rikujtoj se stafi i Bashkisë së Tiranës, kur kjo drejtohej nga Basha, punoi plot një vit, nga viti 2011 deri më 2012 për të përgatitur këtë projekt, ndërsa qeveria Berisha siguroi financimin e saj që në vitin 2012.
Unaza duhet të kishte përfundur në vitin 2014. Por mesa duket, 2.1 km e saj nuk ishin asnjëherë prioritet as për qeverinë Rama dhe as për k/bashkiakun Veliaj.
Megjithë zellin e këtyre dy të fundit sot për ta shitur si një “punë të tyren të kryer”, fakti është që ky segment kaq i rëndësishëm duhej të ishte në funksion 3 vite më parë. Në këto tri vite trafiku i Tiranës do të ishte ndjeshëm më i lehtësuar, Tirana do të kishte më pak ndotje dhe zhurmë, qytetarët e Komunës së Parisit dhe të Unazës së Re nuk do t’u duhej të humbnin orë të tëra për të mbërritur në shtëpitë e tyre, por edhe ata qytetarë që lëviznin nga veriu në jug të vendit dhe anasjelltas, nuk do t’u duhej të humbnin orë të tëra dhe shpenzime karburanti në trafikun rraskapitës të Tiranës.
Prandaj një thirrje me shumë qytetari për Edi Ramën dhe Erion Veliajn: më parë se të nxirrni video apo të bëni selfie, më parë se të gëzoni mbi “suksesin e një pune të kryer”, kërkoni një ndjesë që e zvarritët për 3 vite këtë vepër. Tutje faktit që tashmë jeni bërë “mjeshtra” në vjedhjen e meritave të të tjerëve, minimalisht duheshin falënderuar kryeministri dhe kryebashkiaku i mëparshëm për këtë vepër. Dhe është hera e tretë që silleni kështu, pas projetit të “Pazarit të Ri” dhe të Bulevardit të Tiranës. Të paktën mos e përsërisni më për herë të katërt!”, shprehet Bozdo.

 

Artikulli paraprakHaradinaj Kryeministër, Kosova me qeveri
Artikulli tjetërSHBA bojkoton zgjedhjen e Ruçit, e ka shpallur “non grata”