Parlamenti, duart me gjak

Një person i konsideruar “non grata” nga Shtetet e Bashkuara nënkupton një person të padëshiruar për Shtetet e Bashkuara. Aq më tepër kur këtij personi i janë provuar edhe arsyet se përse duhet të jetë i padëshirueshëm, atëherë situata bëhet akoma dhe më e komplikuar dhe lindin një sërë pyetjesh. Të qenit kryetar i Parlamentit është numri dy i shtetit dhe atij i duhet të ketë kontakte me përfaqësues diplomatikë të ndryshëm. Po si mund të ketë kontakte të tilla në njeri, i cili gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara që nga viti 2005? A mundet zyrtarët e nivelit të lartë amerikan të pranojnë një karshillëk të tillë të Tiranës zyrtare ndaj një qëndrimi politik të Uashingtonit? A do të ketë pasoja kjo zgjedhje në marrëdhëniet dypalëshe dhe si mund të reagojë adiministrata e Presidentit amerikan Trump ndaj një emërimi në post kyç të një shteti të konsideruar si partner? A mund të jetë i pranueshëm për një vend anëtar të Aleancës së Atlantikut të Veriut një kryetar Parlamenti që vjen nga diktatura dhe që në të shkuarën e tij ka qenë ministri i fundit i Brendshëm dhe Sigurimit të Shtetit mbi të cilin rëndojnë akuza për krime kundër njerëzimit, si vrasjet në kufi dhe maskara e 2 Prillit?
A mund të shkohet drejt afrimit dhe anëtarësimit me Bashkimin Europian duke i ofruar kancelarive të Europës një bashkëbisedues që vjen nga koha më e errët e persekucionit dhe luftës së klasave?
Rama ia ka arritur dje që mes shqiptarëve të ndezë edhe një herë tjetër urat e zjarrit të ndasive. Emërimi i Ruçit është një provokim për ata qindra mijëra shqiptarë, të cilët u vranë, burgosën dhe internuan gjatë regjimit totalitar komunist.
Jo më larg se dy ditë më parë Komisioneri për Zgjerimin në BE, Hahn kërkoi dialog dhe një qeveri të përgjegjshme. Në të vërtetë Rama ka bërë të kundërtën që në ditën e parë të konfirmimit të numrit të deputetëve të tij në Parlament. Ai prej vitesh i fryn një konflikti civil mes shqiptarëve përmes emërimeve të tilla, të cilat në asnjë moment nuk do të jenë të pranueshme për shumicën e shqiptarëve.
Sot Shqipëria është kthyer 27 vite pas dhe palët janë vendosur në të njëjtat llogore si atëherë kur ishin në prag të një lufte civile dhe meritë për këtë ka pinjolli i diktaturës, i biri i Kristaq Ramës.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprakA është ky fundi i Tahirit?
Artikulli tjetërHaradinaj Kryeministër, Kosova me qeveri